Pas katër kalifëve të parë të Shtetit Islam, që la pas Profeti (alejhi salatu ue selam) ka ardhur edhe një kalif, që kujtohet vazhdimisht në historinë islame. Edhe pse ai sundoi vetëm për dy vjet e pesë muaj, është nga të rrallët kalif që kujtohet kaq shpesh në historinë islame. Ai ishte Umer ibn Abdulaziz, nga familja e Beni Umejes nga fisi Kurejsh i Mekës. Lindi në Medinë në vitin 61 h. dhe vdiq në Sham në 101 h.
Çfarë bëri ky kalif që mbahet mend kaq gjatë dhe kujtohet me lëvdata edhe pse sundoi kaq pak?
Ajo që e karakterizoi kalifatin e tij ishin:
Së pari: Drejtësia.
Së dyti: Shlyerja e padrejtësive që kishin bërë paraardhësit e tij.
Së treti: Shkarkimi i valinjve zullumqarë.
Së katërti: Riaktivizimi i Shuras (institucioni islam i konsultimit).
Së pesti: Përhapja e dijes mes njerëzve.
Së gjashti: Urdhëroi për ruajtjen dhe mbledhjen e haditheve nëpër libra.
Edhe sot kësaj dite fjalët dhe ngjarjet nga jeta e tij kujtohen nëpër ligjërata në xhami dhe jashtë tyre, si shembull i një udhëheqësi të drejtë e të devotshëm, si model i një sundimi model, që fitoi zemrën e miliona njerëzve, për shekuj me radhë. Nuk pati kohë të ndërtojë rrugë, ura, xhami, hane, spitale, shkolla e godina të shumta me të cilat krenohen shumë njerëz, as të bënte luftëra dhe të zgjeronte territoret e shtetit, por vuri drejtësinë në vend mbi të gjitha, dhe është pikërisht kjo që e përjetësoi kujtimin e tij ndër shekuj. Sepse njerëzit mbi të gjitha kanë nevojë për drejtësi, kanë nevojë të rimarrin të drejtën e humbur që u takon, qoftë kjo nder apo pasuri. Drejtësia është çelësi i begatisë së një vendi dhe lumturisë së një populli. Umer ibn Abdulazizi edhe pse vdiq i ri dhe sundoi shumë pak, kujtohet më shpesh sesa shumë të tjerë që jetuan dhe sunduan më gjatë, e ndërtuan e luftuan më shumë, kjo sepse Zoti përjetëson kujtimin e asaj që është më rëndësishme për Të dhe më e dobishme për njerëzit, ndaj dhe dy vitet e Umerit nuk do të harrohen ndër shekuj.
H. Justinian Topulli