Kryefjala e këtyre ditëve janë heronjtë e kësaj kohe pandemie: mjekët. Ata janë duartrokitur nëpër dritare e ballkone, janë falënderuar publikisht dhe privatisht në forma nga më të ndryshmet, për shkak të sakrificës së përditshme dhe përballjes së tyre me krizën aktuale.
Personazhet e këtij shkrimi janë vajza dhe gra në fusha të ndryshme të specializimit në Mjekësi. Ato janë studente, mjeke në fillim të karrierës së tyre, apo mjeke me një përvojë të gjatë. Disa janë bija e disa nëna. Ato janë të ndryshme në ëndrra dhe pasione, por kanë një vizion të përbashkët: kontributin për shoqërinë, veçanërisht lehtësimin e sfidave të gruas në përballje me sistemin shëndetësor, apo thyerjen e stereotipeve në lidhje me kapacitetet e kufizuara të femrës brenda këtij sistemi.
Dr. Miradije Ajeti-Zaimi është ndër mjeket më të njohura dhe me më shumë vite eksperiencë në këtë profesion, por edhe ndër gratë aktiviste më me impakt në shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Me doktoreshën Miradije jemi takuar para shumë vitesh në Shqipëri, në një nga aktivitetet që kam pasur më për zemër asokohe, kur unë isha në fillimet e aktivizmit tim, “Karvani i gruas muslimane”, organizuar nga shoqata “Gruaja”.
Miradije Ajeti-Zaimi ka lindur në Medvegjë. Që kur ishte ende foshnje, prindërit e saj migruan në Prishtinë. Aty u rrit dhe kreu shkollën fillore e të mesme, si dhe fakultetin për mjekësi. Koha e trazirave të vitit 1981 e më pas, përkoi me vitet e studimeve të larta të saj. Pas shumë peripecish, dr. Miradija arriti të diplomohej në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1986. Pas dy viteve, ajo u punësua në Shtëpinë e Shëndetit në Prishtinë dhe deri në vitin 1992, ajo punoi në sektorë të ndryshëm të komunës së Prishtinës. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes në Kosovë, – periudhë gjatë së cilës qeveria serbe largoi nga puna pothuajse të gjithë mjekët shqiptarë, – dr. Miradija u transferua në Tetovë, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Që prej asaj kohe, ajo punon në një ambulancë private si mjeke familjare.
Së bashku me disa intelektuale të tjera muslimane, ajo ka themeluar shoqatën “Islami dhe Shkenca” dhe shërben si koordinatore e saj. Për njëzet vjet me radhë, shoqata ka organizuar ligjërata fetare dhe shkencore në radion lokale “Fama” në Tetovë, si dhe në shumë vende të tjera, në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.
– Dr. Miradije, a mund të na tregoni diçka më shumë rreth angazhimit tuaj profesional, pas kaq shumë vitesh studime dhe eksperience në fushën e mjekësisë?
– Prej pothuajse 10 vjetësh kam filluar të ushtroj mjekimin nëpërmjet hixhames, në një klinikë private në Tetovë, së bashku me bashkëshortin tim, i cili është mjek gjithashtu. Kohët e fundit, përpos ushtrimit të kësaj tradite profetike, paralelisht shtuam edhe shërbimin e hixhames estetike, e cila erdhi si një domosdoshmëri për të trajtuar efektet anësore të ndonjë ndërhyrjeje, siç janë shenjat pas operacionit, apo të ndonjë efekti anësor të mjekimeve të tjera. Tani, me shumë sukses trajtohen shenjat pas lëndimeve, operacioneve dhe djegieve. Gjithashtu, trajtohen strijat, celuliti, puçrat e fytyrës. rrudhat etj.
Dr. Rabie Mustafi
Me dr. Rabijen kemi ndarë dhomën e një shtëpie studentore dikur, dhe për mua ishte hera parë që shihja një studente që lexonte dhe studionte aq shumë. Atë e karakterizonte një disiplinë dhe vullnet i jashtëzakonshëm, çka më bënte të mendoja se në një të ardhme, ajo do të ishte vërtet një doktoreshë e suksesshme.
Gjatë krizës së emigrantëve, në vitin 2015, dr. Rabija ka qenë mjaft aktive si mjeke vullnetare në xhaminë e qytetit të Kumanovës, ku janë organizuar edhe fushata humanitare, duke i ndihmuar emigrantët me ilaçe, ushqim e veshmbathje. Në vitin 2018, ajo është vlerësuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë të Maqedonisë, me një çmim mirënjohjeje për kontributin e saj. Gjithashtu, dr. Rabija është anëtare e shoqatës “Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG)” si dhe përfaqësuese e Departamentit të Shëndetësisë në këtë shoqatë. Dr. Rabija është e martuar dhe është nënë e tre fëmijëve. Aktualisht, ajo është në vitin e katërt të specializimit në Pulmoalergologji dhe njëkohësisht vijon edhe studimet e doktoraturës në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup.
– Dr. Rabije, si arrini që të ruani ekuilibrin ndërmjet jetës familjare, studimeve dhe karrierës profesionale?
– Të them të drejtën, nuk është aq e lehtë, por gjithsesi, është diçka që mund të arrihet. Në periudha të caktuara më duhet ta ndërpres karrierën e t’i përkushtohem familjes, por në periudha të tjera merr hov edhe karriera, falë mundësive që më ofrohen. E gjitha kjo kërkon një vullnet të jashtëzakonshëm, kërkon punë dhe përkushtim, sakrificë dhe përkrahje nga ana e familjes. Ata më ndihmojnë që të eci përpara. Pa dyshim, ajo që më ka ndihmuar më së shumti për të arritur deri këtu, ka qenë mbështetja në Zotin, sepse njeriu që nuk mbështetet në Krijuesin e tij, i ngjan aeroplanit, i cili nuk është i lidhur me kullën e kontrollit dhe nuk di nga të shkojë. Në çaste të caktuara më duket sikur nuk do t’ia dal dot, por gjej forcë dhe e tejkaloj atë situatë. Për momentin jam në fazën e përkushtimit ndaj familjes, për shkak të fëmijës së vogël, por pas disa muajsh planifikoj që të mbaroj specializimin.
– Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
– Aktualisht jam në hapat e fundit të specializimit, të cilin planifikoj që ta mbaroj së bashku me studimet e doktoraturës. Sigurisht, kjo e fundit kërkon një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Më pas, të gjithë këtë përpjekje të finalizuar, dua ta vë në shërbim të shëndetit të popullatës, e në veçanti të shëndetit të gruas.”
Egzona Aziri
Egzona është studente e vitit të dytë për Mjekësi të Përgjithshme në universitetin Shën Kirili dhe Metodi, si dhe aktiviste e vullnetare. Ajo shpjegon se fakti që vazhdoi edhe universitetin në po të njëjtin drejtim dhe pasion, ia bën çdo sfidë më të lehtë. Duke u thelluar gjithnjë e më shumë në këtë shkencë, ajo tashmë shprehet e bindur, se zgjedhja e këtij profesioni ka qenë vendimi i duhur për jetën e saj.
Ndër të tjera, Egzona thotë:
Pasioni për të qenë vazhdimisht në shërbim të të tjerëve dhe për ta parë botën si një vend me më pak vuajtje, më nxiti dëshirën e madhe për të vazhduar mjekësinë, profesion të cilin e përzgjodha qysh në shkollën e mesme. Shpresoj që specializimin ta kryej në Gjinekologji, si një mundësi për t’ua lehtësuar kushtet grave muslimane, pasi ka mungesë të gjinekologeve shqiptare në qytetin tim.
Gjithashtu, unë jam marrë edhe me aktivitete vullnetare, që nga fillimi i shkollës së mesme, duke qenë pjesë e OJQ-ve të qytetit tim. Ky lloj aktivizmi u bë shkak për një kthesë të madhe në jetën time.
Zulejha Murati
Zulejha është nga Shkupi. Gjatë studimeve në gjimnaz, ajo ka qenë pjesë e kryesisë së Unionit Studentor Shqiptar. Gjithashtu, ajo është intervistuar dhe ka marrë pjesë në disa programe televizive (në Tv Shenja, TV 21, etj.) si dhe ka publikuar artikuj të ndryshëm në disa portale. Zulejha flet shumë mirë 4 gjuhë të huaja: maqedonisht, turqisht, anglisht dhe gjermanisht.
Aktualisht, ajo është në vitin e dytë të studimeve për Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin Istanbul Medeniyet, në Stamboll. Përveç angazhimeve studentore, ajo i kushton kohë edhe aktivizmit.
– Zulejha, cilat janë angazhimet tuaja aktuale?
– Pas shumë hulumtimeve në fushën e Onkologjisë, më në fund realizova prezantimin tim të parë, përmbajtja e të cilit përfshinte një përmbledhje të alternativave të ndryshme të mjekimit të kancerit, ku më së shumti jam fokusuar te zbulimet e fundit dhe etapat e aplikimeve të tyre.
Hulumtimet aktuale mbi mjekimin e tumorit janë mjaft shpresëdhënëse. Duke u bazuar në zbulimet e fundit, mund të konstatohet se bota mjekësore është shumë afër gjetjes së një kure definitive të kësaj sëmundjeje fatkeqe, e cila sipas statistikave të publikuara në WHO (World Health Organization) radhitet si një nga shkaktaret më të shpeshta të vdekshmërisë. Shpresoj që këto punime t’i përgatis dhe t’i ndaj edhe në gjuhën shqipe brenda një kohe të shkurtër.
– A jeni tërhequr nga aktivizmi gjatë kësaj kohe të studimeve, apo vazhdoni njëlloj si në Shkup?
– Jetën time nuk mund ta programoj ndryshe, përpos angazhimit edhe me aktivitete jashtëshkollore. Kuptohet që tashmë përparësore janë studimet e mia, dhe të studiosh në një vend të huaj, në gjuhë të huaj, nuk është e lehtë. Megjithatë, me forcë dhe vullnet përpiqem të mbaj balancat. Kështu, aktualisht jam pjesë e katër forumeve apo organizatave studentore të fakultetit, edhe pse ka më shumë të tilla, por koha e kufizuar më detyron që të përzgjedh ato lloj platformash, të cilat më ndihmojnë për zhvillimin personal dhe akademik. Në njërën prej tyre jam dhe udhëheqëse e klubit, ku praktikisht përzgjedhim kërkime shkencore dhe studime nga më të fundit në anglisht dhe i diskutojmë në një takim një javor. Gjithashtu, unë jam pjesë e një organizate humanitare, përmes së cilës realizojmë vizita tek familjet në nevojë, shtëpia e fëmijëve, e pleqve, etj. Këtu, me ndihmën e disa sponsorëve, ne mbledhim një fond të konsiderueshëm për të përmbushur disa nevoja elementare. Kam aplikuar edhe në programin e Mjekëve pa Kufinj dhe shpresoj që të mund ta realizoj sa më shpejt vizitën time si mjeke vullnetare në zona të rrezikuara, ku ka katastrofa natyrore, apo varfëri të tejskajshme. Kjo ka qenë edhe ëndrra ime prej vitesh.
– Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
– Nuk e di ende se si do të shkojnë gjërat, por di që dëshirë dhe pasion kam kirurgjinë, e sidomos kirurgjinë kardiake; pra, kardiologjinë në tërësi. Kam dëshirë që në këtë fushë të bëj dhe specializimin, mundësisht në një vend evropian, në Gjermani ose Britani. Kardiologjinë e kam pasur pasion qysh në gjimnaz. Duke u specializuar në këtë fushë, kam për qëllim që të jem një ndër të rrallat gra kardiologe dhe të tregoj se edhe gratë mund të shkëlqejnë aty. Dua të dëshmoj se ato mund ta ushtrojnë kardiologjinë si profesion, e madje me shumë zotësi.
Gra dhe vajza të tilla janë shembuj për t’u ndjekur, sidomos nga muslimanet e reja, të cilat kanë ende dyshime apo paragjykime për kapacitetet e gruas në çfarëdolloj fushe. Këto gra janë frymëzim për të gjitha ato që shohin pengesa dhe kufizime dhe që nuk përqendrohen tek fuqitë e jashtëzakonshme që kanë, fuqi të cilat, kur ndërthuren me humanizmin dhe dëshirën për kontribut në shoqëri, mund të mishërohen në mrekulli konkrete.