5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Genocidi Çam/ 9 vjeç kur i vranë të afërmit, Nexhati rrëfen tmerrin

Më të lexuarat

Alessia Selimi

Mijëra çamë bëjnë në muajin qershor peligrinazhin e përvitshëm, në përkujtim të vuajtjes dhe sakrificës. Ky ritual zë vend në Qafë Botë, aty ku bashkëkombasit tanë përjetuan golgotën e tyre, përmes genocidit të pashpirt që i shpërnguli nga trojet dhe banesat. Shumë u vranë në zonën e Çamërisë e shumë të tjerë humbën jetën gjatë shtegtimit, ardhjes për në Shqipëri, në kushte ektreme të motit të nxehtë, urisë dhe etjes. Dje ishte 75 vjetori i këtij pastrimi etnik. Nuk janë të shumtë tashmë, çamët që i kanë përjetuar ato ditë tmerri dhe që jetojnë ende. Dëshmitarët e gjallë kanë mbetur pak.

Nexhat Merxhushi është njëri nga ata. I lindur në Paramithi, edhe pse 84 vjeç, ai duket se ka të skalitur gjithçka në memorie. Nexhati jeton në zonën e Tregut Elektrik në Tiranë së bashku me të shoqen dhe çdo ditë të jetës merret me studimin dhe sistemimin e arkivave personale që ka për çështjen çame,  të cilat i ruan me fanatizëm të madh, edhe pse tashmë me një shikim të reduktuar. Ai ishte 9 vjeç kur u përball me humbjen e njerëzve të dashur. Nuk gëzon një gjendje të mirë shëndetësore, e megjithatë, Nexhati nuk ngurron të rrëfejë për gazetën Mapo ato ç’ka mban mend nga ajo periudhë e përgjakshme.

“Asokohe isha nëntë vjeç. E kam tepër të gjallë kujtimin e gjyshes sime, teksa e tërhiqnin zvarrë.Ashtu e nxirë në fytyrë, e dërguan në shtëpinë e Sali Hafuzit. Ishte një ndërtesë me mbi 30 dhoma, ku izolonin për një ditë të vetme gra dhe vajza të reja çame. Këto të fundit kurrë nuk treguan se çfarë pësuan nga zervistët; ishin tepër krenare. Por nuk ishte e nevojshme! Ulërimat e tyre brenda asaj shtëpie të mallkuar, përktheheshin qartazi”-tregon Nexhati, ndërkohë që i dridhet dora bashkë me gotën e ujit.

Vrasjet e pamëshirshme u bënë në shkollën e Paramithisë. Rrallë përdorej pushka. Çamët, të cilëve iu mohua e drejta për të jetuar, iu sigurua një largim torturues. Iu nxirrnin sytë, iu prisnin veshët dhe gishtat, ndërsa kufomat merreshin me karrocë, të mbuluara, me duar të lidhura.“Gjyshja e bashkëshortes sime ishte përzgjedhur në mesin e atyre grave të cilat do të pastronin klasat e shkollës së Paramithisë. Në muret e tyre ka parë tru e gjak të bëra njësh”-thotë Nexhati, duke i mëshuar fort faktit se gjithçka e thënë është e dokumentuar.

Kujtimit të gjyshes së dhunuar, i shtohet edhe vdekja e xhaxhait dhe djalit të tij. “Ndoshta tingëllon e pakuptimtë në ditët e sotme lidhja e ngushtë familjare që ekzistonte asokohe, por xhaxhai ishte për mua një baba. Jo vetëm për faktin se jetonim në një shtëpi…E kam parë duke e tërhequr zvarrë dhe duke i rënë me qytën e pushkës në kokë. Zervistët nuk më vranë vetëm xhaxhin, por edhe djalin e xhaxhait, Haki Merxhushin. Ishte 25 vjeç kur i morën jetën”-shprehet Nexhati me një zë që sa vjen dhe bëhet më pak i dëgjueshëm.

35.000  banorë u spastruan etnikisht, u vranë të paktën 2500 persona, si dhe 2000 të tjerë ndërruan jetë nga vështirësitë e mëdha të migrimit. Nexhati e ka të pamundur të mos i komentojë grekët me të cilët çamët ndanin përditshmërinë e tyre. “Ata që gjendeshin rreth e rrotull, ishin njerëz të mirë. Madje ishin ata të cilët na orientuan drejt migrimit. Të vetëdijshëm që nuk ishin në gjendje të na ndihmonin, na bënin thirrje që të shpëtonim një orë e më parë. Në vitin 1994 u riktheva në vendlindje. Aty rastisa me një fqinjin tim grek. Më hapi dyert e shtëpisë dhe më mirëpriti tërë dashamirësi”-tregon Nexhati, duke na njohur edhe një virtyt të çamëve, atë të të qenurit të vërtetë. E megjithatë, kokëlartë dhe shpinën drejt, pohon se ekzekutuesit kryesorë të këtyre masakrave ishin gjiradisit, të cilët ishin nga Kreta.

“Nuk është aspak e lehtë të heqësh dorë nga vatani. Për më tepër të akuzohesh pa të drejtë. Grekët na paragjykuan, pa e parë akoma okupatorin na quajtën bashkëpunëtorë të italianëve. Të gjithë burrat nga mosha 17-70 vjeç i internuan në ishujt e Egjeut. Dhe ç’është më ironike, Napoleon Zerva, përgjegjësi për masakrat dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë, ka shumë mundësi që të ishte me origjinë nga Arta, që dikur banohej nga shqiptarët”-vijon Nexhati i revoltuar, teksa shtron më tutje pikëpyetje rreth heshtjes së çamëve ortodoksë.

“Ata nuk reaguan aspak drejt masakrës së ushtruar ndaj çamëve myslimanë. Dolën të paprekur nga i gjithë gjaku i derdhur. Çfarë nënkupton kjo? Urrejtje fetare. Sido që ta quajmë, gjenocid, spastrim etnik…duhet pranuar se forca e Kishës ishte e palëkundur”-shprehet Nexhati, duke shtuar si argument të fortë edhe një bisedë me ish-ministrin e Jashtëm Alfred Serreqi.

Në një bisedë kafeneje me ish-ministrin e Jashtëm Alfred Sarriqi, u vendosa në dijeni sesi ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Theodhoros Karaolos i kishte pohuar Sarriqit përgjatë një shëtitjeje me jaht në Egje, pa protokoll, se ishte në dijeni të problemit të çamëve dhe sesi ndante dhimbjen për vuajtjet pa shkak të tyre. E megjithatë, Karaolos i kishte bërë të qartë Serreqit që Kisha ushtronte forcë të jashtëzakonshme dhe se nuk mund t’i dilte askush kundër. Ja sesi justifikonte edhe daljet e tij publike, me deklarata kundër popullsisë çame.”

84-vjeçari insiston se një hap i parë nga autoritetet greke lidhur me masakrat ndaj çamëve do të ishte ta pranonin dhe të kërkonin falje. E teksa bashkëbisedimit me të nuk i vjen asnjëherë fundi, sepse ka shumë për të thënë, Nexhati e ndjen të nevojshme të komentojë politikën e ndjekur të Shqipërisë përkundrejt çështjes çame. E quan të përulur dhe aspak të logjikshme.

“Në komunizëm Çamëria nuk u përmend asnjëherë. Me ardhjen e demokracisë diçka ndryshoi, emegjithatë sërish nuk iu kushtua vëmendja e merituar. Në ditët e sotme, është zhdukur ngarendi i diskutimit. Ne lejojmë në një mënyrë apo në një tjetër që greku të thotë ‘e ashtuquajtura Çamëri’ sepse mendojmë se për të hyrë në Europë, duhet medoemos të kemi marrëdhënie të mirë me fqinjin. Nuk di sesi ta quaj…mohim identiteti? Po, mund ta quaj edhe mohim identiteti.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit