Besimtarët myslimanë filluan të vendoseshin në Amerikë në vitet 1600 duke lënë gjurmët e tyre në historinë amerikane. Madje në disa shtete amerikane, ku jetojnë pak myslimanë, ka arritje historike të pranisë së tyre. Të ardhurit e parë myslimanë në Ross të Dakotës së Veriut, ndërtuan një xhami në vitet 1920, duke u bërë një nga xhamitë e para në Shtetet e Bashkuara.
Në qytetin e largët Ross të Dakotës së Veriut gjenden shumë varre që mbartin emra myslimanë dhe jo-myslimanë. Richard Omar është pasardhës i themeluesve të xhamisë.
“Siç shihet, im atë u lind në vitin 1889 dhe emri i tij Albert ka qënë Abdullah. Shumë nga të ardhurit i ndryshuan emrat”, thotë ai.
Richard Omar, elektriçist në pension i cili nuk është mysliman, viziton shpesh varret e prindërve të tij myslimanë. Ai gjithashtu dëshiron të ndihmojë në ruajtjen e një kapitulli të rëndësishëm të historisë myslimane në Shtetet e Bashkuara.
Xhamia, e cila qëndron e vetme në ato fusha, u themelua në vitin 1928, një nga më të parat në Amerikë. Brenda strukturës së vogël gjendet një qilim lutjesh dhe foto të atyre që ndihmuan në krijimin e xhamisë.
“Nuk ka mbetur askush me të cilin mund të flasësh”, thotë zoti Omar.
Shumica e banorëve myslimanë u shpërngulën drejt qyteteve të mëdha. Disa ndryshuan emrat e madje edhe besimin. Diane Siebel është punonjëse e administratës së qytetit Ross.
“Historia tregon që njerëzit erdhën këtu për të filluar një jetë të re”, thotë ajo.
Zonja Siebel thotë se popullsia u zvogëlua me rënien e industrisë bujqësore dhe naftës. Ndërsa kujtesa e xhamisë ka rezistuar, ajo thotë se atje nuk kanë mbetur myslimanë.
“Loznim atje gjatë gjithë kohës deri sa arriti në një pikë drejt shkatërrimit dhe ishte e rrezikshme”, tregon ajo.
Xhamia u rrëzua në vitet 1970, por u rindërtua në vitin 2004, me shpresën për të mbajtur gjallë historinë e saj. Një vit më parë, varrezat pranë xhamisë u shtuan në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike, simbol i historisë fetare në Shtetet e Bashkuara, duke u kthyer në destinacion për vizitorët. Mohiuddin Sharrif është një prej vizitorëve.
“Ky është një vend ku feja Islame u vendos në Amerikë dhe u ndërtua xhamia e parë”, thotë ai.
Për jo-myslimanët si Richard Omar, kjo xhami dhe varrezat janë pjesë e historisë së familjes së tij në Amerikë.
“Nuk duam që njerëzit të harrojnë”, thotë ai./voa