-1.1 C
Pristina
Saturday, January 11, 2025

Në përfundim të muajit

Më të lexuarat

Pendesa
El Egar ibnu Jesar El Muzeni (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “O ju njerëz! Pendohuni tek Allahu, sepse unë kërkoj falje tek Allahu njëqind herë në ditë.”[1]
Shpjegimi i hadithit:
Pendesa dhe kërkimi falje Allahut është detyrë e çdo njeriu. Këtë gjë e dëshmon ky hadith profetik si dhe ajetet e Kuranit, ku Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Pendohuni që të gjithë tek Allahu që të jeni prej të shpëtuarve.”[2] Ndërsa në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Kërkoni falje dhe pendohuni tek Zoti juaj.”[3]
Në të vërtetë, çdo njeri duhet të kërkojë falje e të pendohet, sepse nuk ka njeri që të mos bëjë mëkate apo të mos neglizhojë në adhurimin e Allahut. Ashtu siç njeriu pendohet për mëkatet që ka bërë, po ashtu ai duhet të pendohet për moskryerjen e urdhëresave të Allahut.
Myslimani duhet ta mbyllë muajin e Ramazanit duke kërkuar falje dhe duke u penduar tek Allahu. Ai duhet të bëjë ato vepra me të cilat Allahu është i kënaqur dhe të braktisë ato vepra me të cilat Ai nuk është i kënaqur. Nëse në fillim të muajit ka qenë neglizhent, atëherë në përfundim të tij le të bëjë sa më shumë vepra të mira. Le të përulet e të përgjërohet në portën e Krijuesit të tij që Ai t’ia falë mëkatet.
Kërkimi i faljes dhe pendesës nga mëkatet duhet të jetë i menjëhershëm dhe absolutisht nuk është e lejueshme që njeriu të vonohet, sado i madh apo i vogël që të jetë mëkati. Arsyeja është shumë e thjeshtë; njeriu nuk e di se kur mund t’i vijë vdekja dhe se mëkatet pasojnë njëra-tjetrën. Kështu që zemra e njeriut ashpërsohet duke mëkatuar vazhdimisht, ai largohet sa më shumë nga Allahu dhe besimi i dobësohet, sepse besimi shtohet me adhurim dhe pakësohet me kryerjen e mëkateve.
Që pendesa të jetë e sinqertë duhet të plotësojë pesë kushte:
Kushti i Parë: Sinqeriteti. Kërkimi i faljes dhe pendesës duhet të bëhet vetëm për hir të Allahut e jo për ndonjë të mirë materiale të kësaj bote apo për sy e faqe të njerëzve. Njeriu duhet të pendohet tek Allahu, sepse ai e konsideron pendesën adhurim, pendohet sepse e madhëron dhe e lartëson Allahun, shpreson tek shpërblimi i Tij dhe ka frikë nga ndëshkimi i Tij.
Kushti i Dytë: Të shkëputet dhe ta lërë mëkatin. Nëse njeriu ka kryer një vepër të ndaluar, atëherë ai duhet ta lërë atë menjëherë[4], dhe nëse nuk ka kryer ndonjë obligim atëherë duhet që të shpejtojë që ta kryejë atë, si për shembull nëse nuk e ka dhënë zekatin apo nuk e ka kryer haxhin, ndërkohë që ka mundësi t`i kryejë këto obligime. Nëse mëkati që ka kryer rëndon ndaj ndonjë njeriu, pra i ka hyrë në hak ndokujt, si për shembull i ka marrë lekë dikujt, atëherë duhet t’ia kthejë në vend nëse ai është gjallë dhe nëse ai nuk është gjallë ia kthen trashëgimtarëve të tij. Nëse nuk e di se të kujt janë lekët që i ka përvetësuar për vete, atëherë nuk i mban ato para për vete, por i shpërndan për lëmoshë. Nëse i ka hyrë në hak dikujt nëpërmjet përgojimit, atëherë duhet t’i kërkojë atij hallallëkun. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, ngaqë nuk dëshiron që ta dijë personi të cilin e ka përgojuar, atëherë le të kërkojë falje për të ose ta lavdërojë përpara atyre njerëzve ku e ka përgojuar, sepse veprat e mira i fshijnë veprat e këqija.
Kushti i Tretë: Të pendohet me gjithë zemër që e ka kryer mëkatin dhe të shpresojë se do të ishte më mirë për të që mos ta kishte kryer atë, sepse mëkati që ka kryer ia ul vlerën përpara Allahut.
Kushti i Katërt: Të vendosë me gjithë zemër që mos të mos kthehet kurrë tek mëkati që ka kryer. Në të vërtetë, kjo është fryti i vërtetë i pendesës së tij dhe është dëshmi e qartë e sinqeritetit të tij.
Kushti i Pestë: Pendesa të jetë brenda afatit kohor të pranimit të saj. Nëse nuk është brenda këtij afati atëherë ajo nuk pranohet. Ebu Hurjejra (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Allahu e pranon pendesën atij njeriu që pendohet përpara se të lindë dielli nga perëndimi.”[5] Ndërsa në një hadith tjetër të transmetuar nga Abdullah ibnu Umer, profeti (a.s) thotë: “Me të vërtetë Allahu e pranon pendesën e njeriut përderisa atij nuk i ka mbërritur shpirti në fyt.”[6]
Nxito që të pendohesh sa më shpejt përpara se të të humbasë rasti. Bëj kujdes shumë që të thuash se kam kohë e do të pendohem më vonë, sepse askush nuk e di se kur do të vdesë.
O Zot! Ty nuk të shkakton dëm asnjë mëkat dhe as nuk të sjell dobi asnjë adhurim, na e bëj risk që të kërkojmë falje dhe të kthehemi tek Ty. Zoti ynë na zgjo nga gjumi i shkujdesjes dhe indiferentizmit, na bëj neve që të shfrytëzojmë kohën përpara se të mbarojë afati i caktuar. O Zot! Na bëj prej atyre që mbështeten tek Ty dhe Ti ju mjafton atyre, na bëj prej atyre që e kërkojnë udhëzimin Tënd dhe Ti i ke udhëzuar ata, na bëj prej atyre që kërkojnë ndihmë prej Teje dhe Ti i ke ndihmuar, dhe na bëj prej atyre që të janë përgjëruar me lutje dhe Ti i ke mëshiruar. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed. Amin.
 
[1] Transmeton imam Muslimi. [2] Sure En Nur: 31 [3] Sure Hud: 3 [4]  Si për shembull: një njeri është duke pirë raki dhe me gotën e rakisë në dorë thotë: Zoti më faltë. Jo! Kjo nuk quhet pendesë sepse pendesa e vërtetë është që ai duhet ta lërë gotën e rakisë mënjanë të shmanget nga pirja e rakisë dhe pastaj të thotë: Zoti më faltë. (shënim i përkthyesit) [5] Transmeton imam Muslimi. [6] Transmeton imam Et Tirmidhi. Në zinxhirin e transmetimit është Ajash ibnu Abdurrahman që është i sinqertë por që gabon. Megjithatë zinxhiri i transmetimit konsiderohet Hasen.Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit