0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

I verbër por lexues entuziast i Kur’anit

Më të lexuarat

Albert Bardhi, 31-vjeçari nga qyteti i Drenasit, edhe pse ka dëmtime në të pamurit, ai tashmë tre vite vazhdon të lexojë Kur’anin të shtypur në katër vëllime në Alfabetin Braj, sistem special i shkrim-leximit që lehtëson të verbërit për të mësuar dhe komunikuar.

Shkollimin fillor dhe të mesëm Bardhi nga Drenasi e ka përfunduar në shkollën për të verbër dhe me dëmtime shikimi – Qendra Burimore “Dr. Xheladin Deda” në Pejë, shkollë e vetme në Kosovë që ofron arsimim për këtë kategori.

Teksa gishtërinjtë e tij lëvizin lehtë mbi fletët e librit të tij të preferuar, formimi i shkronjave të të cilët është përdorur sistemi gjashtë pikash, Bardhi shprehet se jeta e tij nuk është e njëjtë që kur ka filluar ta lexojë Kur’anin dhe thekson se do të dëshironte që ta lexojë edhe në gjuhën arabe.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Bardhi shprehet: “Më besoni që nuk kam asnjë fjalë ta përshkruaj, nuk gjej fjalë. Është diçka e madhe. Mirë që janë mundësitë edhe për neve të verbërit ta lexojmë Kur’anin.

Është një kënaqësi e madhe, nuk ka dyshim në këtë çështje”.Përpos leximit të Kur’anit dhe agjërimit, Bardhi, i cili jeton në një familje shtatë anëtarëshe, në shtëpinë e tij falë edhe namazin, ndërsa Xhaminë Qendrore të Drenasit e viziton çdo të premte për namazin e xhumasë.

Dëshira më e madhe e tij në këtë botë është një përgjegjësi që e përcjellë vazhdimisht. “Vetëm me dalë faqebardhë prej kësaj dynjaje, me mëkate të falura. Kjo është dëshira më e madhe për mua në këtë botë”, thotë ai.

Bardhit Kur’ani në Alfabetin Braj i është ndarë nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, të cilës në vitin 2013 Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) i ndau 20 të tillë, nga ku theksojnë se për herë të parë Kur’ani në Alfabetin Braj në shqip është shtypur para 15 viteve.

Alfabeti shqip në gjuhën e pikave është përgatitur nga Dilaver Zgjani dhe Liri Kamberi, bazuar në alfabetin francez të Louise Braille, libri i parë i të cilit me këtë alfabet pikash u botua në vitin 1837. Ky alfabet është miratuar në vitin 1963 si alfabet zyrtar i të verbërve në Shqipëri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit