Justinian Topulli
Zoti na tregon në Kuran për përpjekjet e profetëve për t’i ftuar njerëzit tek e vërteta dhe e drejta, tek e cila ata jo vetëm duhet të besonin, por edhe duhet t’i bënin pjesë të jetës së tyre të përditshme. E vërteta dhe e drejta duhet të jetësohen në çdo moment të jetës, sepse janë dy vlerat më të larta, për të cilat është krijuar edhe njeriu. Gati në të gjitha rastet, në fillimet e misionit të tyre, por edhe më pas, profetët u ndeshën me kundërshtimin dhe refuzimin e njerëzve për t’i pranuar këto vlera, si pjesë e praktikës së tyre jetësore.
Pyetja që lind natyrshëm në këtë rast është, se cila është arsyeja? Përse njerëzit zgjedhin të jetojnë me të pavërtetën dhe të padrejtën, edhe pse thellë-thellë shpirti i urren këto të këqija?
Përgjigja është e thjeshtë, sepse e vërteta dhe drejtësia prishin rendin dhe themelet e çdo të keqeje që tashmë ka zënë rrënjë dhe ka krijuar “qëndrueshmëri” në jetën e njerëzve. Shoqëritë dhe institucionet që ato ngrenë, për nga natyra nuk duan të ndryshojnë, sepse për to siguria e dukshme që tregon rendi ku ato jetojnë, cilido qoftë ai, është më parësor sesa një rend që ngrihet mbi vlera morale ose jo. Tokësorja njerëzore është më e prirë drejt sigurisë fizike, me të gjitha dimensionet e saj, të cilën ja garanton qëndrueshmëria e sistemit, sesa moraliteti i saj. Ndërkohë, e vërteta dhe e drejta janë më së shumti kërkesë e shpirtit dhe moralit, me të cilin njeriu kërkon të jetojë në këtë botë, por që për trupin dhe tokësoren këto nuk janë domosdoshmëri. Është pikërisht kjo arsyeja pse njerëzit historikisht kanë refuzuar të vërtetën dhe të drejtën, duke i sakrifikuar ato plotësisht ose pjesërisht, për të ruajtur status quo-në e rendit të tyre, qoftë edhe të prishur moral.
Mbretëritë faraonike kanë qenë nga mbretëritë më të qëndrueshme në historinë e njerëzimit, ato ndërtuan një civilizim lëndor të mahnitshëm, por ndërkohë, ato ishin të ngritura mbi të pavërtetën e idhujtarisë dhe mbi padrejtësinë. Kur njëri prej profetëve më të mëdhenj të Zotit, Musai (alejhi selam) erdhi me mision te njëri prej këtyre faraonëve, për të shpallur të vërtetën e monoteizmit dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë ndaj popullit të tij, faraoni në fjalë e refuzoi ashpërisht dhe veç kësaj, donte edhe ta vriste Profetin, si prishës të doktrinës dhe të rendit social. Ai iu tha njerëzve të tij: “Më lini ta vras Musanë dhe le ta thërrasë ai Zotin e vet! Unë druhem se ai po ndryshon fenë tuaj e po nxit shkatërrimin në tokë!” (Kurani 40: 26)
Kështu pra, thelbi i refuzimit të së vërtetës dhe drejtësisë, që edhi nga tirania faraonike dhe vjen nga çdo formë diktature tjetër e kësaj bote, buron pikërisht nga fanatizmi i doktrinës klanore, e cila nëse cenohet prish edhe rendin social, në sytë e çdo sundimtari dhe njerëzve të tij, të cilët vlerë më të lartë praktike nuk kanë të vërtetën dhe të drejtën, por qëndrueshmërinë e rendit të tyre sundues. Prishja e këtij rendi, në sytë e këtyre njerëzve të mëdhenj në pushtetin e tokës, por të vegjël në shpirt, është kob më i madh, sesa të jetuarit me të vërtetën dhe të drejtën. Ata janë të gatshëm të përdorin gjithçka dhe këdo, pa e vrarë mendjen për mjetin, vetëm e vetëm që stabiliteti i pushtetit të tyre të mos prishet, edhe nëse e vërteta dhe e drejta vendosin një stabilitet të ri.
Kjo mendësi e së ligës njerëzore nuk ka ndryshuar as në kohët moderne, por, në periudhën kur ideologjitë totalitare kishin gjetur terren në Evropën e fillimit të shek. XX, pati njerëz largpamës që paralajmëruan për këtë ligësi, që i kanosej botës. Kështu në 1932, Aldous Huxley botoi librin e tij distopik “Brave New World”. Libri trajton në formën e romanit, një shoqëri utopike, ku njerëzit gjoja jetojnë të lumtur, pasi janë shndërruar të gjithë në qenie mekanike, gati robotike, ku edhe aftësitë e tyre gjenetike manipulohen që në lindje… Kush ka kërshëri për të, mund ta gjejë edhe në shqip me titullin “Më e Mira e Botëve”, përkthyer nga Rudi Erebara dhe botuar nga “Pika pa Sipërfaqe”.
Ajo që na intereson këtu nga kjo vepër, që në thelb godet tentativat për të përdhosur dhe humbur dinjitetin dhe individualitetin njerëzor, është slogani i stabilitetit. Dhe çelësi kryesor për të arritur stabilitetin është mungesa e individualitetit, ndaj dhe një nga personazhet e romanit, që përfaqëson dhe një nga kontrollorët e këtij sistemi të pashpirt, shprehet duke thënë:
“Stabilitet, – tha Kontrollori, – stabilitet. Nuk ka qytetërim pa stabilitet shoqëror. Nuk ka stabilitet shoqëror pa stabilitet individual.” (f.47) “Stabilitet, – këmbënguli Kontrollori, -stabilitet. Nevoja parësore dhe përfundimtare. Stabilitet. Këtu nisin të gjitha.” (f.47) “Ne nuk duam të ndryshojmë. Çdo ndryshim është një kërcënim ndaj stabilitetit.” (f.185)
Dhe nevoja për stabilitet krijon një sundim, i cili “beson se stabiliteti mund të arrihet, nëse njerëzit mendojnë dhe duken njëlloj.”
Stabiliteti, i konceptuar si i tillë, në të vërtetë kërkon robotë, jo njerëz, ose së paku kërkon konformistë të depersonalizuar, që për gjithfarë arsyesh e kanë pranuar këtë rol, si një formë mbijetese, sepse në këndvështrimin materialist të kësaj bote, lumturia është produkt i stabilitetit dhe jo i së vërtetës.
Dikur “Dija ishte e mira më e madhe, e vërteta vlera më e lartësuar; gjithë çfarë mbetej ishte e dorës së dytë dhe e nënrenditur.” (f. 187) “Mirëpo e vërteta është kërcënim” (f.187)
Por njerëzit ndryshojnë dhe bashkë me ta edhe pikëpamjet e tyre mbi vlerat e dikurshme “Lumturia universale e mban rrotën në lëvizje të pandërprerë; e vërteta dhe e bukura nuk munden. Dhe, sigurisht, sa herë që masat merrnin në dorë pushtetin politik, atëherë ishte lumturia që kishte vlerë më shumë sesa e vërteta dhe bukuria.” (187-188)
Kështu pra, kjo është arsyeja pse regjimet tiranike dhe njerëzit e nënshtruar të tyre, nuk e duan të vërtetën dhe të drejtën që të sundojë, nuk e duan moralen e meritës dhe mbështesin mediokritetin dhe sektarizmin, sepse për ta, nuk ka si “qetësia”, “stabiliteti” dhe “mungesa e andrallave” e “lumturia”, edhe nëse për këto duhet të paguash me heshtje ndaj së vërtetës dhe pranim të së padrejtës. Dhe të gjitha këto “përfitime”, në fund të analizës nuk janë gjë tjetër, veçse kërkesa tokësore të mishit njerëzor për rehati në këtë botë, e për sa kohë ato marrin peng çdo njeri, cilido qoftë ai, e pavërteta dhe e padrejta do të jenë “rendi i normalitetit të vetëm” që shumica e njerëzve synojnë.
E vërteta dhe e drejta nuk janë alternativë e të kundërtave të tyre, ndaj ato mund të mënjanohen edhe me intriga dhe me forma të luftës së butë ideologjike, por historikisht, ato nuk janë kthyer kurrë në sundim, me të tilla mjete “paqësore”. Kështu që të mbështetësh të pavërtetën, të padrejtën, mediokritetin, sektarizmin dhe njerëzit që i përdorin makiavelisht këto antivlera, nuk mund të jetë gjë tjetër, por vetëm se braktisje e vlerave kundërthënëse dhe e njerëzve që i mbrojnë ato, edhe nëse besojnë se duhet të jetë ndryshe.