Megjithëse është paralajmëruar rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi në qershor, ende nuk është gjetur pajtueshmëri për caktimin e datës dhe agjendës së diskutimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se çdo fazë e re e dialogut duhet të ketë një dakordim paraprak për agjendën dhe pikat e diskutimit. Ndërkohë, BE-ja si ndërmjetëse e dialogut, thotë se data dhe agjenda do të kumtohet në kohën e përshtatshme.
Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti e ka bërë të qartë gatishmërinë e tij për një takim në muajin qershor, mirëpo duhet të ketë një pajtueshmëri paraprake për agjendën dhe pikat e diskutimit.
“Duhet ta kemi parasysh se për çdo fazë të re të dialogut duhet të ketë një dakordim paraprak mbi agjendën dhe pikat e diskutimit. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë gatishmërinë e tij për një takim gjatë muajit qershor, kurdo që përcaktohet përfundimisht do të bëhet publike dhe komunikojmë me ju”, thotë ai.
Mungesën e një dakordimi për datën dhe agjendën e takimit të qershorit e ka konfirmuar për KosovaPress edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i cili thotë se të njëjtat do të shpallet në një kohë të përshtatshme.
“Jo – data dhe agjenda e takimit shpallet gjithmonë në kohë të përshtatshme”, ka thënë Stano për KosovaPress.
Ndërkohë, deputetja opozitare e AAK-së, Time Kadrijaj kërkon nga Qeveria Kurti platformë për dialogun. Sipas saj, në agjendën e takimeve dhe dialogun përgjithësi duhet të respektohen kufijtë e 17 shkurtit dhe organizimi i brendshëm i vendit.
“AAK kërkon që të ketë platformë të dialogut, dialog me parime. Kërkojmë të respektohet Kushtetuta e Kosovës, të respektohen kufijtë e 17 Shkurtit, të respektohet organizimi i brendshëm, përfshirja direkte e SHBA-së në dialog dhe dialogu të përfundojë me njohje reciproke”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.null
Lidhur me temat e diskutimit në takimin e qershorit, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se dialogu duhet të konceptualizohet në disa tema kryesore dhe jo të hapen tema teknike.
“Dialogu duhet të konceptualizohet rreth disa temave kryesore. Nuk kemi nevojë për secilën temë teknike të hapim tani me Serbinë, pasi ato mund të trajtohen pasi Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën dhe mund të trajtohen në bazë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Kështu që më mirë është të fokusohemi tek pjesët më të mëdha, siç janë personat e pagjetur, dëmet e luftës, integrimi i serbëve brenda sistemit kushtetuese dhe gjithmonë dhe e padiskutueshme duhet të jetë njohja reciproke me Serbinë. Pastaj si rezultat final diskutimet tjera teknike që janë diskutuar në të kaluarën mund të hyjnë në pjesën e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dyja shteteve”, thotë ai.
Tentativa për rifillimin e dialogut ka pasur edhe muajin e kaluar, mirëpo kryeministri Kurti kërkoi kohë nga BE-ja për t’u përgatitur dhe koordinuar me spektrin politik në vend, për çka edhe pritet të takohet javën e ardhshme me disa prej liderëve opozitarë.