-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Sëmundja COVID 19 është sprovë për ne – LEXOJE këtë shkrim!

Më të lexuarat

Sëmundja COVID 19 është sprovë për ne – LEXOJE këtë shkrim!

 

Lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e mëshirës, Muhamedin salallahu alejhi ue selem.
Njeriu është besimtar kur beson se Allahu është Sundues i gjithçkaje dhe se sundues tjetër nuk ekziston, se vetëm Ai është Zot, se vetëm Ai meriton të adhurohet dhe se Ai është plotësisht i përsosur me cilësitë dhe emrat e Vet. Në këtë mënyrë besimtari ka konfirmuar njësinë e adhurimit, të zotërimit si dhe emrat e Allahut dhe cilësitë e përsosmërisë së Tij. Ky është teuhidi, besimi që duhet të qëndrojë në zemrat e besimtarëve.
Po ashtu, duhet kujtuar se besimi nuk është vetëm fjalë, e cila thuhet me gjuhë, por është vërtetësi me detyra, obligime dhe përgjegjësi. Nuk mjafton që njerëzit të thonë besojmë dhe veprojmë e të mos të ballafaqohen me teste, sprova, vuajtje, shqetësime. Besimtarët ndeshen me shqetësime dhe sprova të natyrave të ndryshme. Është e natyrshme të bëhen teste dhe analiza në sfera dhe lëmi të ndryshme. Blerësi kërkon të testohet sendi që blihet, po ashtu studenti i nënshtrohet provimit pranues kur aplikon për studime, edhe punëtori i nënshtrohet intervistave, e kështu me radhë.
Prej ligjeve të Allahut të Lartësuar është që besimtari të testohet me një provim të përgjithshëm, ku i jepet mundësia për të marrë notë të lartë apo mesatare, por mund të marrë edhe notë të dobëta dhe jokaluese. Pyetjet e përgatitura janë të hapura dhe të njohura për të gjitha shtresat e njerëzve. Me siguri që dihet edhe lënda e provimit, notat kaluese dhe rëndësia e këtij provimi.
Lënda e provimit është imani, besimi. Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar”, dhe nuk do të sprovohen?” (Ankebut, 2)
Pyetjet e provimit testues janë të përmbledhura në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne do t’ju provojmë me ndonjë frikë, me uri, humbje të pasurisë, të jetës, të frutave. Por ti përgëzoji durimtarët.” (Bekare, 155)
Vendmbajtja e provimit testues është kjo botë, dynjaja; përderisa njeriu jeton ai do të testohet. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të lakmuara, si ndaj grave, djemve, ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, kuajve të stolisur, bagëtisë dhe bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë.” (Ali Imran, 14)
“Shembulli (ngjashmëria) i jetës së kësaj bote është si i një shiu që Ne e kemi sjellë nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) bimët e tokës prej nga hanë njerëzit e kafshët deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.” (Junus, 24)
Më pas, besimtari duhet të marrë masat preventive për të pasur mundësi tejkalimin e testit provues dhe kjo arrihet me durim dhe namaz. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).” (Bekare, 45)
Nota kaluese për çdo besimtar është mëshira dhe udhëzimi në rrugë të mbarë. Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë: “Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” (Bekare, 157)
E gjithë dobia nga ky provim është testimi i njeriut në këtë botë: “Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.” (Ankebut, 3)
Të nderuar lexues!
Sprovat janë të nevojshme që të ngrihet vullneti i besimtarëve të sinqertë, sepse ato nxjerrin në shesh dhe ripërtërijnë besimin, hapin dhe shëndëritin zemrat e besimtarëve. Shumë gjëra nuk do t’i dinte besimtari, po të mos sprovohej dhe kështu ai kalitet nën klimën e sprovës. Poeti Mutenebiu thotë:

Më gjuajti koha me fatkeqësitë,
Derisa pëlhura e zemrës m’u bë e hekurt.
Dhe u bëra që kur të më godasin me shigjetën
Të thyhen, sikur preknin shigjetat njëra me tjetrën.
Dhe ja kështu jetova, e për fatkeqësitë as që u interesova
Ngase të mbaj mërzinë dobi nuk pata e as që diçka fitova.

Testi sprovues nuk ka karakter fyes dhe ofendues, por është i natyrës verifikuese dhe korrigjuese, edukuese dhe reformuese.
“Dhe që Allahu t’i provojë (pastrojë) besimtarët (nga gjynahet) dhe t’i shkatërrojë mosbesimtarët.” (Ali Imran, 141)
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “E çuditshme është çështja (gjendja) e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi. E kur e godet e keqja, ai është durimtar, andaj kjo i sjell dobi (shpërblim).” (Transmeton Muslimi)
Njerëzit më të sprovuar ishin të Dërguarit e Allahut të Lartësuar, meqë ishin më të paluhaturit në misionin e shenjtë thirrës. Sad bin ebi Vekasi e pyet Muhamedin salallahu alejhi ue selem: “Cilët njerëz janë më të sprovuar?”, e ai përgjigjet: “Njerëzit më të sprovuar janë Pejgamberët, pastaj ata që janë më afër tyre dhe që i ndjekin ata. Sprovohet njeriu sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij, edhe sprovën e ka më të madhe. Nëse është i dobët në besimin e tij, do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat.” (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih.)
Kështu do të testohen besimtarët. Allahu Fuqiplotë i sprovon ata që i do nga të devotshmit, por çdo herë duhet të jenë në gatishmëri dhe i qëndrueshëm, posi dega që luhatet nga era djathtas dhe majtas, por prapë mbahet.
O njeri! Kërko mbështetje tek Allahu i Lartësuar dhe duro. Asnjëherë mos u ligështo dhe mos u dobëso.
Besimtarët, të dashurit e Allahut, janë të kënaqur dhe durimtarë me çdo caktim të Allahut të Lartësuar, ata nuk janë aspak të frikësuar e as të dëshpëruar. Të kujtojmë së bashku fjalët e Allahut të Lartësuar:
“Ta keni të ditur se të dashurit e All-llahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje. (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e dunjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhenet). Premtimet e All-llahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, ai është sukses i madh.” (Junus, 62-64)
“E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.” (Ali Imran, 139)

Ulvi Fejzullahu

  6.7.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit