3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

“Kështjella”- vendqëndrimi i mitit dhe burokracisë !

Më të lexuarat

Agim Baçi

A nuk mendon njeriu jo pak herë se ajo që i ka ndodhur apo që po i ndodh nuk është ajo që ka dëshiruar, apo nuk është në statusin që meriton në shoqëri? A nuk kemi ngritur mite ne për jetën, dashurinë, për qytetin, për komunitetin, për kontin, për prijësin dhe përballë këtyre miteve kërkojmë të ndërtojmë përditshmërinë tonë, madje duke besuar se meritojmë më shumë se në realitetin që na shohin sytë?

K-ja, personazhi i romanit “Kështjella” të Franz Kafkës, i thirrur si arëmatës nga konti, fle në “Bujtinën e Urës”, ka status të punojë për kështjellën, por pa mundur të futet atje. K-ja, është egoja e autorit që i beson shkrimit si çlirim. Por njeriu dhe shkrimi jo pak herë futen në labirinthe pakuptueshmërie. Dhe kur nuk e kupton atë që ka përballë, njeriu është i prirur të besojë se është thjesht një keqkuptim ose gabim. Por jo. Të paktën, kryebashkiaku i qytezës i tregon K-së se, nuk ka gabime apo keqkuptime, pavarësisht se mund të duken së jashtmi ashtu.

“…A ka një shërbim kontrolli? Gjithçka është shërbim kontrolli. Kuptohet, nuk është ngritur për të zbuluar gabime në kuptimin e epërm të fjalës sepse nuk bëhen gabime e, edhe në qëlloftë, se ndodhin përjashtime dhe bëhen, kush mund të thotë, në fund të fundit, se kemi të bëjmë në të vërtetë me një gabim?”, i thotë kryebashkiaku K-së, i cili nga ana e tij nuk arrin ta kuptojë se si mund të ketë pasur një gabim në ftesën e kontit që e ka thirrur të punojë aty si arëmatës.

Por, a nuk mendojmë edhe ne shpesh siç mendon si K-ja, duke besuar se jemi brenda një jete që mund ta ndërtojmë individualisht, pavarësisht mendimit të të tjerëve, pavarësisht traditës së njerëzimit, pavarësisht rrethanave ku jemi. Kjo është shaka që njeriu shpesh i bën vetes, të paktën për aq kohë sa nuk ka kuptuar fuqinë e “së papriturës”. Dhe “Kështjella”, në dukje e lehtë e pastaj me aq labirinthe, nuk është veçse pëlhura që thur fatin tonë, si një fuqi e epërme. Dhe kjo pëlhurë mbetet ashtu, siç mbetet “Kështjella” për K-në, sa e dukshme, aq edhe e largët. Ashtu siç edhe ditët tona kalojnë herë duke besuar se mundemi të shkojmë shumë më përtej se ajo që mundemi vërtet, e herë se nuk kemi bërë asgjë më shumë se sa ajo që fati ka dashur për ne.

Rrugëtimi dhe gjithë njohjet, të dëshiruara apo jo nga K-ja, e që e afrojnë dhe e largojnë atë në mënyrë të pabesueshme nga “Kështjella”, nuk është veçse është rrugëtimi ku ndeshet si në një vallëzim e tashmja me të përhershmen. Vetëm kur arrijmë të kuptojmë se e tashmja jonë është veçse një ekspozim i detajeve të së përhershmes, mundet që edhe të qetësojmë mendjen tonë që në mënyrë permanente rreket të ndajë realitetin nga miti.

E veçanta e marrëdhënieve të qytezës brenda Kështjellës dhe fshatit që shtrihet rrëzë Kështjellës, ku çdo banor i fshatit sheh me admirim këdo që jeton atje, është se aty asgjë nuk bëhet me dhunë. Madje, as kundërshtitë e K-së për dy ndihmësit që e parehatojnë gjëndjen e tij, apo për atë individ që kërkon të bëjë ndryshe, për të qenë i lirë, nuk hasin në këmbëngulje të autoriteteve. E megjithatë, asnjë fitore e K-së nuk vlen përballë labirintheve që e ulin dhe e ngrenë përditshmërinë e K-së, ashtu si befasitë që marrin udhët brenda “Kështjellë-s”. Ç’do refuzim nënkupton një tëhuajësim të atij që mendon se gjendet pranë Kështjellës, por që në të vërtet veç largohet prej saj.

Marrëdhënia e K-së me Fridën, banakieren e bujtinës, qëllon të jetë, një marrëdhënie e njëjtë edhe në sytë e ndihmësave të tij që nuk i do, këmbëngulja për të folur me Klamin, zyrtarin e Kështjellës që është dhe i dashuri i Fridës, bëhen pjesë e një realiteti që nuk dallon shumë nga ëndrra.

Edhe fytyra e Klamit, që “ndryshe vjen nga kështjella e ndryshe ikën”, apo plakja dhe rrudhja brenda dite e ndihmësit Jeremias, vetë sa e plotëson këtë përplasje brenda nesh.

E gjithë përballja që në fillim i duket K-së normale, nis të zbehet. Kafka këtu ja zëvendëson K-së bashkëbiseduesit e dorës së parë që janë afër Kështjellës, si Klami e Frida, me personazhe dytësore, si Olga, Lazemani, Pepi, Barnabasi. Deri sa K-ja nuk dallon më kufijtë e ëndrrës dhe realitetit. “Jo, mos kërkoni ndjesë që dremitët, s’ka përse. Fuqitë e trupit kanë njëfarë kufiri; ç’faj ka dikush nëse ata kufinjë në çast u duket sikur kanë tjetër vlerë? Asnjë faj. Kështu, në rrjedhë të vet, bota korrigjon vetveten dhe ruan drejtpeshimin. Eshtë një rend i shkëlqyer, as nuk mund të merret me mend një rend më i mirë, edhe pse, në një vështrim tjetër, kjo sikur të pret krahët”, i thotë Byrgeli K-së pas një zgjimi të befasishëm.

Në rrëfimin e Kafkës nuk ka vend për romantizëm. Njeriu në rrëfimin e tij përplaset herë me veten e herë me realitetin. A duhet të humbë rrugën për të besuar gjendjen tonë, përballjen tonë mes ideve tona dhe fatit? K-ja nis pyetjet e rëndësishme kur përfundon në dhomën e shërbyeseve, duke humbur statusin e dhomës në bujtinë. “…jeni mësuar të të përgjoni nga vrima e çelësit dhe të mendoni pastaj, duke i nisur nga ç’keni parë; nga ndonjë gjë pa rëndësi që mund të shihni, nxirni përfundime aq të shtira sa dhe të gabuara. Ja, për shembull, për këtë rast unë di shumë më pak se ti. Unë nuk di ta shpjegoj aq saktë sa ti pse më la Frida. Shpjegimi më i mundshëm më duket ai që ti e çikë pa e thelluar, domethënë që unë e paskam lënë pas dore. Ashtu është, e kam lënë pas dore, por kisha arsye të posaçme që nuk është rasti t’i zë me gojë; do isha i lumtur sikur të kthehej te unë, por do filloja përsëri ta lija mbas dore pa humbur kohë. Kështu është. Kur ishte me mua, unë isha gjithmonë jashtë shtëpisë për shkak të atyre ecejakeve për të cilat ti u talle; tashti që ka ikur, zëre se s’kam ç’të bëj, jam i lodhur, rri e ëndërroj një plogështi sa më të plotë”, i ankohet K-ja Pepit, por më një zë të pafuqishëm, me një zë vetëm ngushëllues të mjerimit të ri. Fshati dhe Kështjella ku ka shumë borë e pak dritë, janë pikërisht ai filli i asaj që krijojmë ne, dhe asaj që fati brutalisht ka shkruar për ne.
(Shënime për romanin “Kështjella” të Franz Kafkë-s )

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit