2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Vrasja e Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidi

Më të lexuarat

Në radhë të parë u kërkoj të gjithë atyre që janë bezdisur nga këto diskutime të ma bëjnë hallall, por mendoj se po trajtoj disa tema që kanë interes, qoftë kjo edhe për një pjesë të vogël të myslimanëve.

Në listë trajtohen tema nga më të ndryshmet, çdo anëtarë mund të ketë preferencat dhe ato që i duken më parësore sipas tij, por meqë ky është një forum i hapur larmishmëria pa njëfarë koherence është e pashmangshme.

Historia Islame dhe shkenca e hadithit

Para se të trajtoj temën e titullit, e pashë të nevojshme të bëj një hyrje të domosdoshme për sa i përket vërtetësisë ose jo të ngjarjeve historike.

Duhet të dimë se ne si umet krahas mirësive të shumta që Allahu na ka dhuruar është edhe mirësia e autenticitetit apo e vërtetësisë historike të teksteve fetare mbi të cilat ne bazojmë fenë tonë, një domosdoshmëri kjo që asnjë umet më parë nuk e ka pasur dhe që vërtetë është për të na e pasur zili. Ruajtja dhe shkrimi i hadithit, njëri nga dy burimet e Uahjit të Allahut, nuk ka kaluar në të njëjtin proces ruajtje si edhe Kurani. Fakte të sakta na informojnë se shkrimi i hadithit ka filluar që në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe ka vazhduar edhe në kohën e sahabeve, por kjo e kufizuar dhe individuale për shkak të një ndalese kolektive që ka pas nga ana e Profetit si dhe një lejes për disa persona. Apo kufizim i përkohshëm për të mos u përzier me tekstin e Kuranit.., çështje kjo që shtjellohet më gjatë në librat që merren me këtë temë si për shembull ‘Takjid el-ilm’ i El-Hatib El-bagdatit (v. 463 h.).

Koha kur filloi mbledhja dhe shkrimi i hadithit nëpër vepra të veçanta në mënyrë masive dhe të organizuar (teduini zyrtar) i përket periudhës së sundimit të halifit umeuij Umer ibn Abdulaziz, pra periudhës së tabiinëve të vegjël si imam Zuhri (v.123 h.) e të tjerë.[1] Thashë masive dhe të organizuar për të mos lënë përshtypjen se fillimet e tij qenë në këtë kohë siç pretendojnë orientalistët jo objektiv. Në fakt ajo që desha të ndalem në këtë hyrje të shkurtër ka të bëjë me atë që dijetarët e Islamit të gjendur para një pune kolosale që i priste i vunë vetes disa përparësi. Dhe kjo është e natyrshme pasi të gjendesh para mijëra e mijëra transmetimesh nuk është e lehtë që të klasifikohen një numër kaq i madh kush janë autentiket dhe kush jo, shto këtu edhe vështirësinë që kërkonte kjo punë në atë kohë. Mirëpo kjo ishte një barrë që duhej të kryhej sa më shpejt dhe më mirë dhe para gjithë këtij mali të madh vënia e përparësive ishte diçka e natyrshme dhe e domosdoshme. Dhe kështu dijetarët u treguan së tepërmi rigoroz në çështjet thelbësore të fesë në ato gjëra për të cilat kishte nevojë bashkësia si për shembull në çështjet e hallallit dhe haramit dhe kështu që detyrimisht transmetimet historike ishin ato të cilat nuk përfshiheshin në këto përparësi. Në një situatë të tillë është e natyrshme që kjo detyrë e mbledhjes së historisë të nxjerrë në pah edhe njerëz më pak kompetentë që janë marr me këtë fushë të dijes duke transmetuar me kritere të dobëta apo edhe pa asnjë kriter lloj-lloj ngjarjesh dhe hollësish të pavërteta. Po ashtu edhe vetë dijetarë të mëdhenj si për shembull Ibn Xherir Et-tabari citojnë transmetime jo të sakta nëpër librat e tyre. Kjo për disa arsye:

  1. Qëllimi i tyre ka qenë grumbullimi dhe jo përzgjedhja e cila kërkon kohë dhe mund dhe të privon nga shkrimi dhe grumbullimi i shpejtë i dijes. Mos harrojmë këtu që Buhariut iu deshën vite të tëra për të shkruar Sahihun e tij.
  2. Transmetimet ata i paraqesin me zinxhir transmetimi, pra me atë që quhet sened apo isnad, kështu që ata që do të vinë më pas të kenë mundësi të bëjnë verifikimin e tyre, duke shkarkuar kështu një barrë nga vetvetja.
  3. Paraqitja e transmetimeve historike qofshin këto të sakta ose jo në libra autoritativ ka rëndësi sepse u mbyll rrugën autorëve më të dobët apo edhe njerëzve që për qëllime të caktuara mund të bëjnë montime isnadesh për të nxjerrë të saktë ose të pasaktë gjëra që u përgjigjen qëllimeve të tyre. Ndaj dhe paraqitja e këtyre transmetimeve ashtu siç janë u mbyll rrugën këtyre njerëzve pasi menjëherë do të zbulohet se pikërisht filan transmetim që tek filan autor i besueshëm gjendet me këtë isnad tek një tjetër më pak ose aspak i besueshëm gjendet me isnad tjetër të papërputhshëm me të parin, kur dihet që isnadi është shtylla kryesore në verifikimin e kujtdo transmetimi.
  4. Ngjarjet historike që nuk kanë të bëjnë me çështjet e besimit apo të sheriatit tolerohet me to pasi e rëndësishme prej tyre është të vilet urtësia e përgjithshme që përmbajnë, dhe jo hollësirat që shpesh humbasin saktësinë e tyre në të tilla transmetime.

Mirëpo duke qenë se në bazë të këtyre transmetimeve mund të ngrihen ide të gabuara për një çështje të caktuar, atëherë është e domosdoshme të vihet në funksionim shkenca e hadithit, peshorja më mirë që ka shpikur ndonjëherë njerëzimi për verifikimin e autenticitetit të historisë.

Dhe për ta mbyllur këtë hyrje, tepër të përmbledhur, do të citoj komentatorin dhe historianin e madh Et-tabari i cili në hyrje të librit të tij të historisë thotë:

Ato lajme që gjenden në këtë librin tim të cilat i kemi përmendur nga ata që qenë para nesh dhe në to ka gjëra që lexuesit i duken të papranueshme apo dëgjuesit i duken të shëmtuara, për shkak se ato nuk janë të sakta apo edhe janë të pakuptimta, le ta dijë se kjo nuk ka ardhur prej nesh por nga një pjesë e transmetuesve të cilët i kanë përcjellë ato deri tek ne. (v.1, fq.5)

Vrasja e Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidi

Muhsini thotë:

O vella Ismail lexo mire, pse mundohesh te perzish te vërtetën me te pavertet: jezidi nuk i pat urdhëruar ata që ta vrisnin Husjenin a.s?…

Përgjigje:

Nuk e di se cila është arsyeja që ju qenkeni njohës i të vërtetës dhe pranues i saj dhe unë ai që i përziekam të vërtetat me të pa vërtetat? Me çfarë peshoreje e mat këtë gjë? Nëse unë të citoj dijetarë se çfarë kanë thënë ata, që e njohin më mirë të vërtetën sesa unë edhe ti, ku qëndron manipulimi im këtu? Nëse unë të sjell fakte historike me referencat përkatëse për çështjen në fjalë dhe ju nuk sillni asgjë për këtë pikë por vetëm fillon të më numërosh të këqijat e Jezidit, atëherë kush ka të drejtë? Po, ke të drejtë nëse do të ma faktosh se unë po luaj me ju dhe po gënjej dhe të gjitha ato që thashë janë manipulime. Për shembull: ke cituar këtë kështu dhe në fakt është kështu, etj. Unë edhe sikur të luaj me ju këtu, ma ha mendja se ju nuk keni për të marrë vesh asgjë, sepse e pashë sesa të përgatitur jeni dhe sesa e njihni shiiizmin, por unë e di që jam para Allahut dhe do të jap llogari për çdo fjalë të timen. Dhe e di që të përziesh të vërtetën me të pavërtetën është krim, është haram, dhe kjo të çon në zjarr të Xhehenemit. Por ajo që më vjen vërtetë keq është se gjendem para disa njerëzve që nuk kanë dije për të mbrojtur atë që besojnë, çka tregon verbërinë e tyre, por sidoqoftë një verbëri më të vogël sesa ata që e dinë të vërtetën dhe mbyllin sytë para saj.

Tash do të jap disa prej citateve që mbështesin pohimin e Ibn Tejmijes se ai nuk urdhëroi për vrasjen e Husejnit (radijallahu anhu):

Dhehebiu në Tarihul Islam (2/57) tregon: Kur Jezidi u vendos halife dhe iu dha besa ai i shkroi prijësit të Medines El-uelid ibn Utbe: Thirri njerëzit të japin besën dhe filloje këtë me elitën e kurejshëve. Le të jetë i pari ai me të cilin ti do të fillosh Husejni, dhe sillu butë me të.

Ibn Kethiri në El-bidaje ue en-nihaje thotë: …Dhe Jezidi dërgoi urdhër që të shkarkohej En-nu’mani nga Kufja dhe atë ia ngarkoi Ubjedilah ibn Zijadit bashkë me Basrën, dhe kjo sipas këshillës së Serxhun-it ish skllavi i Jezdit, Jezidi konsultohej me të.

-Serxhuni i tha: A do t’ia pranoje Muaujies këshillën nëse ai do të ishte gjallë?

-Ai tha: po!

-Serxhuni i tha: pranoje prej meje pra, se për Kufen nuk vlen vetëm se Ubejdilah ibn Zijadi, ndaj emëroje atë atje.

Jezidi e urrente Ubejdilah ibn zijadin dhe donte ta shkarkonte edhe nga Basra, por ia ngarkoi edhe Basrën edhe Kufen, për tu bërë ajo që donte Allahu me të dhe të tjerët. Më pas Jezidi i shkroi Ibn Zijadit:

Kur të shkosh në Kufe; kërko Muslim ibn Akil dhe nëse mundesh vrite atë ose largoje. Dhe këtë letër ai e dërgoi me Muslim ibn Amr el-bahili dhe Ibn Zijadi shkoi nga Basra në Kufe… (8/145, bot i pestë 1998 Dar el-hadith Kajro)

Jezidi kish njohuri për lëvizjet e Husejnit radijallahu anhu, ndaj dhe kur Husejni vendosi të drejtohej drejt Kufes ai i shkruan Ibn Zijadit duke i thënë:

Më kanë ardhur lajme se Husejni është nisur për në Kufe. Koha jote është vënë në sprovë në mes kohëve, po kështu edhe vendi yt mes vendeve të tjerë dhe ti je vënë në sprovë mes valinjve. Në të tilla raste o do të lirohesh nga robëria ose do të kthehesh përsëri rob ashtu siç robërohen skllevërit.

Mexhmeu ez-zeuaid (9/193) i Hejthemit i cili thotë: transmetuesit janë të besueshëm porse Ed-dahaku (ai që tregon ngjarjen) nuk e ka arritur kohën e ngjarjes.

Ndërsa në një trasmetim tjetër tek Tarih Et-tabari (3/293) ai shton:

Vër njerëz që të gjurmojnë dhe patrulla të armatosura, zbuloji me hamendje gjërat dhe vepro kur dyshon. Por mos vrit vetëm atë që të lufton dhe më shkruaj për çfarë do gjëje që do të ndodh. Ues selamu alekje ue rahmetullah.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se në librin Tarih El-jakubi ky tekst shndërrohet në nxitje për vrasjen e Husejnit duke rënë në kundërshtim me transmetimin e mësipërm. Por autori nuk përmend asnjë zinxhir transmetimi, ashtu si gjatë gjithë librit të tij, çka e vë librin dhe faktin në fjalë në pozita të dobëta besueshmërie aq më tepër kur ai bie në kundërshtim me librat dhe transmetimet më autoritative se ai. E vërteta është se libri në fjalë dhe autori i tij nuk gëzojnë ndonjë respekt në qarqet shkencore islame përsa i përket vërtetësisë së tij, për vetë arsyen se ai nuk jep zinxhirët e transmetimit por është mjaftuar me përmendjen e vetëm disa prej atyre nga të cilët transmeton në fillim të librit pa e shtjelluar më tej. Padyshim që kjo përbën një mangësi të dorës së parë në metodologjinë e shkrimit të veprës. Dhe për rrjedhim vlerën e ulët të tij si libër.[2] Njëkohësisht autori në të gjithë librin e tij shfaq një shiizëm të tepruar dhe kjo duket gjatë gjithë librit të tij, për shembull kur flet për periudhën e tre Halifëve të drejtë thotë: Ditët e Ebu Bekrit, Ditët e Umerit, Ditët e Uthmanit, ndërsa kur përmend Aliun thotë: Hilafeti i prijësit të besimtarëve, hilafeti i Hasanit. Nga kjo kuptohet se ai nuk i njeh ata për Halifë të ligjshëm, siç bëjnë të gjithë rafidhat në fakt. Kush e lexon librin e tij e shikon qartë sesi i ekzalton imamët e shiave dhe i cenon sahabet dhe myslimanët e tjerë.[3] Me të tillë libra argumentohen shiat.[4]

Më pas Ibn Kethiri, për shembull, për faqe të tëra me radhë tregon rrjedhën e ngjarjeve dhe nuk përmend asnjë mesazh tjetër të Jezidit për Ibn Zijadin, ndërkohë që sipas asaj që u tha më lartë Ibn Zijadi duhet të informonte Jezidin, gjë që nuk e bëri dhe ndodhi ajo që tashmë dihet.

Në faqen 170 duke përmendur fjalët e një prej njerëzve të Husejnit (radijallahu anhu) Ibn kethiri thotë:

Nga njerëzit e Husejnit doli Zuhejr ibn El-kajn mbi kalë dhe tha: O banorë të Kufes, u paralajmëroj juve për ndëshkimin e Allahut! Është e drejta e një myslimani që të këshilloj vëllanë e tij myslimanë, dhe ne deri tani jemi vëllezër dhe në një fe të vetme dhe mes nesh dhe jush nuk ka hyrë shpata dhe po hyri shpata s’ka më paprekshmëri dhe ne atëherë do të jemi një umet dhe ju një umet tjetër. Allahu na ka sprovuar ne dhe ju me pasardhësit e Profetit të Tij që të na shoh sesi ne edhe ju do të veprojmë. Ne ju ftojmë ju që ta ndihmoni atë dhe ta braktisni tagutin të birin e tagutit, Ubejdullah ibn Zijadin. Sepse ju nuk keni parë nga sundimi i atyre të dyve vetëm se keq, ata ju nxirrnin sytë, ju prisnin duart dhe këmbët dhe ju copëtonin kufomat tuaja. Ata vrisnin më të mirët tuaj dhe lexuesit tuaj të Kuranit, siç qe Haxher ibn Adij dhe shokët e tij, Hani ibn Uruetu e të tjerë si ai.

Por ata e shanë atë dhe e lavdëruan ibn Zijadin dhe u lutën për të dhe i thanë: nuk kemi për tu larguar derisa të vrasim mikun tënd dhe ata që janë me të. Dhe ai u tha atyre: Fëmijët e Fatimes janë më parësor për tu dashur dhe për tu ardhur në ndihmë sesa të birit të Sumejes (ibn Zijadi). Nëse ju nuk u vini në ndihmë atyre ju kërkoj që për hir të Allahut mos ti vrisni ata. Lërini këtë burrë (Husejnin) të shkojë tek djali i xhaxhait të tij Jezid ibn Muauije, e të shkojmë ku të dojë ai, se pasha Zotin Jezidi është i kënaqur me bindjen tuaj pa e vrarë Husejnin. Por Shimr ibn El-xheushin e gjuajti me shigjetë dhe i tha: pusho … (fq.170)

E citova këtë për të treguar se edhe vetë mes radhëve të Husejnit (radijallahu anhu) ekzistonte një opinion i tillë, që ishte Ibn Zijadi ai që po kërkonte me çdo kusht që Husejni ose t’i bindej atij ose ta vriste dhe nuk qe Jezidi ai që e pat urdhëruar drejtpërdrejtë atë për vrasjen e Husejnit. Por me këtë nuk duam ta nxjerrim të larë Jezdin nga çdo gjë, pasi më e pakta gjë ai e emëroi një njeri të tillë gjakatar si Ibn Zijadi dhe mjafton vetëm kjo për të qenë edhe ai përgjegjës. Por ajo që unë desha të trajtoj këtu është pikërisht pohimi i Ibn Tejmijes dhe çudia e Muhsinit që Jezidi nuk paska urdhëruar për vrasjen e tij dhe jo se dua të shfajësojë Jezidin për gjithçka, meazallah, dhe ta nxjerrë atë njeri pa gjynahe, jo! Kush e ka lexuar materialin megjithëse ai nuk zgjatet në këtë pikë e shikon se edhe Jezidi atakohet aty. Por meqë u akuzuam pa të drejtë si njeri që mundohem të arsyetoj veprën e Jezidit, u detyrova ta bëj këtë sqarim!!

Por le të vazhdojmë. Ibn Kethiri thotë:

Ibn Hishami thotë: më ka treguar Abullah ibn ….nga El-gaz ibn Rebia el-xhershi të ketë thënë:

Pasha Allahun unë isha tek Jezid ibn Muauije në Damask kur erdhi Zuhr ibn Kajs dhe hyri tek Jezidi dhe Jezidi i tha: Mjerë ti, ç’sjell mbas vetes? Dhe ai i tha: të përgëzoj o prijësi i besimtarëve për begatinë e Allahut ndaj teje dhe fitoren e Tij. Tek ne erdhi Husejn ibn Alij ibn Ebu Talib dhe tetëmbëdhjetë veta nga familja e tij, si dhe gjashtëdhjetë veta nga pasuesit e tij. Ne shkuam drejt tyre dhe kërkuam që ata të dorëzohen dhe t’i nënshtrohen gjykimit të prijësit Ubejdilah ibn Zijad ose ndryshe luftë. Dhe ata zgjodhën luftën. Ne shkuam drejt tyre me lindjen e diellit dhe i rrethuam nga çdo anë derisa shpatat filluan të bëjnë punën e vetë në kokat e tyre… (përshkruan betejën).

Transmetuesi tha: Jezid ibn Muauijes i rrodhën lot nga sytë dhe tha: Isha i kënaqur të më bindeshit pa e vrarë Husejnin. Allahu e mallkoftë të birin e Sumejes (Ibn Zijadin). Pasha Allahun nëse unë do të kisha qenë në vend të tij do ta kisha falur, Allahu e mëshiroftë Husejnin. (fq. 180)

Po ashtu Ibn Kethiri përmend: Kur Jezidi u nda me ta i tha Ali ibn Husejnit: Allahu e shëmtoftë Ibn Sumejen. Pasha Allahun, nëse do të kisha qenë unë, çfarëdo që të më kërkonte babai yt unë do t’ia kisha pranuar, dhe do ta kisha shmangur vdekjen nga ai me ç’të kisha mundësi… (fq. 184)

Me këto që citova krijohet përshtypja si kur po e nxjerr Jezidin si njeri të mirë, por nuk është domosdoshmërish kështu. Unë përzgjodha disa fraza nga libri i Ibn Kethirit dhe disa trasmetime të tjera, thjesht për të treguar se vrasjen e Husejnit (radijallahu anhu) e ka bërë Ibn Zijadi me kokë të tij dhe nga këto citime kjo duket qartë. Si dhe për tu treguar shiave anën tjetër të transmetimeve që ata të jenë më objektiv me historinë dhe mos të rendin mbas emocioneve por fakteve të sakta.

Ju mund të thoni se ai e dëshironte një gjë të tillë, kjo është diçka tjetër dhe ne nuk e dimë seç kishte në zemër ai por edhe nëse është kështu ne nuk kemi fakte të sakta të paktën të themi se ai urdhëroi drejtpërdrejt Ibn Zijadin për vrasjen e tij. Ajo që kuptohet është se ai nuk kishte dijeni për këtë vetëm se pas ngjarjes dhe Allahu e di më së miri.

Ibn Kethiri thotë: …Kur Ibn Zijadi e mësoi këtë se çfarë ata donin nga kjo dynja i kapi nga kjo anë dhe i detyroi me të mirë e me të keq, dhe ata u larguan nga Husejni dhe e braktisën atë dhe më pas e vranë. Dhe jo e gjithë ushtria ishte e kënaqur me vrasjen e tij, madje as Jezidi u kënaq me këtë dhe Allahu e di më së miri, dhe as e urreu këtë. Por ajo që më së shumti ma ha mëndja është se nëse ai do të kishte pas mundësi para se të vritej do ta kishte falur ashtu siç e pat porositur i ati për këtë gjë dhe siç e shprehu edhe vetë këtë për veten e tij. Ai e mallkoi ibn Zijadin për atë që bëri dhe e shau, mësa duket, por nuk e shkarkoi për këtë që bëri dhe as nuk e ndëshkoi dhe as nuk çoi ndonjë që ta kritikonte për këtë dhe Allahu e di më së miri. (fq. 191)

Muhsini thotë:

Egziston e Vërteta dhe gënjeshtra, mesi nuk egziston. Ose do te jesh me Imam Hyseinin a.s ose me jezidin,tjetër rruge apo përzierje nuk egziston.

Përgjigje:

Ekziston e vërteta ekziston edhe gënjeshtra dhe nuk ka mes…! Kush është e vërteta, e kush gënjeshtra dhe kush nuk na qenka mesi?

Transmetimet janë kontradiktore, shumë prej tyre nuk janë autentike, çfarë pozicioni duhet të mbajmë ne në një situatë të tillë? Të pozicionohemi në mënyrë arbitrare në njërin krah apo tjetrin?! Bota dhe historia nuk është vetëm bardhë e zi! Shumë fragmente të saj ngelen edhe sot e kësaj dite të paqarta, si për shembull rasti konkret: në urdhëroj Jezidi për vrasjen e Husejnit apo jo! Dhe a e donte vërtet diçka të tillë ai apo të gjitha ato që u thanë për të janë të pavërteta apo edhe hipokrizi?! Edhe vetë Ibn Kethiri i vënë në një pozitë të tillë thotë: Shiat dhe rafidhat kanë plotë gënjeshtra dhe të pavërteta sesi u vra Husejni, por ajo që kemi treguar mjafton. Disa prej atyre që kemi treguar janë të diskutueshme, dhe sikur të mos kish qenë Ibn Xheriri dhe Hafidha të tjerë që i kanë përmendur nuk do ti kisha cituar. Shumica e tyre janë transmetuar nga Ebu Muhanef Lut ibn Jahja, i cili ka qenë shiitë, dhe i dobët në hadith sipas dijetarëve, por ai qe një lajm-transmetues (ihbarijun) hafiz dhe ka kësi lloj gjërash që nuk i gjen tek të tjerët, ndaj dhe i drejtohen shumë prej libra-shkruesve në këtë çështje dhe Allahu e di më së miri. (8/191)

Ibn Haxher pohon: Autorë të hershëm kanë shkruar rreth vrasjes së Husejnit dhe kanë mbledhur në to të sakta dhe të pasakta. (El-isabe: 2/81)

Që urdhri i Jezidi për vrasjen e Husejnit (radijallahu anhu) është diçka e pa vërtetuar e mbështesin edhe dijetarë të tjerë veç Ibn Tejmijes dhe Ibn Kethirit.

Ibn Salahu (v.643h.) thotë: Për ne nuk rezulton e saktë se ai (Jezidi) pat urdhëruar për vrasjen e tij-pra të Husejnit radijallahu anhu-, por ajo që është e saktë është fakti se ai që urdhëroi për ta luftuar dhe vrarë atë qe Ubejdilah ibn Zijadi, valiu i Irakut në atë kohë.[5]

Gazaliu (v.504 h.) thotë: Nëse thuhet: a lejohet të mallkohet Jezidi sepse ai ka vrarë Husejnin apo ka urdhëruar për vrasjen e tij? Themi se një gjë e tillë nuk rezulton e vërtetë. Ndaj nuk lejohet që të thuhet se ai e ka vrarë atë apo ka urdhëruar për vrasjen e tij, përderisa nuk rezulton e vërtetë, e jo më të mallkohet. Sepse nuk lejohet që myslimanit t’i përshkruhet një gjynah i madh pa e verifikuar atë.[6]

Ndërsa Ibn Tejmije thotë: Jezid ibn Muauije nuk urdhëroi për vrasjen e Husejnit, dhe kjo sipas të gjithë transmetuesve. Por ai i shkroi Ibn Zijadit që ta ndalonte atë nga vilajeti i Irakut. Kur Jezidi mori vesh për vrasjen e Husejnit ai tregoi dhimbje, dhe vajtimi u shfaq në shtëpinë e tij. Ai nuk skllavëroi ndonjë prej femrave të familjes së tij por i nderoi ato dhe i pajisi me dhurata dhe i ktheu për vendin e tyre. Ndërsa përsa i përket transmetimeve, në librat e shiave, se gratë e familjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) u poshtëruan dhe u dërguan në Sham si skllave dhe atje u poshtëruan; kjo nuk është e vërtetë. Beni Umeje e respektonin familjen e Beni Hashimit, ndaj dhe kur Haxhaxh ibn Jusuf u martua me Fatimen të bijën e Abdullah ibn Xhafer, Abdulmelik ibn Meruan refuzoi dhe e urdhëroi Haxhaxhin që ta divorconte atë, …asnjëherë ndonjë hashimite nuk është marrë skllave.[7]

Ndërsa Ebu Abullah Edh-dhehebi, një historian bashkëkohorë ky në materialin e tij: Istishhad EL-husejn radijallahu anhu thotë: Nuk ke për të gjetur rast të ngjashëm në histori ku si historianët ashtu edhe njerëzit të kenë kaq shumë mospërputhje si në rastin e vrasjes së Husejnit radijallahu anhu dhe faktet që paraqiten për të. Duke filluar që nga shkaqet e para deri tek mashtrimi dhe tradhtia e beduinëve. Një vështrim historik i mprehtë dhe larg ekseseve apo skajshmërive na bën që të gjendemi në mëdyshje të madhe. Sepse çdo grup ka mendimin e tij dhe argumentet e tij. Ne nuk na mbetet vetëm se të lutemi për ta dhe t’i kërkojmë Allahut të na fal si ne edhe ata. Unë kam bindjen se çështja e konfliktit mes Husejnit (radijallahu anhu) dhe Jezidit, duhet të mos diskutohet, sepse kjo është më mirë sesa të flasim për gjëra që nuk i dimë. Fjala më e zgjedhur në këtë rast është se Husejni ka shkuar tek Zoti i tij si martir dhe luftëtar (muxhahid). Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe i dhëntë atij kënaqësi, dhe na bashkoftë me njerëzit e mirë në shtëpinë e përjetësisë.

Ndërsa rreth kësaj përleshje të përgjakshme dhe të dhimbshme mes Husejnit dhe Jezidit po them: Allahu ka për t’i ndarë gjërat mes tyre Ditën e Kiametit. Unë me gjithë studimet, opinionet dhe referencat që kam nuk guxoj të them tjetër gjë veç kësaj: Allahu na faltë ne dhe ata. (fq.9)

Disa faqe më pas ai pohon: Kjo është e vërteta e dhimbshme, burimi dhe degëzimi i saj, dhe mjafton. Kjo është çështja e Jezidit dhe vrasjes së Husejnit, o të përmendet e gjitha me çdo imtësi ose të mbyllet dhe të mos hapet. Ama të fragmentarizohet dhe stenografohet[8] me këtë pamje siç qarkullon nëpër gojët e njerëzve – vrasja e Husejnit- kjo është falsifikim dhe mashtrim. (fq.13)

Besoj se këto janë fjalët më të mira për ta mbyllur këtë pikë.

Pozicioni i sunnijve ndaj Jezidit

Edhe më parë është cekur diçka shkurtimisht nga Ibn Tejmije dhe këtu do të ndalemi pak më gjatë. Nuk kisha ndërmend ti hyja këtij sqarimi pasi ka shumë gjëra më të rëndësishme por ja që një akuzë me dy fjalë të detyron ndonjëherë! Por le të sqarohen të paktën sunnijtë sepse gjithë këtë material më tepër për ta po e shkruaj. Pasi i kam parë reagimet (heshtjen) e shiave për gjëra shumë të rëndësishme që atakonin doktrinën e tyre dhe nuk morën vesh as me fakte dhe as me gjë tjetër dhe jo më të marrin të njëjtin pozicion si sunijtë për Jezidin, gjë që as nuk e mendoj. Por ja që objektiviteti më detyron ti them gjërat ashtu siç janë, pavarësisht se për shiat kjo është shumë pak dhe duan të jemi ose të bardhë ose të zinj, ose me Husejnin-radijallahu anhu- ose me Jezidin! Por edhe kur deklarohemi me Husejnin, u dashka që ta shajmë dhe mallkojmë dhe ta nxjerrim edhe prej feje Jezidin dhe të atin e tij se ndryshe jemi të përhirtë! A thua se Jezidi dhe i ati i tij paskan qenë vetë Ebu Xhelhi dhe Ebu Lehebi, që kush nuk pozicionohet diametralisht 100% kundra tyre dhe ndoshta edhe dyshon në kufrin e tyre qenka si ata dhe kundra Husejnit!!! Allahu na ruajt nga logjika bushiste ”o me ne o kundra nesh”! Sikur bëhet fjalë këtu për kufr apo për iman që u dashkemi të zgjedhim mes tyre!

Dhe tani do tu citoj Dhehebiun nga libri i tij Sijer Alam En-nubela (vol.4) se çka thotë për Jezidin.

Dhehebiu thotë: Ai mes të metave të tij ka pas edhe një të mirë. Dhe ajo qe lufta e Kostandinopojës ku ai qe prijës në atë ushtri, mes të cilës kishte njerëz si Ebu Ejub El-ensarij. (fq.36)

Jezidin as nuk e shajmë dhe as nuk e duam. Njerëz si ai ka pas mes halifëve në të dyja shtetet, por edhe mes mbretërve të tjerë. Madje mes tyre do të gjesh edhe më të këqij se ai. Por çështja e tij qe e madhe sepse ai mori pushtetin vetëm dyzetë e nëntë vjet pas Profetit (salallahu alejhi ue selem), pra qe afër dhe kishte akoma sahabe, siç qe Ibn Umeri që ishte më parësor se ai, i ati dhe gjyshi i tij. (fq.36)

Dhehebiu thotë gjithashtu: Ishte i fuqishëm, guximtarë, i vendosur, kishte mendjemprehtësi, orator, bënte edhe poezi. Ishte nasibi, i ashpër, brutal dhe i vrazhdë. Pinte pije dehëse dhe bënte të këqia. (fq.37)

E inauguroi shtetin e tij me vrasjen e shehid Husejnit dhe e mbylli atë me ngjarjen e Harres (në Medine të cilën e përmendi edhe Muhsini), ndaj dhe njerëzit e urryen. Nuk pati bereqet në jetën e tij. Pas Husejnit kundra tij dolën edhe të tjerë. (fq.38)

Interesant është fakti se Dhehebiu jep edhe një transmetim për punën e të pirit nga ana e Jezidit, ku thotë: Nga Sakhr ibn Xhuejrije nga Naf’i i cili tha: Abdullah ibn M’ëtij dhe shokët e tij shkuan tek Ibn Hanefije (djali Aliut) dhe ju vardisën që të dilte kundra Jezidit por ai nuk pranoi.

-Atëherë Ibn M’ëtij i tha: ai pi verë dhe lë namazin dhe anashkalon gjykimin e Kuranit.

-Ai tha: Nuk e kam parë një gjë të tillë prej tij. Unë kam qëndruar tek ai dhe e kam parë të rregullt në namaz, përpiqej për mirë dhe pyeste për normat e fikhut.

-Dhe ai i tha: ka qenë shtirur.

–Muhamed ibn Hanefije i tha: E çfarë frike kishte ai nga unë apo shpresonte prej meje që të sillej para meje me devocion? A mos jua ka treguar juve këtë gjë që thoni, që të pinte verë? Nëse ai e ka bërë këtë kjo do të thotë se ju keni qenë ortak me të! Nëse nuk ua ka treguar këtë gjë, atëherë juve nuk ju lejohet të dëshmoi për diçka që nuk e dini.[9]

Ibn Kethiri për të thotë: Jezidi kishte edhe cilësi të mira si bujarinë, vetëpërmbajtjen, oratorinë, ishte poet, guximtarë, e kontrollonte mirë pushtetin, ishte i pashëm dhe sillej mirë. Por ishte edhe dhënë mbas epsheve, linte namazin ndonjëherë apo shpeshherë.[10]

Subhan Allah! A nuk e shikoni në të gjitha këto citime sunnite sesa të paanshëm janë dijetarët sunnij! Tregojnë të mirat dhe të këqijat dhe mbajnë të mesmen dhe drejtësinë, karakteristikë kjo e sunnijve! Shumë prej nesh që i thonë vetes sunnij kanë seç të mësojnë nga kjo metodologji (menhexh) dijetarësh!

Studiues të sotëm janë të mendimit se edhe këto cilësi të këqija që përmenden për të nëpër librat e historisë janë stisur nga njerëz që urrenin shtetin e Beni Umejes, pasi të gjitha transmetimet janë shumë të dyshueshme në autenticitetin e tyre ato transmetohen nga njerëz të dobët dhe shpesh edhe me zinxhir të shkëputur transmetimi.[11]

Ibn Tejmije thotë: Jezidi nuk ishte nga ata që shfaqnin gjynahet haptazi siç tregojnë për të kundërshtarët e tij.[12] Allahu e di më së miri!

Muhsini thotë:

ne vitin 63 H mbyti edhe 10 000 banore te Medines ne mesin e te cilëve 1700 qytetare autoritativ*( shih S.Buhari libri 7 shqip faqe172.

Përgjigje:

Në Sahih Buhari nuk përmendet gjë sesa janë vrarë atë ditë, ajo ngjarje përmendet aty vetëm shkarazi. Vetëm nëse e kanë shkruar këtë gjë në komentin që i kanë bërë shqip!

Transmetimet rreth të vrarëve në këtë ngjarje janë kontradiktore dhe shumë prej tyre joautentike të cilat shkojnë nga treqind[13] deri në dhjetë mijë.[14]

Ibn Tejmije e mohon këtë shifër duke thënë: Dhe as nuk vrau të gjithë fisnikët, e as nuk shkoi numri i të vrarëve në dhjetëmijë vetë, apo arriti gjaku deri tek varri i Profetit…[15]

Allahu mustean! Por edhe treqind shumë është. Allahu na ruajt nga fitnet!

Por pavarësisht nga e vërteta për këtë ngjarje, ajo ishte një ndodhi e dhimbshme për të cilën Jezidi ishte plotësisht përgjegjës. Banorët e Medines ngritën krye kundra Jezidit dhe ai dërgoi ushtrinë për të shtypur revoltën e tyre, shtypje e cila i kaloi kufijtë.

Nuk kam ndonjë simpati për Jezidin, por e vërteta është më e shtrenjtë se Jezidi dhe kushdo tjetër. Po të kisha simpati do të sillja të gjitha argumentet që kanë përmendur për ta mbrojtur atë dhe pasaktësinë e akuzave, por nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Unë dua tu tregoj sesi shiat janë të predispozuar të besojnë çdo gjë që thuhet për ata që i urrejnë, pa marrë parasysh sesa të vërteta janë ato ose jo.

Ndërsa për ta mbyllur edhe këtë pikë po citoj Ibn Salahun që thotë:

Njerëzit ndaj Jezidit janë ndarë në tre grupe: një grup e do dhe e nderon, një tjetër e shajnë dhe e mallkojnë ndërsa të tjerët janë të mesëm as nuk e duan dhe as nuk e mallkojnë. Me të sillen si me të gjithë mbretërit myslimanë dhe halifët jo të drejtë. Dhe ky grup i fundit është ai që ka të drejtë, mendim ky që është më i përshtatshmi për atë që e njeh historinë në lidhje me ata që qenë para nesh, si dhe njeh rregullat e fesë.[16]

Për një moment po e pranojmë se gjithçka për të cilën akuzohet Jezidi është e vërtetë, kjo aspak nuk e saktëson medh’hebin e shiave dhe as nuk e zhvlerëson atë të ehli sunnetit!

Unë e di se pas këtij materiali kur ta lexojnë shiat e listës do të tërbohen dhe mund të më konsiderojnë edhe mua si pasues i Jezidit dhe Beni umejes dhe mund të më mallkojnë ashtu siç mallkojnë ata! E tillë është feja e tyre ndërmjet dashurisë ekstreme e shoqëruar me shirk dhe urrejtjes ekstreme e shoqëruar me mallkime dhe sharje, mallkime me të cilat ata adhurojnë Allahun duke i përdorur në lutjet e tyre!

Që të dal para Allahut duke thënë të vërtetën është më e dashur për mua sesa ta dijë sikur edhe gjithë rafidhat e botës të më mallkojnë! Thuaj: “Plasni me mllefin tuaj”. Vërtet, Allahu e di mirë ç’kanë në gjokset e tyre.[17]

Allahut i përket dija absolute për gjithçka, dhe na faltë për ndonjë gabim të paqëllimshëm. Amin!

Për Muauijen , Allahu e mëshiroftë, sahabin dhe kunatin e Profetit salallahu alejhi ue selem do të shkruaj në një material tjetër. Ku do të tregoj inshallah, shpifjet dhe gënjeshtrat që janë thënë për të.

[1]Shih Sahih El-buhari kapitulli i dijes, Sunen e Ed-darimij (1/104), Xhamiul bejan el-ilm ue fadlihi (1/76) etj. Po ashtu për tu zgjeruar më tepër mund të lexoni librin Buhuth fi tarih es-sune el-musherfe i dr. Ekrem El-umerij, ‘Teduin es-sune en-nebeuije’ të dr. Muhamed Matar Ez-zahrani..etj.

[2] E njëjti vlerësim vlen edhe për librin Muruxh edh-dheheb, i El-mesudi-it të cilin Muhsini bashkë me Tarih el-jakubi i është referuar kur ka folur për Jezidin se pinte verë dhe luante me qenë dhe majmunë!

[3] Për më tepër shih librin Ether et-tesheju ala er-riuajat et-tarihije, e dr. Adulaziz Muhamed Nur Ueli fq. 231-243.

[4] Interesant është fakti se edhe Muruxh Edh-dheheb, që i është referuar libri nga e ka marrë Muhsini ka të njëjtat karakteristika si kur Tarihul Jakubi, madje më keq akoma. Shih për këtë Ether et-tesheju ala er-riuajat et-tarihije, e dr. Adulaziz Muhamed Nur Ueli fq.243-261.

[5] Fetaua ue mesail Ibn es-salah 1/216.

[6] Ihja ulum ed-din 3/134 (libri Ringjallja e dijeve të fesë)

[7] Minhaxhu es-sune 4/557.

[8] Copëtohet dhe shkruhet me shkurtime historia dhe të mos të tregohet e gjitha duke lënë mënjanë aspekte të rëndësishme. (sh.p)

[9] Tarihul islam ngjarjet e v.61-80, po ashtu Bidaje ue nihaje 9/236 me zinxhir të mirë transmetimi.

[10] El-bidaje ue nihaje 8/218.

[11] Shih për shembull: Meuakif el-muaradha fi hilafetu Jezid, e Muhamed ibn Rezan esh-Shejbani, dhe Hel jexhuz lanu Jezid, e Saud Ez-zemanan.

[12] El-uesijetu el-kubra fq.24.

[13] Tarih halifetu 1/192.

[14] Bidaje ue nihaje 8/209

[15] Minhaxhu Es-suneh 4/576.

[16] Fetaua ibn Es-salah 1/216. po ashtu shih edhe Fetaua lexhneh ed-daime nr.1466 (3/285).

[17] Shprehja e më sipërme është shkëputur nga ajeti si përshtatje letrare (iktibas) dhe jo si ajet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit