6.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

4. Pse të pendohemi?

Më të lexuarat

Dhjetë pengesa në mes robit dhe Allahut

Robi i Allahut përballet me shumë pengesa, me të cilat nuk mund ta realizojë pendesën. Në këtë hytbe do të mundohemi, me lejen e Allahut t’i kujtojmë së bashku shtatë pengesat e shpjeguara në hytben e kaluar.

Pengesa e parë: Padituria për Allahun e Lartësuar

Pengesa e dytë: Bidati (risitë në fe)

Pengesa e tretë: Mëkatet e mëdha të brendshme

Pengesa e katërt: Gjynahet e vogla

Pengesa e pestë: Shirku (idhujtaria)

Pengesa e gjashtë: Mospërfillësit e Allahut

Pengesa e shtatë: Traditat, zakonet dhe imitimet

Atëherë, me lejen e Allahut, po vazhdojmë me pengesën e radhës.

Allahu im, ma bëj risk sinqeritetin në fjalë dhe vepra, të dukshme dhe të padukshme.

Të nderuar besimtarë!

Pengesa e tetë: Mëkatet e mëdha të jashtme

Këtu hyjnë vjedhja, alkooli dhe mëkatet e tjera të njohura.

Vëllezër! Duhet të kujtojmë edhe një gjë, se nuk ka më mëkate të vogla kur ato bëhen qëllimisht dhe vazhdimisht dhe nuk ka mëkate të mëdha kur kërkohet falje. Mëkati mund të jetë i vogël dhe të rritet dhe kjo ndodh në gjashtë raste.

  1. Bërja e mëkatit qëllimisht dhe vazhdimisht

Për shembull, një njeri shikon gratë, kurse syri bën zina duke shikuar. Ky lloj i zinasë është i vogël në krahasim me zinanë në vepër, por kur kjo bëhet qëllimisht dhe përsëritet, kjo vazhdimësi bëhet e madhe. Kur ai vazhdon të mos i ndajë sytë nga harami, mëkati i vogël bëhet i madh.

  1.  Mospërfillja e mëkatit

I thashë një ditë një duhanpirësit. -Ki frikë Allahun. Ti e di se duhani është haram. Je i shtyrë në moshë dhe ke shumë cilësi e po të mendosh, do të ishte mirë për ty. Të kanë ardhur shenjat lajmëruese të pleqërisë, po të tregon takimin e shpejtë me Allahun. Ke mjekër dhe njerëzit të konsiderojnë për model dhe je shembull për fe. Ti je i varfër. Sikur këto para t’i shpenzoje për atë që Allahu është i kënaqur. Të gjitha këto shkaqe duhet të të bindin për lënien e duhanit.

Ai më tha se është gjynah i vogël, duke e injoruar mëkatin. Allah, Allah! Sikur të mendonte për fjalën e thënë! Ajo është e vogël, ndoshta, por tek Allahu është e madhe. Po sikur fëmija juaj të gabojë dhe ta qortoni e ai t’ju përgjigjet me injorim se ishte një gabim i vogël, duke ju injoruar dhe mos ju përfillur? A do të zemëroheshit? A do të hidhëroheshit?

Kështu është edhe kur bëni mëkat. “Lëre se nuk bëhet asgjë! Nuk është kjo problem!”, shprehet duhanpirësi.

Keni parë, ai përgjigjet edhe kështu: -Unë jam më i mirë se ai që konsumon heroinën, drogën.

Por realiteti mund të jetë paksa më ndryshe. Ti nuk përdor drogë sepse ndoshta ke frikë për shëndetin tënd, ose sepse nuk ke para për ta blerë. Ndoshta nuk  përdor për shkak të rrethit ku jeton ose për shkak të familjes. Të gjitha këto janë të mundshme.

Po të ishe i sinqertë dhe i vendosur, do ta lije edhe duhanin për hir të Allahut të Lartësuar.

  1. Kënaqja me mëkatet

Keni parë se kur personi bën gjynah, ai kënaqet, gëzohet. Nuk mërzitet, nuk shqetësohet, përkundrazi, ndoshta bën edhe gara në mëkate.

Pasha Allahun! Kënaqja me gabimin është gabimi më i madh. Për çfarë po gëzohesh? Po gëzohesh që ke turpëruar vëllanë tënd, e ke mundur, e ke fyer, luftuar, injoruar, nënçmuar? A nuk ke dëgjuar për fjalën e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, kur thotë:

‏سِبَابُ الْمُسْلِمِ فُسُوقٌ وَقِتَالُهُ كُفْرٌ

“Ta fyesh muslimanin është mëkat, kurse ta luftosh atë është kufër (mosbesim).” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Vallë, mos po gëzohesh që ke mashtruar një vajzë. Mos po gëzohesh se arrite ta mashtrosh vëllanë tuaj, ta tradhtosh e t’ia publikosh të metat. Pse vëlla nuk po mendon për fjalën e Allahut:

إن الذين يحبون أن تشيع الفاحشة في الذين آمنوا لهم عذاب أليم

Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini. (Nur, 19)

Kujdes! Kënaqja me mëkatin është gabim më i madh se mëkati.

Për shembull, dikush planifikon t’ua marrë paratë njerëzve në emër të ndonjë projekti dhe e arrin këtë me mashtrime dhe premtime të rreme. Më pas i gëzuar dhe i vetëkënaqur thotë: “Ja, arrita t’ua marr paratë!”

Një tjetër gënjyen në një moment të vështirë për të shpëtuar, ndërsa më pas i vetëkënaqur thotë: “El-hamdu lilah, shpëtova.”

Edhe një herë, mos harro se mëkati bëhet i madh atëherë kur ti i gëzohesh atij.

  1. Mospërfillja e mbulimit të mëkatit nga Allahu

Allahu im, na i mbulo mëkatet e mos i zbulo, vazhdoje edhe më tej mbulimin e tyre!

Pasha Allahun, po të mos ishte mbulimi i Tij, njerëzit do të pështynin njëri-tjetrin në fytyrë.

Nëse e sheh që njerëzit po të respektojnë, dije këtë se kjo është dhuratë nga Allahu. Po ta dinin ata realitetin tënd, do të të gjuanin me gjithçka që kanë afër vetes. Falëndero Allahun, thuaj “el hamdu lilah”.

Kush nuk e përfill mbulesën e mëkateve nga Allahu i Gjithëmëshirshëm është injorant mospërfillës, nuk ua di vlerën dhuntive të Allahut.

Kujto kur një burrë deshi të bënte marrëdhënie me një grua dhe i tha asaj: “Tani nuk na sheh askush përveç këtyre yjeve.” Ajo i tha: “Po ku është Krijuesi i yjeve?!”

Një njeri i tha një gruaje kur u vetmua me të: ”I kam mbyllur të gjitha dyert.” Ajo i tha: “Po, i mbylle të gjitha dyert, përveç njërës, derën mes nesh dhe Allahut. Ajo nuk mbyllet.”

Allahu i mbulon mëkatet e njeriut, por ai e nënvlerëson këtë mirësi. O ti mëkatar, mos u siguro, se fundi mund të jetë i keq për shkak të nënvlerësimit, ky është mëkati i më i madh. Vallë a nuk ke turp prej atij që ke pranë, në të djathtë dhe në të majtë? Ti përsëri bën mëkat. Ti qesh, por nuk e di se ç’do të bëjë Allahu me ty. Nëse nuk mërzitesh për gjynahun, kjo është gjë serioze. Zemra jote nuk dridhet nga shikimi i Allahut!

  1. Publikimi i mëkatit

Njeriu e kalon natën në mëkat, Allahu ia mbulon atë. Në mëngjes ai e vetë e zbulon dhe tregon se çfarë ka bërë, kurse Allahu ia kishte mbuluar dhe nuk e ka turpëruar. I Dërguari i Allahut thotë:

‏كُلُّ أُمَّتِي مُعَافًى إِلَّا الْمُجَاهِرِينَ وَإِنَّ مِنْ الْمُجَاهَرَةِ أَنْ يَعْمَلَ الرَّجُلُ بِاللَّيْلِ عَمَلًا ثُمَّ يُصْبِحَ وَقَدْ سَتَرَهُ اللَّهُ عَلَيْهِ فَيَقُولَ يَا فُلَانُ عَمِلْتُ الْبَارِحَةَ كَذَا وَكَذَا وَقَدْ بَاتَ يَسْتُرُهُ رَبُّهُ وَيُصْبِحُ يَكْشِفُ سِتْرَ اللَّهِ عَنْهُ

“Të gjithë pasuesve të mi do t’u falen gjynahet, përveç atyre që i bëjnë botërisht ato. Këtu hyn edhe rasti kur njeriu bën gjynah natën, dhe ndonëse Allahu ia mbulon atë faj, ai del në mëngjes e thotë: “O filan, mbrëmë kam bërë kështu e ashtu.” Pra, ai e kalon natën duke qenë i mbuluar nga Zoti i tij, kurse në mëngjes e heq nga vetja mbulesën e Allahut.” (Transmeton Buahriu)

  1. Të qenët në pozitë udhëheqjeje dhe ndikimi

Drejtori i fabrikës, i shkollës, dekani i fakultetit, personaliteti publik e të tjerë e pinë duhanin publikisht, duke u bërë model për të tjerët në pirjen e duhanit. Kështu edhe të tjerët.

Vajza e re vesh pantallona të ngushta dhe kjo dukuri më pas merr përmasa të përgjithshme. Madje kjo është bërë normale edhe te shoqëria fetare, e udhëzuar. Dhe gradualisht gjërat e papëlqyera, edhe haramet, po veprohen normalisht. Këto të këqija veprohen dhe shkak për këto veprime janë njerëzit me ndikim, të cilët ndikojnë në shoqëri me praktikimin e ndonjë “tradite”, madje mund të jenë pjesëmarrës në mëkat. Kujto fjalët e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, i cili thotë:

‏مَنْ سَنَّ فِي الْإِسْلَامِ سُنَّةً حَسَنَةً فَلَهُ أَجْرُهَا وَأَجْرُ مَنْ عَمِلَ بِهَا بَعْدَهُ مِنْ غَيْرِ أَنْ يَنْقُصَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْءٌ وَمَنْ سَنَّ فِي الْإِسْلَامِ سُنَّةً سَيِّئَةً كَانَ عَلَيْهِ وِزْرُهَا وَوِزْرُ مَنْ عَمِلَ بِهَا مِنْ بَعْدِهِ مِنْ غَيْرِ أَنْ يَنْقُصَ مِنْ أَوْزَارِهِمْ شَيْءٌ

“Kush e përhap një traditë të mirë në Islam, do të ketë për të shpërblim edhe shpërblimin e atij që do ta veprojë pas tij dhe se shpërblimi i tij aspak nuk do të pakësohet. E kush përhap ndonjë traditë të keqe në Islam, do të ketë mëkat për të edhe mëkatin e atij që e pason pas tij dhe se mëkatet e tij aspak nuk do t’i zvogëlohen.” (Transmeton Muslimi)

Pengesa e nëntë: Kapërcimi i kufijve edhe në gjërat e lejuara

Është me rëndësi që kjo pikë të kuptohet drejt dhe me gjithë zemër. Me këtë rast nuk duhet kuptuar që bëhet haram hallalli. Larg saj! Por vërtet dhe sinqerisht për njërin nga ne barku mund të jetë pengesë mes nesh dhe Allahut. Pra, ngrënia hallall, pija hallall. I Dërguari i Allahut thotë:

‏ ‏مَا مَلَأَ آدَمِيٌّ وِعَاءً شَرًّا مِنْ بَطْنٍ

“Çfarë ka mbushur njeriu, vetëm se të keqen në barkun e tij.” (Transmeton Tirmidhiu)

Kur barku mbushet, mendimi fle, kurse gjymtyrët pushojnë.

Pengesë mes robit dhe Allahut janë edhe rrobat, kur njeriu është i dashuruar pas pamjes duke u marrë me rrobat. I thua shkurtoji pantallonat se i Dërguari i Allahut thotë:

ما أسفل الكعبين من الإزار ففي النار

“Ajo veshje e cila është nën zogun e këmbës do të jetë në zjarr.” (Transmeton Buhariu)

Ai thotë: “Unë turpërohem të vesh pantallona të shkurtuara.”

Edhe gjumi i tepërt mund të jetë pengesë mes njeriut dhe Allahut. Gjumi është i lejuar, por nuk duhet të flesh shumë dhe të mos ngrihesh natën për namaz vullnetar ose të mos e falësh namazin e sabahut. Dikush e fal sabahun dhe zgjohet vetëm pas namazit të ikindisë, duke humbur edhe namazin e drekës. E gjithë kjo vendos pengesa mes njeriut dhe Allahut.

Edhe martesa mund të jetë pengesë mes njeriut dhe Allahut. Pra, angazhimi i tepruar me gjërat e lejuara, hallall, zemra e preokupuar vazhdimisht mund të jenë pengesa që të largojnë nga Allahu.

E lus Allahun që mos ta lejojë pengesën mes nesh dhe Atij!

 

Pengesa e dhjetë: Largimi i vepruesve nga rruga në të cilin janë duke ecur he mosarritja e qëllimit

Kjo është pengesë për fetarët, “multezimat”, ata që janë udhëzuar. Njeriu e sheh veprën e vet dhe vepra ndikon dhe krijon pengesë mes tij dhe Allahut. E rëndësishme është që ai mos ta shikojë veprën, por të ecë duke vrojtuar të mirat dhe duke parë të metat e veta dhe të veprës së tij. Të mirat janë ato dhurata që Allahu ia mundësoi dhe e ndihmoi, por njeriu duhet të hulumtojë në veprimet e tij, pse nuk i ka kryer në formën e duhur.

Kur njeriu vetëkënaqet me veprën e vet, kjo është argument se ai krijon mendim të mirë për veten dhe neglizhon realitetin e robërisë dhe padijen për atë që Zoti kërkon prej tij. Duke qenë njeriu në këtë gjendje, fillon të rritet mendjemadhësia, vetëdashuria.

Të nderuar besimtarë!

Këto janë dhjetë pengesa mes njeriut dhe Allahut, secila më e rëndë se tjetra për zemrën.

O njeri! Bëhu besnik me Allahun, sinqerisht kthehu tek Ai, sepse vetëm kështu mund t’i largosh këto pengesa. Këto pengesa mund t’i largojë vetëm Allahu i Lartësuar.

Ibnul Kajjimi thotë: “Këto dhjetë pengesa mes zemrës dhe Allahut janë produkt i katër gjërave: nefsit, shejtanit, dynjasë dhe epshit.

Largimi i këtyre pengesave bëhet vetëm atëherë kur largohen këto katër elemente. Këto katër gjëra prishin fjalën dhe veprën, prishin qëllimin dhe rrugën. Gjithashtu pengojnë që fjala, vepra dhe qëllimi të shkojnë deri te zemra.

Nefsin luftoje me forcën e ihlasit.

Shejtanin luftoje duke kërkuar ndihmën e Allahut.

Dynjanë luftoje duke hequr dorë prej saj.

Epshin luftoje duke e kundërshtuar atë.

Kur t’i mundësh këto katër gjëra, pas një lufte të vazhdueshme, ke arritur që vepra të shkojë deri te zemra.

Allahu im, mundësoja zemrave tona mirësinë!

Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet).”(Enfal, 2-4)

Dëshirojmë që këto fjalë të arrijnë deri në zemër dhe të bëjnë dobi. Vetëm kështu Allahu është i kënaqur me ty.

Nuk duam që të ndodhë e kundërta, si me një njeri i cili e ka mësuar Kuranin, por nefsi e ka mundur dhe e ka bërë ushtarë të vetin. Ai mburret duke thënë ‘unë jam filani’, por mburrja, mendjemadhësia, vetëkënaqësia është injorim i të tjerëve.

Ibnul Kajjimi thotë: “E sheh dikë si një njeri adhurues shumë të madh, por prej Allahut është larg. Por ndonjë mëkatar i madh me mëkate të dukshme është me zemër më afër Allahut.”

Allahu im, të lutem me emrat e Tu të bukur dhe me cilësitë Tua të larta, largo çdo pengesë nga zemrat e robërve të Tu!

 

Ulvi Fejzullahu

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit