3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vrasja e parë politike e komunistëve, në prag të një xhamie: si iu morr jeta hoxhë Selim Brahjas me djalin partizan

Më të lexuarat

“Vrasja e hoxhës së Saukut, Selim Brahja me 30 gusht 1943, prej komunistëve, vetëm pak ditë pas Konferencës së Mukjes, njihet si vrasja e parë politike në Shqipëri prej Partisë Komuniste. Selim Brahja ishte një patriot dhe besimtar i madh, kontribues në ngjarjet e pavarësisë së vendit bashkë me familjet e mëdha të Tiranës, patrioti që hapi shkollën e parë shqipe në vendlindjen e tij dhe një bamirës i njohur. Vrasja e tij, demonstrative në derën e xhamisë së Saukut, ditën e parë të Ramazanit, do të shenjonte njëherë e përgjithmonë fatin e familjes së tij. Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, kjo vrasje pa gjyq do të mbahej mend gjatë e do të përdorej në çdo rast për tju ulur kryet gjithë pasardhësve të tij”, kështu thuhej në një dokumentar të transmetuar së fundi në ciklin “Dosja K “të gazetares Admirina Peçi në A1 Report.

Për këtë vrasje, pak e njohur për publikun deri më sot, ka shkruar dhe gazetari tjetër, Roland Qafoku, të lirbri “100 vrasjet më të bujshme”, së cilës kolegia Peçi i referohet.

“Mesnatën e 30 gushtit, në xhaminën e saukut bujtën shtatë persona të panjohur. Sipas zakonit dhe rregullit dera e xhamisë ishte e hapur dhe ata nuk kishin asnjë pengesë për tu future, madje as për të fjetur aty. Mes tyre 3 ishin partizanë të çetës së Pezës, një ishte milic fashist i veshur em uniforme dhe tre të tjerët besohet se ishin banorë të zonës. Të dhënat tregojnë se një grua e fshatit afër mesnatës u solli në xhami për të ngrënë dhe më pas është larguar. Të nesërmen ishte dita e dytë e javës dhe dita e parë e ramazanit. Të shtatë prisnin që në xhami të vinte i pari i saj imami Selim Braja. Nuk gabuan. Imam Brahja mezi priste të hapte ceremoninë e ramazanit dhe të kryente ritin e faljes, teksa këmbët i drejtoi për nga xhamia. Nga shtëpia e tij tek xhamia rruga zgjati 3-4 minuta pa e menduar se kjo ishte dita e fundit në jetë. Sapo ndaloi në shkallët e xhamisë, nga brenda dolën 7 personat e armatosur. Të gjithë drejtuan armët ndaj hoxhës dhe qëlluan duke e masakruar me dhjetra plumba në trup. Pragu i xhamisë u përgjak nga nëj vrasje e padëgjuar më parë, ndërsa vrasësit u larguan me shpejtësi”, thuhet në libër me autor Qafokun.

Edhe historiani Uran Butka do ta përshkruante me këto fjalë këtë vrasje, në librin e tij “Lufta civile 1943-1945”:

“..ishte vrasja e parë politike në Tiranë…E vranë shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës me shaje të kuq në kokë. E qëlluan disa herë dhe u zhduken për t’u shpëtuar pushkëve të shtëpisë së Selim Brahjas”.

Por më paradoksal është fakti se i ndjeri i kishte nxitur djemtë të luftonin për liri, e njërin prej tyre e kishte dhe partizan

“Në familjen e tij, Selim Brahja kishte përçuar idetë patriotike dhe i kishte nxitur djemtë të luftonin kundër pushtuesve. Vetë ai nuk ju qas kurrë komunistëve, kur pa se ç’qëndrim mbajtën ata pas Konferencës së Mukjes, por djemtë e tij i inkurajoi që ti bashkohen luftës kundër pushtuesve, rrugë të cilën ata nuk e braktisën edhe pas vrasjes makabër të të atit të tyre. Djali i tij Isufi luftoi deri në ditët e fundit të luftës, pa e ditur se komunistët nuk do t’i njihnin asnjë kontribut të tij, përkundrazi do ta dënonin gjithmonë atë dhe familjen duke i kujtuar gjithë jetën se ata ishin bijtë e të pushkatuarit Selim Brahja”, raportin gazetarja Admirina Peçi.

Armiqësia e Selim Brahjas me komunistët e anasjelltas, thuhet se kishte kulmuar në dhe pas Konferencës së Mukjes, ku ai i ishte kundërvënë ashpër dhe Myslym Pezës, ndonëse të birin, Isufin, e kishte dërguar partizan në atë çetë. Ndërsa vetë Selim Brahja e kishte kundërshtuar hapur bashkimin e tij në frontin nacionalçlirimtar, me një përgjigje si një shuplakë e rëndë për komunistët:

“Unë e ndihmoj luftën me mënyrat e mija, por në Front s’mund të hyj se jam hoxhefendi”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit