Hoxha i nderuar Osman Abazi lindi me 5. Maj 1969 në fshatin Azizi (ish Milloshevë) të komunës së Obiliqit. Vjen nga një familje fetare e hoxhallarësh me tradite 200 vjeçare. Ishte i njohur në tërë rrethin për kontributin dhe këshillat e tij të urta në dobi të fesë dhe atdheut.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, duke treguar edukatë të lartë dhe sukses të shkëlqyer në mësime. Ishte i dalluar edhe në aktivitete kulturore e sportive, veçanërisht në turnirët e futbollit që zhvilloheshin në shkollë dhe jashtë saj. Medresenë e mesme “Alauddin” në Prishtinë e përfundoi në vitin 1988 me sukses po ashtu të shkëlqyer, duke u dalluar në mesin e nxënësve për zërin e tij të bukur dhe pasionin e madh që kishte në leximin e Kur’anit dhe nxënien e tij përmendësh.
Studimet Universitare i vazhdoi në kryeqytetin e Arabisë Saudite në Rijad, ku edhe u diplomua në Universitetin “King Saud University” në Shkenca Islame-Akide në vitin 1997. Gjatë qëndrimit atje ishte mjaft aktiv në mesin e studentëve shqiptar, duke iu ofruar ndihmë dhe përkrahje në regjistrimin atje, por edhe duke u dalë në ndihmë studentëve të rinj në kërkesat e tyre. Të gjithë e kujtojnë për ligjëratat dhe këshillat që i mbante gjatë takimeve të përbashkëta e të rregullta me studentët nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Po atë vit, pas diplomimit, u kthye në vendlindje dhe u emërua imam në xhaminë “Sudi Efendi” në Prishtinë, ku punoi për 14 vite.
Derset e tij bënë që kjo xhami të mbetet shumë e vogël për xhematlinjt që ia mësynin asaj për ta dëgjuar dhe përfituar nga margaritarët që nxirrte nga zemra, mendja dhe goja e tij Hoxha i nderuar. Nga të rinjtë e qytetit njihet për përkushtimin e madh që kishte në mësimdhënien e Kur’anit. Nga interesimi i madh i të rinjve dhe të rejave për të mësuar leximin e Fjalës së Allahut, ai ndërmori hapin e hapjes së lokaleve përcjellëse afër xhamisë për ta bërë më të lehtë për nxënësit mësimin, si dhe themeloi një mini-bibliotekë me libra të ndryshme për lexuesit. Në mesin e kolegëve dallohej për moralin dhe butësinë që kishte. Preokupim kryesor kishte ndërgjegjësimin e rinisë islame për moral dhe adhurim ndaj Zotit, gjë të cilën e hasje kurdo që takoheshe me të. Vazhdimisht, natë e ditë, ishte në misionin e thirrësit, duke mos u lodhur t’i përgjigjej masës kudo që e kërkonte nevoja. I shoqëronte ata në gëzime e në ngushëllime dhe kishte një kontribut mjaftë të madh në pajtimin mes njerëzve. Ishte gjithnjë unifikues dhe kohën më të gjatë e kalonte ne xhami duke e lexuar dhe studiuar Kur’anin dhe duke ua mësuar atë edhe të tjerëve. Hoxha Osman njëherazi është edhe autor i një sërë librash dhe përkthyes i një numri tjetër të konsiderueshëm të librave nga gjuha arabe, e të cilat kanë përjetuar nga dy tri ribotime, ndërsa libri i tij “Shenjat e Kijametit”, ka përjetua hiç më pak se 7 ribotime. Me shkrimin dhe botimin e librave u mor qe nga vitet e 90’ta. Nga librat e tij autorial janë: 1. Shenjat e Kijametit 2. Bazat e Besimit, 3. Mbrojtja e të Gjithëfuqishmit për çdo mysliman, 4. Triumfi i te vërtetës 5. Abetarja Kur’anore 6. Texhvidi në rrathë
Ndër përkthimet e tij më të njohurat disa prej të cilave edhe si bashkpërkthyes janë librat: 1. Kjo fe – Sejjid Kutub 2. Islami Fe e Ardhmërisë – Sejjid Kutub 3. Dita e fundit Xhenneti dhe Xhehennemi – Dr.Sulejman Omer El-Eshkar 4. Mashtrimet e shejtanit – Dr.Sulejman Omer El-Eshkar 5. Bota e Xhindëve dhe Shejtanëve – Dr.Sulejman Omer El-Eshkar, 6. Vdekja, Kijameti i vogël – Dr.Sulejman Omer El-Eshkar, 7. Thirrja Islame – Sadik Emin 8. Si e lartëson pozitën tënde në Xhennet – Dr.Muhamed bin Ibrahim En-Ne’im 9. Shpirti – Ibn Kajjim El-Xhevzij 10. Hadithe të zgjedhura mbi namazin – Nasirud-din El-Albani 11. Mrekullia numerike në çdo shkronjë dhe fjalë të Kur’anit Fisnik – I dhe II” – Hafiz Abdud-Daime El-Kaheel, (botuar në Ramazan të këtij viti) dhe në pritje të botimit është edhe libri i fundit “Ardhja e Mehdiut”. Ndërkohë që numri i broshurave dhe fletushkave të përkthyera është mjaftë i madh. Është ndër të parët në Kosovë që nxori audio incizime të leximit të Kur’anit në origjinal bashkë me leximin e përkthimit të tij në gjuhën shqipe, pastaj edhe të audio librave, poezive dhe ligjëratave të tjera në këtë fushë.
Osman ef. Abazi vdiq me 2 shtator 2012 në moshë të re (43 vjeçare) nga një sëmundje e shpejtë, duke lënë pas vete gruan dhe 4 fëmijë, një vajzë dhe tre djem. Në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mija njerëz nga Kosova dhe viset tjera shqiptare sa nuk mbahet mend në këtë rrethinë, çka dëshmon se ai ishte Hoxhë me plotkuptimin e fjalës dhe i dashur për popullin e tij sa ishte gjallë, por edhe në vdekjen e tij. Allahu e pastë mëshiruar dhe shpërblyer me Xhenetin Firdevs. Amin!