1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Tek po shihja sot seancën e Kuvendit, më tërhoqi vëmendjen kërkesa e një grupi deputetësh të opozitës, që kërkonin miratimin e një ligji për lustracionin, ligj ky që do të pastrojë politikën, organet e drejtësisë dhe shtetin, nga ata që i kanë shërbyer mbajtjes në këmbë të “diktaturës së proletariatit”.
Tek e dëgjoja propozimin dhe faktin se sa herë kjo gjë kishte mbetur në mes, nuk ishte bërë kurrë reale ashtu siç duhet, dhe se si kërkohet akoma edhe sot pas tri dekadash, më kapi një revoltë shpërthyese, që më kujtoi se shpirtrat e të vdekurve nuk gjejnë qetësi për padrejtësitë e bëra, qoftë edhe gati të një shekulli më parë, dhe se kjo ndjenjë përvëluese për drejtësi, trashëgohet edhe tek të gjallët që vijnë pas tyre, duke mos gjetur qetësi as ata, për krimet që iu janë bërë të parëve të tyre dhe këtij vendi në përgjithësi. Një shoqëri e tërë nuk gjen dhe as nuk ka për të gjetur qetësi, edhe pas vitesh të tëra heshtjeje dhe neglizhence të qëllimshme ose jo, nga krimet e padënuara dhe nga drejtësia e munguar. Është për t’u habitur se çfarë peshe të rëndë ka padrejtësia në shpirtrat e njerëzve, aq sa të bën të kuptosh se pse Zoti nuk e lë atë të harrohet kollaj mes tyre.

 

Ne nuk kërkojmë hakmarrje duke prerë koka, por kërkojmë drejtësi, qoftë me ndjesë publike, qoftë me ligj, që i ndalon këta njerëz të vazhdojnë të jenë pjesë drejtuese e shtetit dhe e politikës. Drejtësia e kërkon që njerëz të tillë të mos vazhdojnë të mos ndjejnë aspak peshën ligjore dhe institucionale të asaj të lige që bënë në atë kohë, me hir ose me pahir. Kërkojmë që haku, nderi dhe prona të kthehen tek i zoti ose trashëgimtarët, për aq sa iu takon. Drejtësia nuk është kurrë hakmarrje që shkel të drejtat e njeriut, apo hap plagë të reja. Sado e dhimbshme, drejtësia është themeli më i rëndësishëm i ekzistencës dhe mbarëvajtjes së një shteti, institucioni, bashkësie, familjeje etj. Drejtësia është ekuilibri që mban në këmbë universin, është arsyeja themelore pse ka Botë Tjetër dhe Gjyq të Fundit.
Edhe pse sot, kjo drejtësi që kërkojmë nuk vihet, dhe as nuk mund të pritet të vihet, sepse siç ka thënë Benjamin Franklin: “Drejtësia nuk ofrohet, nëse ajo nuk ndjehet njëlloj nga ata që nuk janë prekur, ashtu siç e ndjejnë ata që janë prekur”, të paktën nuk duhet heshtur kurrë për të, sepse siç thoshte edhe nobelisti Elie Wiesel, i mbijetuar i Aushvicit: “Mund të ketë raste kur ne jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por kurrë nuk duhet të ketë një kohë, kur ne nuk arrijmë të protestojmë.”

 

Shqiptarët nuk kanë për të gjetur qetësi e begati dhe as mirëqenie e mbarësi në vendet e tyre, bashkësitë dhe jetën e tyre, jo vetëm nga drejtësia e munguar për padrejtësitë që iu kanë bërë të huajt, por mbi të gjitha, nga padrejtësitë që ata i kanë bërë dhe i bëjnë njëri-tjetrit.
Mungesa e drejtësisë për plagët e vjetra është shkaku kryesor i padrejtësive të reja, sepse për atë që ndjehet i sigurt nga ndëshkimi i drejtësisë, padrejtësia dhe arroganca kthehen në normalitet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit