-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Pejgamberi Muhammed mbi fiksimin e çmimeve – “Çmimet janë në duart e Zotit”

Më të lexuarat

Resul Mehmedović

Muhamedi (a.s.), u rrit në një shoqëri ku shumë marrëveshje ekonomike ishin të padiskutueshme që nga koha e Babilonisë. Në Lindjen e Mesme, tregjet për nevojat e përditshme, siç është ushqimi, ishin rreptësishtë të rregulluara: çmimet vendoseshin nga mbikëqyrësit e tregut, dhe jo nga shitësit. Dallimi ishte në atë se sa ishte shtrirja e rregullimit; Ligji hebre, për shembull, e kufizonte edhe çmimin e shitjes së tregtarit (në 1/6 e kostos së prodhimit). Nëse shitësit i rritnin çmimet mbi çmimet zyrtare, për shembull, për të përfituar nga mungesat e ushqimit gjatë periudhave të urisë, klientët kishin të drejtë të paraqesin ankesa dhe të kërkojnë ndërhyrjen e mbikëqyrësve të tregut. Kapaciteti i Muhamedit për të nxitur një reformë rrënjësore, kundër këtij sfondi të konventave të tregut, u bë i qartë me vendimin e tij për të ndaluar rregullimin e çmimeve të ushqimit.

Transmetimet flasin për rrethanat e kësaj ngjarjeje. Uria kishte zbritur në komunitet, kurse rritja e çmimeve të ushqimeve e kishte përkeqësuar këtë periudhë të sprovës. Në përputhje me praktikën standarde për kërkimin e kompensimit, nga Muhamedi (a.s.), u kërkua që të ndërhynte dhe të vendoste kufizim të çmimeve. Mirëpo, Muhamedi (a.s.) e refuzoi këtë kërkesë – e cila për përkrahësit e tij ishte vendim i papranueshëm. Jo vetëm që ky vendim ishte në kundërshtim me konventat e vendosura tregtare, por gjithashtu, dukej i papajtueshëm edhe me reputacionin e Muhamedit (a.s.) si kujdestar i dhembshur i të varfërve. Sa ishte i diskutueshëm ky vendim, tregon ajo çfarë ndodhi më vonë: vendimet e Muhamedit (a.s.) rrallëherë ishin kundërshtuar, por me këtë rast, erdhi deri te kundërshtimi, dhe përkrahësit e tij e autorizuan një folës që të ndikonte përsëri mbi të, për ta ndryshuar vendimin e tij. Muhamedi (a.s.) ndjeu se nuk mund ta impononte vendimin e tij vetëm përmes autoritetit personal, kështu që u tërhoq në vetmi, duke kërkuar udhëzim nga Allahu, nëse duhet të revokojë pozicionin e tij në mënyrë që të mos ndërhyjë.

Mirëpo, pas kthimit të tij, ai u përball me përkrahësit e tij dhe deklaroi se lutjet e tij, që autoritetet t’i vendosin çmimet mbetën pa përgjigje. Prandaj, ai deklaroi se ndërhyrja në këtë çështje nuk ishte në juridiksionin e tij: “Çmimet janë në duart e Zotit”– ka deklaruar Muhamedi (a.s.).

Në shikim të parë, heqja e kontrollit në çmimet e ushqimit në tregun arab në shekullin VII, ka mundur të pritet të mos ketë pasoja të mëdha. Por ekonomisti Friedrich von Hayek nuk do të pajtohej me këtë. Nëse mekanizmi i çmimeve do të ishte ‘rezultat i modelimit të menduar njerëzor’, ka deklaruar Hayeku, ‘kjo do të pranohej si një nga triumfet më të mëdha të mendjes njerëzore’. Kur të shfaqet ekonomia e drejtuar nga tregu, dhe jo nga qeveria, pasojat e kësaj janë të pafundme, sepse marrja e rregullimit të çmimeve nga autoriteti qeveritar, dhe dhënia e kësaj të drejte një dore të padukshme të tregut – ka ndikim të vazhdueshëm në stimujt ekonomik – kur sipërmarrësit, dhe jo zyrtarët, vendosin se si do të shpërndahen resurset, racionaliteti ekonomik përshkon të gjitha sferat e jetës ekonomike. Herodoti, Muhamedi dhe Hayeku e njohën rëndësinë e mekanizmit të çmimeve për aktivitetin ekonomik.

Ekstrakt nga vepra: Benedict Koehler, Islami i hershëm dhe lindja e kapitalizmit, fq. 11-12.

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit