FATOS LUBONJA
Në këtë kohë të trishtë pandemie, Kosova po bëhet teatër shfaqjesh të tjera të trishta që po nxjerrin në pah kufizime kulturore shqiptare, të cilat historikisht mbeten të pakapërcyera, si këtej dhe andej kufirit, duke na mbajtur larg vendeve ku ka cilësisht më tepër demokraci, liri, humanizëm, tolerancë, shtet të së drejtës, barazi përpara ligjit, ndarje të pushteteve e të tjera si këto. Janë kufizime që do t’i quaja paradoksale, pasi ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të braktisin në masë vendin e tyre për vendet demokratike, kulturalisht dhe gjuhësisht ngulmojnë të qëndrojnë në “vendin” e tyre (sepse, në fakt, është dhe kultura e gjuha jonë “vendi” ku banojmë realisht si qenie).
Shfaqja e parë ishte ajo e disa partive që u bashkuan me njëra-tjetrën – dhe me interesa të dyshimta lobesh serbo-amerikane – për të rrëzuar qeverinë Kurti në kohë pandemie. Historikisht kështu ka ndodhur deri tani: për interesin e vet të ngushtë, shqiptari bashkohet pa problem edhe me armikun e vet më të egër të djeshëm kundër armikut të sotëm, pa pyetur fare për pasojat e këtyre manovrave ndaj të tretëve. Kjo ka bërë që deri më sot shqiptarët të mos arrijnë të ndërtojnë diçka më shumë se një shtet personash që, me sy verbësinë e interesit të tyre, shkelin keq interesat e njerëzve që duhet të mirëqeverisin.
* * *
Para dy-tri ditësh pamë një dramë tjetër me disa akte që na shfaqi disa tipare të tjera të kufizimeve kulturore që na mbajnë te shteti i personave të keqqeverisjes. E kam fjalën për dramën me dy akte që u luajt kundër Shkëlzen Gashit, studiuesit, intelektualit, aktivistit të të drejtave të njeriut, që së fundi u thirr nga Albin Kurti në grupin e këshilltarëve të tij.
Akti i parë ishte thirrja e Shkëlzen Gashit nga Policia për veprën e kanosjes vetëm për shkak se në “Facebook”-un e tij kishte shkruar “do të rezistojmë”. Ndonëse ky incident u mbyll shpejt, ai flet shumë sa për kulturën e respektimit të fjalës së lirë në Kosovë, aq edhe për kulturën e një Policie e Prokurorie, e cila duhet të punojë për mbrojtjen dhe jo për dhunimin e saj. (Nuk ka nevojë të jap shembuj se si e njëjta kulturë sundon edhe në Shqipëri.)
* * *
Akti i dytë ishte ai që u zhvillua në televizionin “T7”, ku Gashi u ballafaqua me një gazetar, që dukej sikur të kishte dalë nga ndonjë shkollë hetuesie nga ato të diktaturës dhe jo nga shkollë gazetarie ku mësohet të mendosh si njeri i lirë. Gjatë gjithë intervistës, ky jo vetëm nuk shfaqi asnjë ndjenjë solidariteti për dhunimin e lirisë së shprehjes që i ishte bërë Gashit, por, përkundrazi, dukej sikur synonte të kryente hetimin që s’kishte arritur ta bënte Prokuroria. Objektivi i tij i vetëm ishte si ta demaskonte intelektualin që kishte pranuar të bëhej këshilltar i Kurtit, – në emër të interesave të atyre që rrëzuan qeverinë, – duke i nxjerrë sa më shumë prova “krimi”. Në fillim, “krimet” që shpalosi ishin disa deklarata të mëhershme të Gashit gjatë viteve ku kishte kritikuar Vetëvendosjen dhe Kurtin. Megjithëse Gashi e përsëriti disa herë se ai ka pasur edhe kritika, edhe mbështetje ndaj VV dhe Albin Kurtit, se ai nuk kishte shkuar atje si servil, por si këshilltar i Kryeministrit, se nuk ishte as anëtar i VV, por se, edhe sikur të ishte, kjo s’do të thotë se do të duhej të mendonte njëlloj si Kryetari për çdo gjë, gazetari nuk shfaqi asnjë ndjeshmëri ndaj këtyre pohimeve. Ideja se shqiptarët mund të rrinë bashkë në një parti apo qeveri pa qenë të gjithë ushtarë të kryetarit apo ideja se një këshilltar nuk thirret nga një lider për të shtuar numrin e ushtarëve, por për t’i dhënë atij mendime e këshilla në fusha ku këshilltari është më kompetent, u trajtua sikur hyri në atë studio, me gojën e Gashit, për të bërë diversion ndaj kulturës së besës së shqiptarit ndaj partisë dhe udhëheqësit të saj të madh. (E tepërt edhe këtu të jap shembuj, se në Shqipëri mbretëron po ky raport i liderit me anëtarët e partisë së tij.)
Por shfaqja nuk u mbyll këtu. Pasi mbaroi me “krimet” e Gashit ndaj Vetëvendosjes, gazetari filloi t’i nxjerrë atij disa “krime” edhe më të rënda: se ai paskësh shkruar e thënë se edhe shefat e UCK-së kanë bërë krime gjatë Luftës. Ndërkohë që Gashi i përgjigjej se këto gjëra nuk i ka thënë vetëm ai, por se ato vijnë nga burime organizatash serioze si Amnisty International apo Human Right Watch; se ne shqiptarët nuk duhet ta lexojmë librin e serbes Natasha Kandiç vetëm në kapitujt ku ajo flet për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, por edhe kur flet për krimet e kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve; se Kosova është i vetmi vend i ishJugosllavisë që nuk arriti të ngrejë Gjykatë të vetën të Krimeve të Luftës (për çka bota u detyrua të ngrejë Gjykatën Speciale në Hagë) e çka e ka ulur prestigjin e Kosovës ndër vite, gazetarit nuk i interesonin fare këto të vërteta të rëndësishme që duhet t’i bëjnë shqiptarët të reflektojnë. Ai ngulmonte t’i përçonte publikut idenë se kishte përballë një tradhtar të kombit.
Dhe duket se ai e bëri punën bukur mirë, pasi Gashin të nesërmen e linçuan nëpër media sociale duke e thirrur “antishqiptar”, “bir shkjau”, “qen bir qeni që duhet pushkatuar” etj.
Por drama nuk mbaron as me kaq. Akti tjetër i saj pati për protagonist Albin Kurtin vetë. Ndërkohë që unë si spektator i saj prisja që Albin Kurti të dilte në mbrojtje të Gashit, lexova të nesërmen një lajm se e kishte shkarkuar Gashin pasi konsideronte se: “Debatin, në të cilin është përfshirë, të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”.
Dy janë interpretimet që e shpjegojnë këtë shkarkim. E para: Kurtin e ka shtyrë ta bëjë këtë kultura e atyre që linçuan Gashin, që duket se, në këtë rast, e ka të shtrirë edhe në partinë e tij; e dyta, se ai nuk e paska thirrur Gashin si këshilltar për kompetencat në fushën, me të cilën është marrë aq mirë (e që do t’i vlente edhe në negociatat me serbët), por për t’i dhënë këshilla.
Nuk di të them se sa në kulturën e masës që linçoi apo lejoi të linçohet Gashi qëndron frika atavike e shqiptarëve ndaj të fortëve, sa konformizmi i atyre që s’duan të shqetësojnë ndërgjegjen duke i bërë asaj pyetje të sikletshme dhe sa ai kufizimi i kulturës tribale të gjakmarrjes, që disa nuk i le të kuptojnë se krimet ndaj të pafajshmëve nuk kanë kombësi dhe se të justifikosh këto krime është të fyesh edhe viktimat e tua. Për mua janë të tria, por jam i bindur se shumica e shqiptarëve nuk i duan mujsharët që kryejnë krime ndaj të pafajshmëve, prandaj mendoj se janë mujsharët e të padrejtët dhe frika e konformizmi ndaj kulturës së tyre të dhunës, ajo që mbizotëron në këtë histori. Po a nuk erdhi Kurti me premtimin e një çlirimtari nga këta, e një emancipuesi nga kultura e tyre? E pra, me aktin e shkarkimit të Gashit, ai iu bashkua linçuesve, duke legjitimuar e përforcuar këtë kulturë. Dikush mund të ngulmojë se shkarkimi i Gashit i duhej për të mos humbur mbështetjen në betejat politike që e presin me kundërshtarët e tij shumë më të këqij. Nuk e di, ndoshta ai mund t’i fitojë kështu ato beteja për pushtet, por them se nuk është kjo fitorja e madhe që presim, por fitorja me kulturën që na mban nën thundrën e mujsharëve dhe injorantëve. Dhe për ta fituar atë, bota shqiptare ka nevojë për njerëz si Shkëlzen Gashi dhe jo për turmën e linçuesve të tij.