12.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Cocktail molotov ndërkombëtar

Më të lexuarat

Redi Shehu

“Situata poltitike nuk është aspak e mirë! Situata ekonomike nuk është aspak e mirë! Situata e lavamanit tim po ashtu nuk është aspak e mire” – do të thoshte Adriano Çelentano duke ironizuar stresin qytetar i cili përthyhet në ato mijëra halle dhe dilema të përditshme që zbresin në formën e një orteku, pikërisht të zanafilluara nga problemet me kupolën qeverisëse.

Tek ne, lavamanët gjithmonë kanë pasur probleme. Qeveritë dhe situata politiko-ekonomike, po ashtu me probleme ka qenë gjithmonë. Pështjellimi i mosfunksionit të diçkaje, simptomat e së cilës i gjen tek secili prej nesh me përzierje stomaku, është kthyer në gjëndjen normale tonën. Të gjendur në këtë situate dizfunksionimi dhe pështjellimi të përhershëm, e kemi shumë të vështirë të kuptojmë sensin e normales dhe mirëfunksionimit.
Kriza e fundit politike, e cila kulmoi me çdekretimin e Presidentit Meta të 30 Qershorit si datë e dekretuar një herë për zgjedhjet lokale në Shqipëri, ka hyrë në një terren të paparë dhe dëgjuar ndonjëherë për eksperiancat botërore të politikës.

Një akt i papreçedent si lënia e mandave të deputetëve nga ana e Partisë Demokratike dhe LëvizjEs Socialiste për Integrim, u pasua me një akt tjetër të paperçedent nga ana e Presidentit të Republikës, atë të çdekretimit të një dekreti të fimosur po nga ai për një datë kushtetuese zgjedhjesh. Pas këtij akti, i gjithe aksioni politik u transferua nga rruga në paltformat elektronike për të komentuar , shpjeguar, argumentuar secili brenda formimit të vet juridik, aktin e Presidentit të Republikës. Për disa ky është një akt heroik që shpëtoi Shqipërinë nga konflikti, për disa të tjerë ky është pikërisht fillimi i konfliktit. E kështu me radhë ndarja e territoreve të hiperpolitizuara, u zgjatua deri tek komentet juridike dhe do përfundojë mbi atë se si zgjidhet politikisht problemi që ka lavamani i komshiut.

Metafora e lavamanit, lidhet direkt me individin në shoqërinë e sotme. Ne vazhdojmë të harrojmë në mënyrë të përsëritur, se në thelb të problemit politik, dhe të çdo problemi, është individi dhe formimi i tij. Nëse sot ka krizë, kjo vjen për shkak të krizës me individin, nëse sot ka konflikt kjo ndodh për shkak të natyrës konfliktuale që individi ynë shfaq në shoqëri. Prandaj, edhe metafora e rregullimit të lavamanit, është metafora e rregullimit të individit prej nga fillon edhe restaurimi i të gjitha problemeve politike dhe ekonomike në shoqëri.

Presidenti Meta, dukej qartësisht i dalë nga ajo qetësia e tij e zakonshme me lëvizje të ngadalta dhe me artikulim rrokje-rrokje. Në konferencën e “çdekretitmit”, ai nuk ishte vetvetja. Simptomat e jashtme janë treguesi më i mire për të dalluar gjëndjen e brëndëshme. Ai ishte i sforcuar. Qeshja e tij ishte e sforcuar, madje edhe shqiponja e bërë më gishtat që firmosën aktin, ishte e sforcuar. Paraqitja e dekretit para kamerave (nje kopje e shëmtuar e metodave të Trump), ishte po ashtu e sforcuar. Ky fakt, tregon se presidenti nuk ishte duke bërë gjënë e natyrshme. Njeriu, zakonisht është krejtësisht vetvetja dhe i qetë kur bën gjënë e natyrshme, aq më tepër ku ai e di se po bën gjënë e duhur. Psikologjia e z. Meta shfaqur në gjestikulacione dhe artikulime, të thëna në orën 08.00 të mëngjesit, tregon për dëshirën e madhe për ta transmetuar këtë sforcim po ashtu edhe tek të tjerët.

Unë nuk dua t’i hyj debatit nëse çdektretimi i datës së zgjedhjeve ishte apo nuk ishte një akt i bazuar në kushtetutën tonë. Sado që të komentoj, thjesht të jetë një koment që zgjatohet në ato qindra komente të ndara në kampe politike mbi kushtetutshmërinë e këtij akti, pa sjellë ndonjë gjë të re. As nuk dua të futem në analizën e asaj se si mund të përmirësohet situata e vjedhjes dhe transformimit të votës në qeverinë Rama nga z. Meta, i cili kur ishte kryeministër në vitin 2001, merrte akuza nga ODIHR-i për vjedhje të hapura votash në kurriz të Partisë Demokratike.

Tani në aleancë me këtë të fundi, marrin veprime njëri në rrugë e tjetri në zyrë, për të ruajtur shenjtërinë e kësaj vote. Për sa kohë unë nuk kam ndonjë interes të lidhur me partitë politike, refuzoj ta kem memorien e shkurtër dhe refuzoj të luaj rolin e naivit politik që harron në mënyrë të vullnetshme të shkuarën e shëmtuar me shpresë se do të ndërtojë të ardhmen e ndritur.

Unë çështjen e shoh më larg. Konflikti politik i zanafilluar prej muajsh tashmë, që nga ai miting i 16 Shkurtit ku partitë opozitare “të habitura” në pjesmarrjen e madhe, vendosën të lënë mandatet e deputetëve, është një konflikt që rrezaton përplasjen e titanëve në arenën ballkanike. Me lëvizjen e fundit të presidentit Meta, me çdekretimin e datës së zgjedhjeve, lufta Gjermani- SHBA për dominim në Ballkan ka mberritur ne pikën e vet kulminante. Jo vetëm kaq, por edhe vetë BE është në konflikt të hapur politik me disa shtete anëtare si Gjermania dhe Franca përsa i përket qëndrimeve lidhur me datën e zgjedhjeve në Shqipëri por edhe me proçedurat e integrimit europian.

Deklaratat e përfaqësuesve të lartë të CDU, gazetari gjerman që plasi skandalet e përgjimeve të kryebashkiakut të Durrësit Dako, si dhe qëndrimet e fundit të zj. Merkel për moshapjen e negociatave me këtë qeveri, janë në kundërshtim të hapur jo vetëm me strukturën e BE, por me vetë përfaqësuesit e politikës amerikane të cilët me emër dhe mbiemër akuzojnë liderët e opozitës për nxitjen e trazirave si dhe mbeshtësin maxhorncën për të vazhduar në rrugën e reformave si dhe bërjen e zgjedhjeve në datën e caktuar nga kushtetuta.

Çështja është se kjo përplasje në Shqipëri por edhe në Kosove (e kemi parë këtë në çështjen e kufinjve), bëhet duke përdoror elitat e vjetra të korruptuara të këtyre vendeve. Papritmas, për shkak të pragmatizmit të kësaj përplasjeje, individë të ndotur nga historia e tyre politike, shfaqen si shpëtues dhe përdoren si “salvagente” nga fuqitë e mëdha në mënyrë që ata të realizojnë planet e tyre për Ballkanin. Pyetja që shtrohet është se, cili është plani ynë për vetveten?

Nëse në 30 Qershor nuk do te kete zgjedhje, kjo do shënoje renien e influences se SHBA-ve në këtë rajon dhe ngritjen e Gjermanise si ambasadë e parë në Shqipëri. Ajo që urojmë është që Shqipëria të mos kthehet në një “vend i shqyer” nga forca gravitacionale e superfuqive.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit