Nga Larry Elliot, The Guardian
Mesazhi nga Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimin e Klimës ishte shumë i qartë. Sipas raportit të publikuar temperaturat globale do të rriten me më shumë se 1.5C mbi nivelet paraindustriale brenda dy dekadave.
Parandalimi i kësaj do të kërkojë një rënie masive dhe të shpejtë të sasisë së gazrave serrë që emetohen. Diagnoza është e lehtë, por lind pyetja se si qeniet njerëzore duhet të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të shmangur katastrofën.
Përgjigja ndaj pandemisë ka treguar se çfarë mund të bëhet në rast urgjence. Qeveritë prekën fundin kur spitalet u tej-mbushën me pacientë me Covid-19. Një kombinim i veprimeve të sektorit privat dhe atij publik zhvilloi vaksinat shumë më shpejt sesa çdokush mund të kishte imagjinuar në muajt e parë të vitit 2020.
Ministritë e Financave në vendet e pasura shpenzuan pa bërë llogari për të parandaluar që një krizë e shëndetit të shndërrohej në një krizë ekonomike dhe sociale.
Imperativi ishte të shpëtosh jetë, jo të balancosh buxhetet.
Por nuk do të ishte e inteligjente të supozojmë se përgjigja ndaj dy krizave do të jetë saktësisht e njëjtë. Qeveritë reaguan ndaj Covid-19 duke vendosur kufizime në lirinë e individit në kohë paqeje. Në teori Boris Johnson, Emmanuel Macron ose Mario Draghi mund të këmbëngulin se nevojiten një sërë kufizimesh të reja në një luftë kundër ndryshimeve klimatike, raporton abcnews.al
Në realitet, ata do të përdorin të njëjtën qasje si gjatë pandemisë por çështja është sa mund të tolerojë populli. Bllokimet funksionojnë për një kohë, por më pas njerëzit kundërshtojnë kufizimet. Duke u thënë atyre se ata duhet të ndalojnë së bëri gjëra që i pëlqejnë – udhëtimet jashtë vendit, për shembull – do të jetë zgjidhja e fundit për politikanët.
Britania, Franca dhe Italia secila përbëjnë rreth 1% të emetimeve të gazrave serë, dhe duket se nuk ka gjasa që ata të insistojnë që qytetarët e tyre të bëjnë sakrifica që nuk krahasohen me ato të vendeve të tjera.
Ajo që është e vërtetë për demokracitë është e vërtetë edhe për autokracitë. Kina është deri tani ndotësi më i madh në botë, duke përbërë 28% të emetimeve globale, por rritja e shpejtë ekonomike dhe stabiliteti politik janë mbështetur në migrimin nga fushat në fabrikat, ku njerëzit fitojnë më shumë dhe të kesh një makinë është një simbol i suksesit.
Pra, ndërsa partia komuniste kineze është e vetëdijshme për rreziqet e ndryshimit të klimës dhe po investon shumë në energjitë e rinovueshme, ajo gjithashtu ka frikë se rritja e ngadaltë do të çojë në rritje të papunësisë dhe pakënaqësisë politike.
Prandaj Kina po ndërton termocentrale të reja me qymyr në të njëjtën kohë pasi është shtëpia e gati gjysmës së automjeteve elektrike të pasagjerëve në botë dhe një në tre nga panelet diellore të botës, raporton abcnews.al
Shumica e vendeve afrikane janë në një fazë më të hershme të zhvillimit sesa Kina dhe për to rritja ekonomike nuk është luks, por mjet për të trajtuar urinë dhe vdekshmërinë foshnjore. Nuk do të jetë e lehtë të përsëritet urgjenca me të cilën vendet iu përgjigjën pandemisë.
Pavarësisht përmbytjeve dhe zjarreve, gjithmonë ekziston një tundim për politikanët që të shtyjnë vendimet e vështira me besimin se ata kanë më shumë kohë për të vepruar. Por as plani i investimit të Keir Starmer prej 30 miliardë paund nuk përputhet me shkallën e sfidës.
Mësimi nga e kaluara është se njerëzit mund të gjejnë zgjidhje për problemet në dukje të pazgjidhshme duke pasur parasysh stimujt e duhur. Vendosja e ekonomive në baza të luftës klimatike do të përshpejtonte ndryshimin teknologjik, duke përsëritur atë që ndodhi midis 1939 dhe 45.
Që kjo të ndodhë, duhet të ketë një lloj tjetër ekonomie politike, të bazuar në taksimin ndaj ndotjes dhe jo vendet e punës, investimet në inovacion dhe bashkëpunimin midis vendeve. Donald Trump kurrë nuk do të ishte bërë pjesë e një plani të tillë, por Joe Biden mundet.
Glasgow do të jetë një testim i vullnetit politik. Një shenjë e bashkëveprimit shumëpalësh do të ishin planet për një rritje të vazhdueshme të taksës së karbonit, heqja graduale e subvencioneve të karburantit fosil dhe emërtimi i gazrave serrë.
Pabarazia, si brenda ashtu edhe midis vendeve, mbetet pengesa më serioze për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe përparimi do të jetë më i ngadalshëm nëse nuk adresohet. Arkitektët e New Deal në vitet 1930 kuptuan se përgjigja ndaj ‘Depresionit të Madh” nuk kishte të bënte vetëm me shpenzimin e parave për punët publike dhe sigurimin e vendeve të punës për të papunët; por kishte të bënte me frenimin e Wall Street dhe vendosjes së taksave më të larta për të pasurit, raporton abcnews.al
Marrëveshja e Re ishte thjesht pjesë e një pakete që përfshinte punësimin masiv dhe vendimin e SHBA-së për të shmangur kërcënimin e komunizmit në Europën Perëndimore përmes mekanizmit të rishpërndarjes së ndihmës Marshall.
Përditësimi i Marrëveshjes së Re për epokën moderne kërkon një dimension të gjelbër. Nëse qeveritë duan që njerëzit të kalojnë nga kaldaja me gaz në pompat e nxehtësisë, ata do të duhet të paguajnë faturën.
Nëse duan që vendet e varfra të anashkalojnë fazën e karburantit fosil dhe të kalojnë në sistemet e energjisë bazuar në burimet e rinovueshme, atëherë nevojitet një version modern i planit Marshall.
Të rindërtosh “ gjelbër” do të thotë të ndërtosh përsëri por në mënyrë të drejtë.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al