Justinian Topulli
Duke marrë shkas nga një diskutim apo debat shpesh i ashpër mes vetë besimtarëve, që nuk ka nisur sot por më herët, rreth qëndrimit që ne si besimtarë duhet të mbajmë karshi politikës dhe qeverisjes në këtë vend, do të jap mendimin tim që e mbështes në burimet e së vërtetës që besoj.
Së pari, nisur nga premisa se ne jemi krijesa, që nuk kemi ardhur me dëshirën tonë në këtë botë dhe se në çdo analizë të thellë përfundimtare do të arrijmë në faktin (që edhe pa këtë analizë është tejet i dukshëm) se mbi ne ka një Zot, një Krijues i Cili nuk mund të injorohet dhe se bota në tërësinë e saj ecën sipas vijimësisë që Ai ka vendosur dhe mbikëqyr, mbi bazën e ligjit të shkak pasojës, i cili nuk e lë jashtë Zotin, si një orëbërës, por e sheh Atë prezent në çdo moment të jetës të kësaj bote.
Së dyti, nëse premisa e parë pranohet, sepse kjo është e vërteta, atëherë natyrshëm kalohet në premisën tjetër se Zoti është më i rëndësishmi që ekziston dhe si i Tillë Ai duhet të jetë edhe më i rëndësishmi në jetën tonë, si individ dhe si shoqëri.
Së treti, nëse edhe kjo pranohet, atëherë kalojmë në premisën tjetër që thotë se qëllimi jonë është kthimi tek Zoti dhe fitimi i lumturisë së përjetshme që Ai na ka premtuar, duke bashkuar mes qiellores dhe tokësores, mes vertikales dhe horizontales, si një binom i pandashëm i domosdoshëm për të përmbushur qëllimin final. Në fund të fundit ne nuk mund të jetojmë në këtë botë me egoizmin e vetëmjaftueshmërisë dhe as me amoralitetin e mosmirënjohjes ndaj Atij që na solli në ekzistencë, sepse bie ndesh me vetë natyrën tonë të lindur dhe arsyen e shëndoshë që buron prej saj.
Së katërti, besimi i vërtetë na mëson se tek qiellorja shkohet vetëm nëpërmjet tokësores, se lumturia e dëshiruar nga të gjithë njerëzit nuk arrihet vetëm nëpërmjet përkushtimit individual, duke dëlirë veten me anët të adhurimit ritual, etikës individuale, bamirësisë së pakushtëzuar materiale, etj. por edhe nëpërmjet përpjekjes kolektive që mbarë shoqëria ku jetojmë të pranojë premisat që përmenda, si e vetmja e vërtetë dhe e vetmja rrugë drejt lumturisë në jetën tokësore dhe atë qiellore.
Nëse tre premisat e para nuk pranohen, apo anashkalohen që t’i bëhen të ditura shoqërisë, atëherë çdo qasje dhe përpjekje jonë do të jetë e mangët dhe e pafryt, për të përmbushur objektivat që përmbushin qëllimin madhor të lumturisë dy dimensionale. Kështu që ajo që duhet të bëjmë ne si besimtarë është t’i tregojmë shoqërisë të vërtetat që ne besojmë, që i kemi para sysh dhe që për shumë shkaqe dhe arsye nuk arrijmë t’i shohim apo edhe t’i pranojmë.
Ne duhet t’i tregojmë shoqërisë dhe parisë së kësaj shoqërie se nuk mundet të jetohet në këtë botë pa këto të vërteta dhe se lumturia që synohet pa pranimin e këtyre premisave jo vetëm që është e rreme, sepse është e pavërtetë, por sado larg të shkohet pa to, suksesi është i mangët dhe i destinuar të dështojë një ditë, herët ose vonë.
Nuk mund të ketë në këtë botë drejtësi, mirësi, lumturi, mirëqenie, pa synuar krahas tokësores edhe qielloren. Individin dhe shoqërinë e bën më të mirë në mënyrë të qëndrueshme, jo vetëm arsyetimi racional se e mira e përbashkët na shërben të gjithëve në këtë botë, por edhe besimi racional dhe shpirtëror që e tejkalon materien dhe i jep njeriut një doktrinë të qëndrueshme të përhershme për vazhdimësinë e së mirës, në çdo moment dhe në çdo situatë dhe etapë të historisë njerëzore, që padyshim nuk ka qenë dhe nuk do të jetë gjithmonë fushë me lule dhe hambar bollëku.
Këtë mesazh me argumentet, provat dhe arsyetimin intelektual duhet që ne si besimtar t’ia ofrojmë njëkohësisht shoqërisë dhe parisë së këtij vendi haptazi, ashtu siç ka vepruar çdo profet, dhe në gjurmët e tyre, duke mos neglizhuar apo pasur drojë karshi asnjërit.
E vërteta shpallet haptazi, sepse është e vërtetë dhe vetë e mira dhe jo nëpërmjet kodeve pak të kuptueshme, dhe as përmes surprizave apo kamuflimeve siç bëjnë grupe apo individ të kompleksuar besimtarësh dhe sepse kjo është rruga e vetë Profetëve dhe e çdo reformatori të sinqertë që i do të mirën popullit të tij.
Ky vend është vendi ynë, njerëzit që na rrethojnë janë gjaku ynë dhe ne ja duam të mirën të gjithë të afërmeve tanë, ndaj dhe mëshirën dhe begatinë e Zotit nuk e marrim dot të vetmuar, por nuk detyrojmë asnjë ta pranojë atë me detyrim.
Synimi jonë madhor si besimtar nuk është të marrim pushtetin, duke e parë veten si grupim i ngushtë interesi, apo një pushtetar ateist e pamoral ta zëvendësojmë me një besimtar të moralshëm, synim ynë është të ngremë në këmbë një sistem vlerash që e bën shoqërinë dhe individin më të mirë dhe që ka në themel të saj premisat që përmenda.
Kështu që mendoj se para nesh rruga e duhur që duhet ndjekur nuk është as indiferentizmi politik dhe as pragmatizmi klanor, por përmirësimi i shoqërisë dhe i individëve të saj, duke mos u mjaftuar vetëm me popullin e thjesht, siç kemi bërë më së shumti deri më sot, por duke i dhënë parisë pjesën që i takon, si faktori kryesor që ndikon në përmirësimin apo përkeqësimin e një shoqërie.