8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Dehrijunët – RUDIAN ZEKTHI 

Më të lexuarat

RUDIAN ZEKTHI

I. Festimet për Vitin e Ri shoqërohen çdo vit në mesin e besimtarëve myslimanë me debatin nëse kjo festë përputhet apo jo me doktrinën e besimit islam. Dhe varësisht nga qëndrimi që mbron një palë a tjetër mes myslimanëve, derivon edhe refuzimi apo rehabilitimi, apo (me të rrallë) kooptimi i kësaj feste prej këtyre palëve në debat. Mua më duket se e di se si pohimi publik nga njëri prej myslimanëve, i kësaj divergjence dhe e këtij disponimi refuzues ndaj Vitit të Ri, e ka të gatshëm etiketimin si skandal nga pjesa e tjetër e shoqërisë shqiptare, por normimi i tillë si skandal, në fakt, është një nulitet: (parimisht skandal do të ishte e kundërta) duke qenë se çdo feste i korrespondon një shenjtëri paraprake apo një shenjtërim pasardhës, myslimanët me shenjtëri të përcaktuar qartë dhe të kodifikuar në mënyrë shteruese, nuk mund të mos e vërejnë këtë kapacitet shenjtërues të Vitit të Ri dhe nuk mund të mos diskutojnë rreth këtij argumenti.

Në fakt, në vazhdim do të mundohemi të tregojmë diçka tjetër: dobinë që mund të ketë shoqëria shqiptare nga ky debat i bërë nga një grup përbërës i kësaj shoqërie. Madje, dobia për myslimanët si grup është më e paktë, sepse për ta ky debat është i agreguar mes debateve të natyrshme që si grup zhvillojmë në mënyrë konstante gjatë ballafaqimit të shenjtërive islame me kulturën, në të cilën jetojmë; kurse dobia që mund të përfitojë mbarë shoqëria nga parashtrimi i termave të këtij debati, është e pallogaritshme duke pasur parasysh që kjo është festa kryesore e kësaj shoqërie dhe festa kryesore si rregull është një legjitimes kryesor (sidomos në rrafshin simbolik) i botëkuptimit, mbi të cilën themelohet ajo shoqëri.

Në të vërtetë, ky debat mes myslimaneve, në thelb, është i pavend që në parim, sepse pa dyshim që çdo festë është shprehje e kanonizuar e një vizioni, e një mënyre të të kuptuarit të botës dhe për pasojë pranimi apo mospranimi i një feste ka të bëjë drejtpërdrejt me pranimin apo mospranimin e botëkuptimit dhe kulturës që kjo festë i përket. Dhe, në një pragmatikë tjetër, fjala vjen, nëse do të bëhej fjalë për një festë periferike të dorës së dytë, apo për një festë të barabartë mes festave te tjera, apo nëse nuk do të ishin nën presionin kulturor të elitave politike dhe mediatike, për myslimanët do të ishte kollaj (pra, nuk do të kishte nevojë për debat) për të konfirmuar se kjo festë jo thjesht interferon, por bie ndesh me themelet e botëkuptimit islam. Sepse, sipas bazave doktrinare të kësaj feje, çdo festë e pakanonizuar nga Islami, së paku interferon te festat islame përmes ristrukturimit të marrëdhënieve të besimtarëve me mundësi joislame shenjtërimi. Thelbi i festës qëndron te natyra e saj përsëritëse-ciklike, që e bën festimin e saj (pra, shënjimin dhe veçimin e saj me praktika speciale përkujtimi) një procedurë ritualizuese. Kurse ritualizimi, për nga natyra e tij, bën të mundshme që realiteti i së përditshmes-imanenca të fitojë vlerë dhe rëndësi përmes induktimit tek ai të një realiteti tjetër superior, shprehje e transcendencës. Për shembull, 8 Marsi, Festa e Nënës, në thelb bëhet një festë e vërtetë (jo false) për aq sa festuesit e saj te nënat e tyre projektojnë aurën e një nëne pavetore apo universale, një lloj arketipi i nënës që e përfton shenjtërinë e vet me identifikimin e mëmësisë si burim-zanafillë e jetës. Ngjashëm, 7 Marsi, përmes përfshirjes së figurës së çdo mësuesi brenda arketipit transcendental të mësuesit, i jep të shijojë çdo mësuesi (edhe sharlatanëve) përshtypjen se është pa dyshim i rëndësishëm (shenjtëria në këtë rast përftohet nga identifikimi i mësuesit me figurën e Profetit apo Mjeshtrit, atij që u zbulon dishepujve apo shoqërisë të vërtetën). Pra, është përmes kapacitetit të saj ritualizues, që një festë i jep një rëndësi të pamat realitetit të përditshëm të njerëzve, duke e pasuruar këtë përditshmëri me një vlerë absolute, tjetërlloj të pamundshme. Duke shërbyer si një nyjë mes imanentes dhe transcendencës, çdo festë në vetvete ka natyrë të pastër fetare; dhe për sa nuk ka dyshim për këtë, çështja nuk është sesi duhet të sillemi ndaj festave të njëri-tjetrit (kjo është një çështje e zgjidhshme, në mos e zgjidhur), por çështja është tek identifikimi i shenjtërisë prej së cilës buron (dhe drejt së cilës transhendon festuesit e vet) festa. Pra, çështja është që si shoqëri ne nuk e kemi treguar këtë lidhje gjenetike mes festave dhe botëkuptimit dhe as e kemi hartuar atlasin e shenjtërive që na transhendon secila festë.

II Me termat e hyrjes së këtij shkrimi, çështja, pra, nuk është a duhet apo jo myslimanët ta festojnë Vitin e Ri (afërmendsh jo, sepse është festë që shenjtëron diçka të ndryshme prej fesë islame), por çështja është cila është shenjtëria, përmes së cilës kjo festë transhendon-shkëput nga rëndomtësia e realitetit të përditshëm festuesit e saj (praktikisht shumicën dërrmuese të shoqërisë shqiptare). Përpjekja për ta identifikuar këtë shenjtëri nuk është e lehtë, pasi kjo festë, festa më popullore në këtë vend (në fakt, Kryefesta) është festë pa ligjërim dhe ligjërues, paradoksalisht një festë pa tekst. Fakti që është pa tekst, çel dy shtigje: a. ose është festë pa kuptim (që do të ishte një skandalnë fakt, kështu mundet të jetë vetëm një skandal: festa kryesore legjitimuese në rrafshin simbolik, e një shoqërie, të jetë e pakuptimtë, pra, është një festë që nuk dihet se çfarë feston. Thënë ndryshe, është një festë që feston veten); b. ose ka kuptim, por ky është implicit, qarkullon pa qenë e nevojshme të artikulohet. E duke qenë Viti i Ri një festë për kohën, atëherë nëse ka kuptim si festë, duhet të jetë e lidhur me kuptimin që shoqëria që e feston ka për kohën. Përgjigjja e parë që mund të vinte menjëherë është që kjo festë feston rrjedhshmërinë e kohës, pandalshmërinë e saj, përmes së cilës çdo gjë shkon drejt kulmit dhe drejt fundit të vet. Nëse është kështu, atëherë Viti i Ri do të kishte kuptim si festë e fëmijëve dhe jo e burrave dhe grave të kësaj shoqërie, sepse vetëm ata (fëmijët) mund të festojnë rritjen e mundësive për të mbërritur kulmin e tyre. Por, kështu siç është, mund të ishte edhe festë e burrave dhe e grave, pra të rriturve, vetëm me një klauzolë (me një implikim të pallogaritshëm botëkuptimor), pra, nëse këta të rritur besojnë te një doktrinë e evolucionizmit universal (sipas premisave të iluminizmit dhe pozitivizmit), pra, besojnë se të gjitha gjërat janë të programuara të përmirësohen dhe përsosen përmes rrugëtimit të tyre në kohë, dhe, për pasojë, sa më shumë që kalon koha, aq më pranë përsosmërisë dhe së vërtetës gjendemi (dhe nëse kjo mbërrihet, atëherë mbase dhe shkatërrimi apo fundi mund të parandalohen).

Kjo është një çështje shumë e diskutuar këtë shekull të fundit, pra, nëse shoqëria njerëzore po shkon drejt përsosmërisë apo drejt degradimit dhe nuk është gati këtu të shqyrtojmë tezat e njërës palë apo tjetrës, por po mjaftohemi vetëm duke deklaruar se ne besojmë saktësisht të kundërtën, që historia (e cila pa dyshim strukturohet përmes cikleve dhe jo në mënyrë lineare) nuk arrin dot ta ndalë degradimin njerëzor dhe për pasojë nuk mund të shpresohet te një përsosmëri e projektuar në një të ardhme të patrajtë. Cilitdo që besojnë te koha si rregulluese absolute e gjërave, le ta besojnë, por vetëm se duhet të dinë (ata që nuk e dinë) se kjo bie ndesh me të vërtetën e dy feve të mëdha të këtij vendi (Islamit dhe Krishterimit), që shpallin se kjo botë do të ketë një Ditë të Fundit, e cila vjen pasi e keqja të ketë dominuar tërësisht njerëzimin. (Tani kuptohet më qartë një nga afermacionet tona të para në këtë shkrim, që për besimtarët kjo është një çështje kollaj e zgjidhshme, pra, sepse ata nuk mund të festojnë një festë që thotë pikërisht të kundërtën e doktrinës, tek e cila besojnë). Gjithsesi, atyre që thonë se e besojnë këtë kapacitet rregullator të kohës, duam t’u shtimë në mendje dyshimin e arsyeshëm: a besojnë paraprakisht te kjo vlerë e kohës dhe pastaj në mënyrë të natyrshme përmes shenjtërisë së saj kanë kanonizuar Vitin e Ri si kryefestë, apo festimi për inerci i Vitit të Ri i ka çuar në mënyrë të pavetëdijshme drejt këtij kuptimi për kohën?

Por, ka edhe një mundësi tjetër për t’i dhënë kuptim kësaj feste, e cila do të ishte që festuesit e saj, në thelb, nuk besojnë te ky projekt përmirësimi pavetor (pasi e dinë që gjërat në rendin moral dhe shpirtëror, ose mbesin në vend ose përkeqësohen, ose përmirësohen me cikle të shkurtra, aq sa për të ripërtërirë standardet), por besojnë se duke mbijetuar, duke ushtruar pa ndërprerje durimin gjatë përvojave negative, herë pas here mund të shpresojnë lehtësim të mundimit, dhimbjes, pasigurisë, pakënaqësisë, dështimit. Këtë kuptimësi e sugjerojnë të vetmet tekste në protokollin e kësaj feste, pra, urimet dhe dollitë që e shoqërojnë atë, të cilat luten për mbarësi, për qetësi, për siguri. Në këtë rast, festa e përfton shenjtërinë duke e identifikuar Vitin (apo Kohën) si shpërndarësin e Mirësisë dhe Begatisë, apo si garantuesin e Fatit të Mirë. Nëse është kështu (dhe ky kuptim i dytë ka më shumë të ngjarë të qarkullojë në mënyrë implicite mes festuesve të kësaj feste), atëherë festuesit e tillë duhet të jenë të qartë se kjo shenjtëri është e huazuar nga shenjtëria e Zotit si Krijues Absolut i çdo gjëje dhe në rastin më të mirë e zhurmon dhe dëmton marrëdhëniet e krijesave me krijuesin, kurse në rastin më të keq e shkatërron këtë marrëdhënie, duke marrë për garantues të Fatit të Mirë, jo më Zotin, por diçka tjetër, të ndryshme nga Ai.

III. Dhe ky zëvendësim jo thjesht është potencialisht i mundshëm, por është i pashmangshëm: historia e njerëzimit, në thelb është histori e intensitetit herë më të ulët e herë më të lartë e prirjes së njerëzve për ta zëvendësuar Zotin e vërtetë me zota të rremë. Në Kuran, në Suren Xhathije, Zoti thotë: “Ata edhe thanë, nuk ka tjetër përveçse kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindim dhe asgjë tjetër nuk na shkatërron përveç kohës; ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë”. (I transliteruar në alfabetin latin, ja sesi tingëllon ky ajet: “Ue kalu ma hije i la hajatuna dunja temutu ue nahje ue ma juhlikuna i la dehru, ue ma lehum dhalike min el ilmi,in hum i la jedhunun”). Kuran 45,24. Dhe fill më poshtë në Ajetin 26: “Thuaj: Allahu juve ju jep jetën dhe ju bën të vdisni (dhe jo koha); mandej do t’ju tubojë në Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk dinë (për fuqinë e Zotit)”.

Nisur nga ky ajet, njerëzit të cilët besojnë se s’ka asgjë tjetër që përcakton fatin e gjërave përveç Kohës, në literaturën islame quhen njerëzit e Kohës, në arabisht me një term të vetëm: Dehrijunët (nisur nga fjala Dehru, e përmendur në këtë ajet, që në arabisht është një nga fjalët që emërton Kohën), nuk e dimë se sa të shumtë kanë qenë dehrijunët në historinë e njerëzimit, por ajo që dimë me siguri është që në kohën tonë masa e tyre është e stërmadhe (festimi masiv i dy festave të kohës, Viti Ri dhe ditëlindjet, është një shenjë e mjaftueshme e dominimit të tyre) dhe, për pasojë, masa e tyre që e kanë zëvendësuar Zotin e vërtetë me zota të rremë, është po ashtu e stërmadhe. Po ashtu, ne nuk e dimë se sa janë mes kësaj shumice ata që janë të pavetëdijshëm për këtë zëvendësim të Zotit dhe sa janë të vetëdijshëm (megjithëse besojmë se më shumë janë të pavetëdijshmit), por ky shkrim modestisht sugjeron se mbart përgjigje për të dyja palët: atyre që janë të pavetëdijshëm duke u kujtuar që nuk mund të heqin dorë nga Krijuesi vetëm prej presionit apo inercisë së praktikave sociale dhe kulturore që u ofron epoka e tyre, kurse atyre që janë të vetëdijshëm duke u dhënë qartësinë për bazat e doktrinës së tyre, të cilën duhet të jenë të përgatitur ta shpallin dhe mbrojnë në hapësirën publike përmes ligjëratave dhe teksteve, duke qenë të gatshëm ta ballafaqojnë me argumentet që myslimanët i zotërojnë si besimtarë te një fe e madhe e refuzimit të çfarëdo zëvendësimi të Zotit. Vetëm përmes këtij ballafaqimi mund të përfitojë mbarë shoqëria, duke kuptuar dhe njohur më mirë veten, tjetrin dhe të vërtetën. Një shoqëri që nuk diskuton pa ndërprerë për themelet e veta botëkuptimore, bie në vetëkënaqësi dhe amulli, është e prirur thjesht të mbijetojë, duke i humbur mundësitë e veta për t’u zhvilluar si një prej shoqërive më të mira.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit