-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Politika e lugës së floririt

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

Gjatë kohës së pushtimit nazist, propaganda e Partisë Komuniste premtonte se, pas çlirimit, kur ajo të merrte pushtetin, Shqipëria do të hynte në një transformim rrënjësor, të paimagjinuar kurrë më parë. Ajo predikonte se lufta e saj nuk ishte thjesht një luftë çlirimtare kundër pushtuesve, por ishte një luftë revolucionare, e cila kishte për qëllim realizimin e një ideali: përmbysjen e rendit ekzistues për të instaluar një formë të re regjimi, i cili do ta shpëtonte vendin nga çdo e keqe e shfaqur gjatë historisë së tij. Ndryshimi do të ishte epokal. Ai do të sillte një fazë të re, fazën finale ku historia ankorohet për në parajsën e amëshuar tokësore të komunizmit.

Në këtë kuptim, Lufta Nacional-Çlirimtare ishte vetëm hapi i parë i një revolucioni të madh, i cili do të vazhdonte me përmbysjen klasore dhe përpjekjet heroike për industrializimin e vendit. Vetë drejtësia sociale e këtij rendi të ri, i cili do të zhdukte shtypjen dhe shfrytëzimin, do të sillte një zhvillim dhe mirëqenie që as ish ëndërruar më parë. Një ndër parrullat më emblematike të kësaj periudhe, që përmblidhte më mirë se gjithçka tjetër tablonë e marketingut komunist ishte: “Do hamë me lugë floriri”. Luga e florinjtë ishte simboli i një bote të re, që do bënte të mundur lumturinë e përjetshme për një popull të tërë, të lodhur nga varfëria dhe prapambetja.

Natyrisht, shumica e njerëzve nuk e besuan këtë përrallë dhe nuk iu bashkuan aventurës së saj, ndonëse ishte kohë deliresh në një botë të sunduar nga utopitë. Megjithatë, pati jo pak që u joshën. Propaganda arriti të bëjë për vete aq njerëz sa ç’i duhen një aventure për t’u hedhur në veprim dhe, kur rrota e historisë rrotullohet në krahun tënd, gjithçka bëhet e mundur. Përfundimi dihet. Parajsa e premtuar, jo që nuk u duk kurrkund, por në vend të saj, pushteti i ri instaloi ferrin në rrethin e tij më të zjarrtë e të paimagjinueshëm.

Ekonomia shqiptare gjatë kohës së regjimit shkoi drejt rrënimit të gjithanshëm. Projekti i një vendi të industrializuar rezultoi një dështim. Industria ishte jorentabël dhe ekonomia e planifikuar nuk mund të përmbushte dot as nevojat elementare të vendit dhe qytetarëve. Shtetëzimi i pronës private dhe zhdukja e tregut të lirë instaloi varfërinë si një standard të përgjithshëm të një ekonomie të paaftë për të plotësuar edhe kushtet më minimale të jetesës.

Utopia e realizoi përgjysëm premtimin e saj: zhduku të pasurit “shfrytëzues”, por nuk i pasuroi të varfërit. Barazia erdhi duke i zbritur të gjithë në nivelin minimal të jetesës e duke i bërë të gjithë të barabartë në mjerim. Por asgjë nuk përfundoi me kaq. Bashkë me varfërinë erdhi edhe dhuna dhe robëria. Regjimi instaloi një aparat terrori të organizuar, nëpërmjet të cilit impononte vendimet e tij, në çdo cep të shoqërisë, ndërsa vendi u mbush me spiunë, hetues e burgje që kërcënonin këdo që guxonte, qoftë edhe të mendonte diçka përtej asaj që diktonte propaganda zyrtare.

Viti 1990 riktheu ëndrrën utopike tek shumica e shqiptarëve, duke i bërë ata të guxojnë të shpresojnë për një jetë më të mirë pas një gjysmëshekulli diktaturë. Parajsa e premtuar ish rikthyer tashmë në një pamje të re: atë të Europës moderne dhe të zhvilluar. Ajo u bë një aspiratë e re për vendin, e perceptuar gjithashtu si një zgjidhje përfundimtare dhe një destinacion historik. Miti i Europës u bë burimi i ri i aspiratave kombëtare dhe ëndërrave të reja utopike. Europa u pa si bregu i premtuar, që do të bënte të mundur shpëtimin përfundimtar të vendit nga mjerimi historik.

E perceptuar si mit, Europa shihej si një vend ku mirëqenia vinte vetvetiu si me magji, pa derdhur djersë e mund. Ky model i ri premtonte një vend ku shqiptarët do të mund të jetonin si kontë, falë një mrekullie të pakuptueshme, ku vendi do të shndërrohej rrufeshëm në një Zvicer të vogël. Fantazitë me çeqe të bardhë e investime të huaja që do ta shndërronin Shqipërinë në një lloj të ri “bahçeje me lule” ushqyen aspiratat e shumë njerëzve drejt mistikës së një alkimie të re të shndërrimit të detit në kos, për të mbushur lugët e florinjta të mbetura bosh në sëndukët e utopive të së kaluarës. Iluzioni i një vërshimi të pritshëm të bollëkut material të fituar shpejt dhe pa lodhje, i zbarkoi shqiptarët në sportelet e firmave priamidale, të cilat u bënë objektet e kultit të kësaj utopie të re që kishte fuqinë mistike të shndërronte ujin në verë.

Askush nuk dinte si ta shpjegonte këtë mrekulli, por megjithatë kjo nuk i ndali turmat të zbrazin xhepat në sportelet e disa njerëzve anonimë të quajtur Sudja, Xhaferi apo Kamberi. Zërat se gjithçka ishte fryt i një aksioni të madh pastrami parash, përdoreshin herë-herë si një jorgan racional për të mbuluar marrëzinë kolektive, por, kjo vetëm sa i shton situatës edhe treguesit e një rrënimi moral. Bjerrja morale e një shoqërie të degraduar nga mjerimi i 50 viteve, ishte në atë nivel sa askush nuk shfaqte asnjë skrupull për konsumimin e parasë së pisët. Në mënyrë të paprecedent, një popull i tërë pranoi të përfshihet në një lavazh kombëtar parash të pista, të ardhura nga veprimtari kriminale të panjohura! Në fakt, aspiratat utopike në vetvete janë përgjithësisht të tilla: imorale.

Mesa duket, paraja ishte i vetmi zot që shqiptarët njihnin, dhe atij i faleshin pa ia vënë re higjenën. Por ky zot, i tradhëtoi shpejt. Zhgënjimi që pasoi, i shtyu ata drejt depove të armëve, duke e kthyer vendin në një poligon shfrimi të tërbimit kolektiv. Pasojat ishin katastrofike, gjurmët e të cilave kanë mbetur ende.

Zhgënjimi duket se ka mbetur e vetmja ndjesi e stabilizuar gjatë këtyre viteve, në një vend ku shumica e njerëzve sot e shikon zgjidhjen tek emigrimi. E megjithatë ofertat për projekte që na premtojnë parajsën nuk mungojnë edhe sot, ndonëse skepticizmi nga dështimet e vazhduesme i bën ato të mos gjejnë shumë hapësirë. Megjithë dështimet e shumta dhe zymtësinë politike dhe ekonomike të prodhuar në këta vjet, ofertat politike kanë qenë vazhdimisht variante të ndryshme të zbutura premtimesh për lugë të florinjta. Mesa duket shqiptarët e kanë të ngulitur vesin flirtit me utopitë ndaj dhe duken të vendosur të mos votojnë kurrë një forcë politike realiste. Edhe pse skeptikë nga të djegurit e vazhdueshëm, ata nuk heqin dorë nga pritja e mesias, i cili do tua zgjidhë përfundimisht si me magji të gjitha problemet, nevojat dhe dëshirat. Ndryshe nga ç’sugjeron kudo realiteti, për shqiptarët, politika është pikërisht dhe ekskluzivisht “arti i të pamundshmes”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit