8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Llojet e zemrave në Kuran (1)

Më të lexuarat

Vëlla!

A ke provuar ta vësh dorën së paku një herë në zemër dhe të mendosh se si punon një copë mishi në trupin tënd, që peshon rreth 300 gramë, e cila quhet zemër, se si funksionon gjatë tërë kohës, duke mos pushuar asnjëherë?!

Në mënyrë automatike ajo vepron edhe kur ti je në gjumë edhe kur je zgjuar. Ajo e ndërron ritmin e veprimit sipas nevojave të trupit. Kështu vepron gjatë ditëve, muajve, viteve dhe deri në sekondën e fundit të jetës tënde në këtë botë. Asnjëherë nuk kërkon pushim, qoftë edhe vetëm për një çast.

Po sikur një ditë zemra të funksiononte në mënyrë mekanike dhe ky veprim të jetë i varur prej teje? Që ti ta vije në funksion vetë me dorën tënde? Çfarë do të ndodhte?!

Pa dyshim që përgjigjja është shumë e thjeshtë: do të kishe dështuar  në mirëmbajtjen e zemrës tënde dhe pas pak orësh do të kishe vdekur sepse do të përjetosh lodhje dhe do të kërkosh që të pushosh. Dhe zemra jote do të pushonte së rrahuri!

Pastaj ti ke nevojë për pushim, gjumë, nevoja të tjera të jetës. Po të ishe i lidhur vetëm me punën e zemrës, kur do të kishe mundësi të angazhoheshe për gjëra të  tjera?

I nderuar!

Allahu i Lartësuar nuk ta besoi zemrën tënde për të ta lënë në dorën sepse ti nuk ke mundësi të menaxhosh as edhe një organ, e lëre më organet e tjera, si ato të frymëmarrjes, veshkat, temperaturën e trupit, sistemin nervor, etj..

Mendo për mirësitë e panumërta! Allahu i Lartësuar thotë:

وَفِي أَنفُسِكُمْ أَفَلَا تُبْصِرُونَ

“…po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?” (Dharijat, 21)

وَإِن تَعُدُّواْ نِعْمَتَ اللّهِ لاَ تُحْصُوهَا

“Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” (Ibrahim, 34)

وَأَسْبَغَ عَلَيْكُمْ نِعَمَهُ ظَاهِرَةً وَبَاطِنَةً

“…dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme?” (Llukman, 20)

Të nderuar besimtarë!

Në trupin tonë është një copë mishi, për të cilën i Dërguari i Allahut thotë:

 أَلَا وَإِنَّ فِي الْجَسَدِ مُضْغَةً ‏ ‏إِذَا صَلَحَتْ صَلَحَ الْجَسَدُ كُلُّهُ وَإِذَا فَسَدَتْ فَسَدَ الْجَسَدُ كُلُّهُ أَلَا وَهِيَ الْقَلْبُ 

Me të vërtetë në trup ka një copë mishi, nëse ajo është e mirë, i tërë trupi është i mirë, e nëse ajo e keqe, i tërë trupi është i keq. Ajo është zemra.

Allahu i Lartësuar shikon vetëm zemrat e njerëzve dhe mbi këtë bazë çdo njeri ka vlerën dhe peshën te Krijuesi Fuqiplotë:

إِنَّ اللَّهَ لَا يَنْظُرُ إِلَى صُوَرِكُمْ وَأَمْوَالِكُمْ وَلَكِنْ يَنْظُرُ إِلَى قُلُوبِكُمْ وَأَعْمَالِكُمْ

Allahu nuk shikon në format dhe trupat tuaj, por Ai shikon në zemrat tuaja dhe në veprat tuaja.”

Pasi zemra ka rëndësi të veçantë, Allahu i Lartësuar në Kuran përmend shumë lloje zemrash. Me lejen e Allahut, këto lloje do të mundohemi t’i përmendim në këtë hytbe dhe në hytben tjetër.

  1. 1.   Zemra e pastër

Është ajo zemër e sinqertë për Allahun, e zbrazur nga kufri, hipokrizia dhe ndyrësitë. Allahu i Lartësuar thotë:

إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ 

“…përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuaraë, 89)

  1. 2.   Zemra e kthyer

Është ajo zemër që vazhdimisht i kthehet pendimit tek Allahu i Lartësuar. Ai thotë:

مَنْ خَشِيَ الرَّحْمَن بِالْغَيْبِ وَجَاء بِقَلْبٍ مُّنِيبٍ 

“…që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu). (Kaf, 33)

  1. Zemra e bindur

Është zemra e palëkundur, e qetë dhe stabile. Allahu i Lartësuar thotë:

وَلِيَعْلَمَ ٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلْعِلْمَ أَنَّهُ ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّكَ فَيُؤْمِنُواْ بِهِ فَتُخْبِتَ لَهُ قُلُوبُهُمْ وَإِنَّ ٱللَّهَ لَهَادِ ٱلَّذِينَ آمَنُوۤاْ إِلَىٰ صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ 

“…dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë.” (Haxh, 54)

  1. Zemra e frikësuar

Është ajo zemër që ka frikë Allahun e Lartësuar për mospranimin e veprës dhe mosshpëtimin nga dënimi i Zotit. Allahu i Lartësuar thotë:

وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ

“…dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (Mumunin, 60)

  1. Zemra e përkushtuar

Është zemra e cila përkujdeset në respektimin dhe madhërimin e dispozitave të fesë. Allahu i Lartësuar thotë:

ذَلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى الْقُلُوبِ

Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Haxh, 32)

  1. Zemra e udhëzuar

Është zemra e cila është e kënaqur me caktimin e Allahut dhe i dorëzohet Atij. Allahu i Lartësuar thotë:

مَآ أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ إِلاَّ بِإِذْنِ ٱللَّهِ وَمَن يُؤْمِن بِٱللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ وَٱللَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.” (Tegabun, 11)

  1. Zemra e qetë

Është zemra e cila qetësohet në teuhidin e Allahut dhe në përkujtimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë:

ٱلَّذِينَ آمَنُواْ وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُمْ بِذِكْرِ ٱللَّهِ أَلاَ بِذِكْرِ ٱللَّهِ تَطْمَئِنُّ ٱلْقُلُوبُ

“…ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Rad, 28)

  1. Zemra e gjallë

Është ajo zemër e cila mendon për ngjarjet dhe ndodhitë që Allahu sjell për popujt gjynahqarë. Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّ فِي ذَلِكَ لَذِكْرَى لِمَن كَانَ لَهُ قَلْبٌ

Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër.” (Kaf, 37)

Të nderuar besimtarë!

Deri tani përmendëm tetë lloje zemrash të regjistruara në Kuran. Ne do të ndalemi te këto lloje dhe me lejen e Allahut llojet e tjera do t’i plotësojmë në hytben e radhës.

Është e rëndësishme që çdo njëri të mendojë për këto lloje zemrash dhe zemrat tuaja të harmonizohen me llojet e lartpërmendura.

Allahu im, të lutemi për zemra të pastra e të kthyera, të bindura, të përkushtuara e të udhëzuara, të qeta e të gjalla!

Allahu im, përqendroji dhe stabilizoji zemrat tona në fenë Tënde dhe vendosi ato në dritën e udhëzimit Tënd!

 

Vazhdon

 

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit