1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rama: Turqia është kyçe për sigurinë e BE-së

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën vjetore “State of the Union” organizuar në Firence, Itali, me temë “Evropa në një botë që po ndryshon”, tha se Turqia është themelore për sigurinë e sigurimin e Bashkimit Evropian dhe sipas tij, për këtë nuk ka aspak dyshim.

Kryeministri Rama ishte i ftuar në panelin me temë “Mbi fuqinë e butë të Bashkimit Evropian”, ku ai foli për disa çështje, përfshirë edhe Turqinë.

“Historia e marrëdhënieve është tejet e gjatë dhe e ndërlikuar, por, nga ana tjetër, nuk ka dyshim që Turqia është kyçe në sigurinë dhe sigurimin e BE-së dhe BE-ja është kyç për një Turqi më të fortë. Kur vjen fjala për rajonin e për Shqipërinë, më duhet ta bëj shumë të qartë që kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë, është marrëdhënie tradicionale. Për ne, Turqia është partner strategjik“, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha më tej se “Marrëdhënia jonë me Presidentin Erdoğan është e shkëlqyer, por dua ta bëj shumë të qartë, nuk ka asnjë shenjë, jo më fakt, por asnjë shenjë të asaj çfarë kanë pretenduar dhe duan të pretendojnë disa burime se Presidenti Erdoğan dhe Turqia po ushtrojnë në Shqipëri apo në rajon. Ndonjëherë zemërohem kur shoh e kur lexoj lajme të rreme për xhami që ndërtohen në Shqipëri për të ushtruar këtë lloj ndikimi apo çfarëdo gjëje tjetër. Nuk është e vërtetë”.

Rama ka shtuar se kur bëhet fjala për xhamitë, janë shumë mirënjohës për të gjithë projektin e restaurimeve të zonave të trashëgimisë historike, “qofshin këto xhami, kisha apo vende të tjera të shenjta, ku mes të tjerëve, Bashkimit Evropian, donatorëve të ndryshëm, kemi pasur edhe kontributin e palës turke. Kjo është e gjitha”.

“Gjëja tjetër është xhamia e Tiranës, ku kanë kontribuar për komunitetin mysliman. Pasi kishim një katedrale të madhe ortodokse, një katedrale të madhe katolike dhe mungonte xhamia e madhe dhe Komuniteti Mysliman Turk kontribuoi për këtë. Kështu që nuk shoh në asnjë lloj mënyre diçka të tillë”, tha Rama.

Ai theksoi se “Kemi për shembull, çështjen e demarkimit detar me Greqinë, një çështje që hyn në kategorinë e problemeve që lidhen me Turqinë e Greqinë, por në asnjë moment, asnjëherë nuk kemi pasur asnjë shtysë e asnjë ndikim nga pala turke për të bërë diçka në këtë drejtim. Ne jemi krejt të pavarur, të lirë e nuk kemi aspak të bëjmë me këtë”.

Rama ndër të tjera tha se Bashkimi Evropian ka nevojë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Ballkanin Perëndimor, sipas tij, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në. (Anadolu Agency – AA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit