Vdiq në shtratin e saj, në pleqëri të thellë, pa pasur kurrfarë brejtje në ndërgjegjen e saj. Nuk u pendua kurrë për pushkatimet pa gjyq, dhe nuk iu kërkoi kurrë të falur atyre që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve. Të përndjekurit: Nuk na vjen keq për vdekjen e një xhelateje, na vjen keq që s’u dënua
E veja e diktatorit Nexhmije Hoxha, vdiq dje në moshën 99-vjeçare, plot 35 vjet pasi bashkëshorti i saj jo vetëm në jetë por edhe në krime ndërroi jetë. Vdiq në shtratin e saj, në pleqëri të thellë, pa pasur kurrfarë brejtje në ndërgjegjen e saj. Nuk u pendua kurrë për pushkatimet pa gjyq, dhe nuk iu kërkoi kurrë të falur atyre që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve. Në vitet ‘90 drejtësia gjysmake e asaj kohe do e dënonte me disa vite burg, që nuk ishin asgjë me atë çka kishin provuar për 50 vjet dhjetëra mijëra të burgosur dhe internuar nga dora e sistemit që ngriti e bekoi i shoqi saj. Si për ironi të fatit, pikërisht si dje 69 vjet më parë diktatura komuniste do pushkatonte në periferi të Tiranës, 22 intelektualë, mes tyre dhe një grua Sabiha Kasimatin. Një femër patriote, e shkolluar në Itali për biologji. Nexhmije Hoxha në fillimet e saj do ishte një vajzë liceu e ardhur nga Dibra që vazhdoi liceun e vajzave “Nëna Mbretëreshë” dhe Sabiha Kasimati ka qenë mësuesja e saj. E veja e diktatorit nuk foli asnjë fjalë aso kohe megjithëse i njihte mirë bindjen antifashiste të Kasimatit. Vetë Nexhmije Hoxha sipas dokumentave të dala së fundmi ka qenë në vitet 1940-1941 anëtare e partisë fashiste, dhe po atë vit, pra në 1941 menjëherë pas krijimit të Partisë Komuniste u bë ndër të parat anëtare të saj. Ajo gjatë kohës që ishte gjallë nuk e ka përmendur asnjëherë këtë fakt, megjithëse për një gjë të tillë janë vrarë e burgosur jo pak të shqiptarë të tjerë. Pas mbarimit të luftës ajo ka mbajtur postet drejtuese të hierarkisë së kohës, ndër to dhe kryetare e Frontit Demokratik që ishte përgjegjës për internim dëbimet e qytetarëve.
Të përndjekurit
Kreu i ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni ka reaguar në lidhje me vdekjen e Nexhmije Hoxhës, gruaja e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila ndërroi sot jetë në moshën 99-vjeçare. Në një dalje televizive Ndregjoni pohoi se sot (dje) u largua nga jeta një xhelate e shoqërisë shqiptare, e cila sipas tij ka bërë krime që nuk u dënuan nga qeveritë shqiptare paskomuniste. “Një ndjesi boshllëku do ta quaja. Që u largua një xhelate nga shoqëria shqiptare e cila për krimet që bëri, nuk u dënua, por u dënua për kafe. Një maskaradë e qeverive shqiptare paskomuniste që mos të dënonte krimet e saj dhe të bashkëshortit të saj Enver Hoxha. Kur vdes një xhelat nuk ka ndjesi, por ndihesh shumë i trishtuar kur mbas 30 vitesh pluralizmit politik, 4500 familje kërkojnë eshtrat e njerëzve të tyre dhe kjo klasë politike e papërgjegjshme në vend që t’i gjente këto eshtra, i ka lënë këto familjarë në zi. Çdo gjë do ta pranoja, por sigurisht që Nexhmie Hoxha dhe në vitin e fundit të vdekjes së saj me librin e saj fliste me një urrejtje ndaj të përndjekurve politikë. Ndaj çfarë ndjesie mund të kesh për një xhelate.”, -tha ai.
Historia
Historia komuniste e Shqipërisë është më e trishta në Evropën lindore, pasi ishte dhe diktatura më e egër. Ai sistem, ku kurorën e mbretëreshës e mbante gruaja që vdiq dje, prodhoi jo pak viktima. Kanë vdekur fëmijë në kampe internimesh, janë pushkatuar gra shtatzëna, nënat janë detyruar të varrosin foshnjat. E gjitha kjo se diku një i afërm i tyre kish shprehur një fjalë kundër sistemit, apo kish dashur të shpëtonte nga vargonjtë e diktatit duke u arratisur. Janë vrarë baballarët e janë burgosur djemtë, apo më keq akoma. Janë vrarë djemtë e janë internuar pleqtë të cilët detyroheshin të punonin në kënetën e Maliqit, të Lushnjës e Tepelenës. Historitë nuk kanë fund dhe vargu i atyre që rrëfejnë. Shumë prej ish të përndjekurve kanë marrë kompensim financiar ndër vite, i pamjaftueshëm por kanë marrë. Dhe gjithsesi nuk mjafton. Kompensimi nuk duhet vetëm material por edhe moral, dhe ky i fundit ka munguar. Historia e Rumanisë na e tregon më së miri këtë. Nikola Çaushesku dhe gruaja e tij Helena u ndëshkuan për atë që bënë. Në Shqipëri nuk ndodhi. Qoftë diktatori, qoftë ajo që la pas vdiqën të dy në shtratin e tyre.
Dervishi: E nisi si zogiste, e vazhdoi si fashiste, e mbylli si 99-çe
Historiani Kastriot Dervishi me anë të një postimi në Facebook, ka bërë dhe një përmbledhje të asaj se kush ka qenë Nexhmije Hoxha. “Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e diktatorit më të egër që ka parë toka shqiptare, atij që i solli dëme të pallogaritshme vendit, dëme që as pushtuesit nuk ia shkaktuan, vdiq sot me të vërtetë. Njeriu që ishte përgjegjës po aq sa bashkëshorti i saj, nuk do të vazhdojë më të bëjë propagandën e idealit kriminal. Nga ajo dhe bashkëshorti i saj, mijëra familje mbetën pa të afërt, ndërsa vendi u zhyt në varfëri e krim. Ajo e nisi jetën duke nderuar si zogiste. Si karrieriste që ishte u vesh edhe fashiste. E vazhdoi e përfundoi si komuniste. Ishte shefja e propagandës komuniste dhe mbështetësja dhe frymëzuesja më e ngushtë e Enver Hoxhës në krimet e tij. Jeta e saj mbeti duke e lënë një 99-çe”, thotë Dervishi.
Skeda politike e Nexhmije Hoxhës (1921-2020)
-Anëtare e Partisë Fashiste, 1940-1941
-Anëtare e Partisë Komuniste, 1941-1948
-Anëtare e Partisë së Punës, 1948-1991
-Drejtore e Drejtorisë së Agjitacionit e Propagandës në Komitetin Qendror, 1950-1958
-Drejtore e Drejtorisë së Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror, 1958-1966
-Drejtore Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Komitetin Qendror, 1966-1991
-Deputete e Kuvendit Popullor, 1948-1991
-Anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, 1948-1991
-Anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor, 1950-1954
-Kryetare e Frontit Demokratik, 1986-1990
-E burgosur për abuzime financiare, 1991-1997
Çika: Nuk më vjen keq për një xhelate, u pastrua shoqëria nga mbetjet
Kreu i Shoqatës Antikomuniste dhe ish-të Përndjekurve Nebil Çika deklaroi dje se Nexhmije Hoxha ishte iniciatore e shumë krimeve në kohën e diktaturës dhe ishte e papenduar deri në fund te jetës për atë çfarë kish ndodhur në këtë vend. “Nuk përmendet pjesa që ka qenë bashkëpunëtore në krimet e diktatorit. Ka qenë një anëtare e partisë fashiste. Ajo ishte iniciatore e shumë krimeve dhe e papenduar deri në fund të jetës për krimet që kishte kryer bashkëshorti i saj dhe diktatura. Ishte një nga autoret më të rrezikshme të krimeve kundër njerëzimit në Shqipëri. Është një pastrim nga shoqëria, nga këto lloj mbetjesh që kanë marrë jetën e miliona shqiptarëve. Komunizmi ka rrënjë të thella në Shqipëri. Ajo kishte akoma përkrahës, apo autorë të krimit të komunizmit dhe janë ende në pushtet. Autorë të krimit të njerëzimit, janë sot në postet më të larta drejtuese të shtetit shqiptar. Gjithsesi nuk mund të them se jam i keqardhur për vdekjen e saj. Unë mendoj se ka shumë rrënjë të thella komunizmi në vend, jo vetëm në burimet njerëzore. Shqipëria nuk e ka bërë dot shkëputjen me diktaturën komuniste, pasi nuk ka ndëshkuar personat përgjegjës për krimet.” – u shpreh Çika.