Qeveria e Izraelit ka konfirmuar miratimin e vendimit për një armëpushim në Gaza. Në deklaratën e saj nuk njoftohet për kohën kur do të hyjë në fuqi armëpushimi. Qeveria izraelite thotë se armëpushimi u propozua nga Egjiptit dhe do të jetë “i pakushtëzuar”. Një zyrtar i grupit militant Hamas i tha agjencisë Reuters se Izraeli dhe Hamasi do të fillojnë armëpushimin “e ndërsjellë dhe të njëkohshëm” të premten në orën 2 të mëngjesit. Si Izraeli ashtu edhe Hamasi janë përballur me presion ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve. Të enjten më shumë se 100 sulme ajrore izraelite shënjestruan infrastrukturën e Hamasit në veri të Gazës. Hamasi u hakmor duke shkrepur raketa në drejtim të Izraelit. Luftimet në Gaza filluan më 10 maj pas disa javësh të rritjes së tensioneve izraelito-palestineze në Jerusalem. Gjatë 11 ditë të luftimeve janë vrarë të paktën 232 persona në Gaza dhe 12 në Izrael. Më 19 maj, presidenti amerikan Joe Biden i ka thënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se pret “ulje të tensioneve” mirëpo Netanyahu është përgjigjur se është i vendosur të vazhdojë ofensivën ushtarake derisa të kthehet qetësia dhe siguria për popullin e Izraelit. Si erdhi deri te përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Gaza? Prej nisjes së Muajit të shenjtë të Ramazanit, në mesin e muajit prill, palestinezët janë përballur gati çdo natë me policinë izraelite në Jerusalemin Lindor, e cila kishte vendosur kufizime për organizime në mbrëmje në zonën e vjetër të qytetit. Palestinezët kanë thënë se kufizimet kanë pasur synim bllokimin e organizimeve të tyre. Policia ka thënë se ka pasur qëllim të ruajë rendin. Tensionet kanë qenë të larta edhe për shkak të një rasti ligjor, që mund të rezultojë me dëbim të shumë familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre, ashtu që hebrenjtë – me përkrahje të gjykatës izraelite – të mund të banojnë aty. Dhuna është përhapur shpejt në zonën e vjetër të qytetit, ku gjendet xhamia Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, njëherësh hapësira më e ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez. Qindra palestinezë janë plagosur në luftimet me policinë në dhe rreth pjesës së vjetër të qytetit, në kohën e fundit. Grupi militant Hamas që udhëheq me Gazën, të cilin Izraeli, BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë terrorist, filloi të qëllonte me raketa, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse nga forcat izraelite. Si politika, ashtu edhe historia dhe feja, e vendosin Jerusalemin në qendër të konfliktit të zgjeruar izraelito-palestinez. Në zemër të qytetit të vjetër të Jerusalemit gjendet maja, e cila nga hebrenjtë në gjithë botën njihet si Mali i Tempullit – vendi më i shenjtë për ta – dhe për myslimanët si vendi i shenjtë fisnik. Aty gjendej shtëpia e tempujve hebrenj të antikitetit. Tani aty janë dy vende të shenjta, Kupola e Shkëmbit dhe Xhamia Al-Aksa. Të krishterët po ashtu nderojnë këtë qytet dhe e konsiderojnë të shenjtë, pasi besojnë se Krishti është lutur, ka vdekur dhe është ringjallur. Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen. Ankesimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht.
/rel/