VEHAP KOLA
Më shumë se 28 vite të marra së bashku” është një shprehje propagandistike e Edi Ramës (filloi ta përdorte në vitin 2018), me të cilën synonte të krijonte përshtypjen e rreme se çdo gjë që bënte qeveria e tij në një vit ishte më e madhe se ajo që ishte bërë gjithsej në 28 vite tranzicion.
Shprehja është përshtatur nga teza revolucionare e vitit zero, ku udhëheqësi i madh, pasi rrëzon të vjetrën, mbi rrënojat e saj themelon të renë dhe nis gjithçka nga e para. Pra, për Ramën dhe propagandën e tij, hapat që ka hedhur Shqipëria përpara se ai të vinte në pushtet ishin një çikërrimë përpara punëve madhështore që ai u thotë njerëzve se po bën për këtë vend.
Në disa rrafshe, Rama ka thyer jo rekorde 30-vjeçare, por edhe shekullore, si në prodhimin e kanabisit, futjen e kriminelëve dhe apo mafiozëve në Parlament e zyrat e shtetit, borxhi i jashtëm që ka marrë apo shpërdorimi i buxhetit (7.2 miliardë euro në 7 vite). Megjithatë, nuk janë këto “arritje” që ai u përmend shqiptarëve, kur rreh gjoksin se po bën e do të bëjë më shumë se në 30 vite të marra së bashku. Ai e ka fjalën për sukseset imagjinare në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ekonomi, integrim e politikë të jashtme.
Rasti i fundit ishte vizita e tij e para dy ditëve në Turqi, ku përsëri Rama nuk zhgënjeu kur enturazhi i tij i propagandës u mundua ta shiste për publikun si një pritje më madhështore se çdo pritje tjetër e udhëheqësve të vendeve të mëdha. Ndonëse ajo pritje u bëhet pothuajse të gjithë liderëve botërore në Ankara dhe kjo mund të verifikohet lehtë me një kërkim të shpejtë në internet, Rama po përpiqet ta projektojë veten si shahist i nivelit ndërkombëtar, të cilit i rri ngushtë kostumi i menaxherit të punëve të një vendi të vogël si Shqipëria.
Nga pikëpamja politike dhe ekonomike, vizita nuk ka regjistruar asnjë arritje të veçantë. Presidenti Erdoðan i përmendi Ramës mundësinë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të helmohen nga mungesa e një qëndrimi të qartë të këtij të fundit në lidhje me konfliktin ndërmjet Turqisë dhe lëvizjes së Fet’hullah Gylenit. Ai konsideron se turqit dhe shqiptarët janë popuj miq e vëllezër, si dhe premtoi që t’i bëjë popullit shqiptar një spital dhuratë, siç është angazhuar të ndërtojë 523 apartamente për familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Projekti e ngrirë i aeroportit të Vlorës nuk u përmend, ndërsa numri i kompanive turke në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm 5 vitet e fundit. Një pjesë e tyre janë zhvendosur në vendet e tjera për shkak të korrupsionit galopant dhe politikës fiskale jokonkurruese të qeverisë Rama prej 2013 e këtej. Një pjesë e investimeve të realizuara viteve të fundit nga kompanitë turke janë vazhdim i projekteve të nisura në kohën e qeverisjes së demokratëve ose rinovime licencash e lejesh minerare e energjetike.
Nevoja e makinerisë së propagandës së Edi Ramës për ta paraqitur këtë vizitë si një sukses i madh i paarritur më parë lidhet me 2 arsye thelbësore. E para është kolapsi i plotë ekonomik e social i Shqipërisë, ndërsa arsyeja e dytë është izolimi i plotë i Ramës nga Europa, ku shqiptarët synojnë të integrohen një ditë plotësisht.
Kolapsi i ekonomisë dhe shpopullimi, dështimi spektakolar me menaxhimin e pandemisë dhe ndihma e vogël që i ka dhënë ekonomisë, e ka bërë edhe më të vështirë zgjedhjen e Ramës për një mandat tjetër. Ai dhe qeveria e tij janë bërë gjithnjë e më arrogantë. Më shumë se kudo, kjo arrogancë dhe përçmim për vështirësitë elementare të qytetarëve shfaqet në paraqitjet propagandistike të Ramës për të dorëzuar ndonjë shtëpi apo për të inspektuar projekte publike të nisura prej vitesh e të ngecura larg përfundimit.
Izolimi europian i Ramës është i qartë prej kohësh. Shqipërisë, ndryshe nga Maqedonia, nuk i është dhënë një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare, që do të shënonte edhe fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Projekti i përbashkët Rama-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u kundërshtua dhe u pengua me ndërhyrjen energjike të Gjermanisë. Pushteti në Tiranë ka shkelur marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur me garancinë e Zyrës së Delegacionit Europian, duke zhbërë edhe të vetmin kusht të hapjes së negociatave, që u përmbush për një moment.
Tani, Shqipëria ka përpara një numër të madh kushtesh për të përmbushur dhe është përtej imagjinatës që ajo t’ia dalë deri në zgjedhje, sepse disa prej tyre, si dënimi i krimit zgjedhor dhe Reforma Zgjedhore konsensuale, janë shkelur tashmë. E vetmja gjë që mund të bëjë Rama për të kompensuar këtë hendek në një prej çështjeve më kritike për interesin publik, është ta mbushë atë me mallra false.
Kështu, kur atë nuk e pret më Merkel apo Makron, ai stis një teori të stërpërdorur për të ashtuquajturin rol të tijin në pajtimin e Turqisë me Greqinë. Ndërkohë që Rama nuk është në gjendje as të mbrojë interesin e Shqipërisë në çështjen e kufirit detar, në pikturën e tij propagandistike ai orvatët të na shfaqet si një paqebërës i denjë për punë të mëdha. Pasi ka ngritur me shumë potere një komision negociatorësh me Greqinë për të zgjidhur problemin e kufirit detar, ai nuk ka asgjë për t’u thënë shqiptarëve për performancën e këtij komisioni. Çuditërisht, paska shumë për të thënë për rolin e tij të ri, atë të pajtimit të dy popujve gjeostrategjikisht rivalë.
Siç duket, Ramës nuk i ka mbetur asnjë gur tjetër për të lëvizur deri në zgjedhje. Ai do të bëjë çdo gjë për të argëtuar vëmendjen e publikut me tema dhe ngjarje që nuk kanë asnjë lidhje me performancën e qeverisë së tij, me ekonominë, punësimin, varfërinë, shëndetësinë dhe arsimin. E gjithë kjo është përpjekje për të frenuar sadopak tatëpjetën e kuotave të tij publike deri sa të vijë momenti që të provojë të gjitha format e manipulimit dhe blerjes së votës, ndërsa përmbyt debatin publik me pisllëk.
Turqia dhe Presidenti Erdoðan kanë qenë gjithnjë afër dhe mbështetës për Shqipërinë dhe interesat shqiptare në rajon. Dallimin e bën nevoja e madhe e Ramës për suksese imagjinare në fusha ku ai nuk ka nevojë të investojë paratë që u ka ndarë inceneratorëve dhe PPP-ve. Në këtë drejtim, po, është e vërtetë, një Kryeministër shqiptar është duke bërë propagandë boshe më shumë se 28 vjet të marra së bashku.