AGIM BAÇI
Kryeministri Rama iu rikthye sërish metaforës së tij me timon, duke i kërkuar shqiptarëve që të hipin sërish në të njëjtin “urban” elektoral ku udhëtuan edhe katër vitet e fundit. Rama përdori si justifikim në këtë ofertë për shqiptarët rrugëtimin që duhej të bëjë edhe për katër vite më shumë pa LSI-në “në prehërin e socialistëve”.
Madje, ai i konsideroi mbështetësit e Metës dhe Kryemadhit “gjë”, duke shënuar kështu edhe nisjen e sulmit më frontal ndaj një force politike që shihet si pjesa që do t’i japë opozitës së sotme pushtetin. Në fakt, frika e tij është e drejtë. LSI ka treguar se ka qenë vendimtare për krijimin e qeverive, të paktën në vitin 2009 dhe 2013. Ndërkohë që në vitin 2017 z.
Rama zgjodhi një “forcë tjetër politike” për koalicion– “partinë e Niçes”, duke tentuar të vijë në pushtet me të fortët dhe më një grup biznesmenësh të emëruar prej tij si të tillë apo të mbështetur hapur përmes parave publike të cilat ai tashmë nuk I fsheh aspak as duke bërë ligje të posaçme për ta.
E vërteta është se deri në vitin 2017, qeverisja e z. Rama mund të jetë përfolur për korrupsion. Ndërsa pas vitit 2017, qeveria e z. Rama përflitet jo vetëm për korrupsion (mjafton të lexojmë edhe raportet e nderkombëtarëve ne perceptimin për korrupsonin dhe zbatimin e ligjit).
Më shumë se gjithçka mbi qeverisjen e tij fliet për një lidhje të drejtëpërdrejtë me botën e krimit, duke krijuar ndoshta qeverinë më të frikësuar ndaj “të fortëve”, apo qeverinë më të dhënë ndaj banadave që pas vitit 1997. Këtë e tregoi edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan “Ditën e Verës”, kur socialistët tradicionalë dhe veteraët, ishin zëvendësuar me “të fortët” të cilët z. Rama nuk i fsheh më nga publiku edhe kur ata rrafin apo nxjerrin armët në mes të qyteteve.
Sepse ata nuk janë më klientë që thirren apo largohen kur dëshiron z. Rama. Jo, ai e ka humbur këtë shans për t’i thirrur kur dëshiron ai, pasi ata tashmë janë partnerë me të në pushtet, ndaj dhe ndihen pjesmarrës në këtë fushatë po aq edhe sa vetë z. Rama.
Ky ndryshim i madh duhet të na alarmojë më shumë se kushdo, pasi kemi të bëjmë me një shofer që ka zgjedhur greminën si destinacion. Heqja e “patentës qeverisëse” me 25 Prill mund të jetë një shans i vogël për ta shpëtuar edhe vetë Ramën nga qorrsokaku ku e ka futur kjo dëshirë kaq e hapur e tij për çdo pushtet, duke humbur kontrollin mbi ata që dikur i ftoi ta ndihmonin për të marrë pushtetin. Ai vetë nuk ka fuqi më t’i largojë, por ne mundemi.
Nuk ka pse të kërkojmë nga Rama që të ndëshkojë të korruptuarit në katër vitet e ardhshme.
Nëse do kishte dashur, do i kishte bërë në këto katër vite, meqenëse juftifikohet se në katër vitet e para të qeverisjes nuk e la LSI. Mosndëshikimi i të korruptuarve të mëparshëm ka vetëm dy versione logjike- ose kemi të bëjmë me një paaftësi të gjithanshme për të bërë drejtësi, ose, e dyta, për një bashkëpunim të hapur me të keqen, me të korruptuarit – e në të dyja rastet Rama, me superpushtetin që ka, nuk mund të juftifikohet, pasi si pjesmarrja në korrupsion e krim, ashtu edhe paaftësia, duhen ndëshkuar njëlloj.
Por për të shmangur gjykimin popullor përmes një votimi racional, duket se Rama ka zgjedhur që në një krah të rikthejë premtimet e vjetra të vitit 2017 , si ajo e furnizimit me ujë 24 orë, dhe nga ana tjetër të premtojë edhe “plot aeroporte e porte në çdo qytet, me apo pa det”. Padyshim që vetëm budalla z. Rama nuk është me këtë lloj oratorie të sjelljes së ujit dhe fluturimit pa fund të shqiptarëve.
Ai qartësisht kërkon ndoshta që të nervozojë çdo shqiptar, me qëllimin që të shkojmë drejt ditës së votime pa asnjë arsyetim, pa asnjë kërkesë llogarie, pa asnjë bilanc për premtimet që ai bëri tetë vite apo katër vite më parë.
Ai kërkon thjesht t’i ndajë mes dashurisë dhe urrejtjes, duke besuar se ka më shumë militantë se opozita. Për të çdo i pavendosur është i tepërt në këtë betejë pasi do t’i prishë balancat që ka menduar, ndaj dhe me çdo kusht ai këkron t’i largojë ta pevendosurit nga votimi, nga vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai shpreson të mbajë deri më 25 Prill një luftë e hapur vetëm brenda militantëve. Dhe ka frikë se LSI do të bëhet një urë për të pakënaqurit e majtë me të, ndaj këkron ta zhysë sa më shumë LSI-në në një mbijetesë, që të trembë votuesit që ka apo që po i bashkohen në çdo qytet.
Por, a mundet dhe, për me tepër, a duhet, që ne të votojmë thjesht edhe kur jemi përballë llogaridhënies së gjithanshme, përmes mungesës së arsyetimit ndaj qeverisjes në këto tetë vite, siç na ofron kryeminstri Rama?
A mundet që t’i besojmë në një rrugë plot kthesa një njeriu që kërkon të ecë vetëm me instikt, pa arsye, pra, pa hapur sytë edhe kur ne i thërrasim se jemi drejt greminës?
Justifikimi i Ramës “ne jemi më të besueshmit, ndaj na besoni sërish”, janë fiks si ato premtimet e atij burrit që e rreh gruan, dhe kur e sheh se ajo do të ikë nga shtëpia, ai nis t’i thotë se “vërtet unë të rrah, por burrat e tjerë janë edhe më të këqinj, ndaj rri me mua”.
Një teori kjo që thuajse nuk ka gjasa të jetë e efktshme edhe pas tetë vitesh, kur Rama ka qeverisur vetëm me “sektin e tij rilindas” pa i dhënë llogari askujt dhe duke bërë gjithçka sipas vendimeve të tij personale, madje duke shpërfillur edhe vetë PS-në.