3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Reportazhi i BBC: Si i trajton Greqia minoritetet (?!)

Më të lexuarat

Një pjesë e publikut grek e ka mirëpritur si një të vërtetë që duhet njohur, pranuar e respektuar, por shumica janë tërbuar nga një artikull i publikuar nga BBC. Artikulli rrëfen vuajtjet ndër vite dhe përpjekjet për mbijetesë dhe ruajtjen e gjuhës nga minoriteti sllavo-maqedonas në veri të Greqisë.

BBC ka intervistuar një anëtar të këtij minoriteti, të panjohur nga ana e Greqisë. Ai është një 90-vjeçar, të cilit gjiganti mediatik britanik i publikon vetëm emrin për ta mbrojtur nga hakmarrja e nacionalistëve grekë që refuzojnë të pranojnë se brenda kufijve të shtetit të tyre ka edhe etni të tjera.

I gjithë reportazhi është ndërtuar mbi rrëfimet e të moshuarit, fakteve e provave historike, por edhe vëzhgimeve në terren. Të gjitha këto tregojnë se ndaj sllavo-maqedonasve në veri të Greqisë janë përdorur të njëjtat metoda asimiluese si ato ndaj arvanitasve, apo çamëve. Atyre u është mohuar etnia dhe në dokumentet zyrtare quheshin dhe quhen ende si “pakicë gjuhësore”, ose “grekë dygjuhësh”. Në rastin e arvanitasve, propaganda dhe makineria nacionaliste greke ka funksionuar duke u munduar që të shkëpusë lidhjet mes tyre dhe shqiptarëve të sotëm. Grekët i quajnë “arvanitas”, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë “alvanos”, si dhe mohojnë me këmbëngulje lidhjen gjuhësore.

Në rastin e çamëve u përdor feja. Myslimanët u quajtën “turq” dhe të krishterët u asimiluan. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, në disa fshatra në kufi me Shqipërinë e deri në Pargë flitet ende shqip.

E njëjta gjë ndodh edhe me minoritetin maqedonas. Këngët dhe gjuha maqedone ishte e ndaluar. Për grekët ajo ishte dhe është një dialekt i bullgarishtes dhe folësit e saj grekë të sllavizuar.

Për këto dhe të tjera paralele të asimilimit të minoriteteve në Greqi lexoni reportazhin e plotë të BBC:

Minoriteti i padukshëm në Greqi – Sllavo-maqedonasit

Me ratifikimin e marrëveshjes që i jep Maqedonisë një emër të ri, Greqia tërthorazi ka njohur ekzistencën e një gjuhe dhe etnie maqedonase, por sërish vazhdon t’i qëndrojë stoike mohimit të ekzistencës së minoritetit maqedonas në territorin e saj. A do të ndryshojë ky qëndrim tani?

Zoti Fokas është 92 vjeç. Prej vitesh mban si pjesë të pandashme të vetes një bastun me një kokë të fildishtë, i blerë në Rumani nga gjyshi i tij, një shekull më parë. Mendjen dhe kujtimet i ka të freskëta, pavarësisht viteve që ka mbi shpinë.

Një jurist i dalë në pension prej kohës, Fokas flet greqishten formale rrjedhshëm, por sërish ka një theks dallues. Gjuha e nënës së tij është maqedonishtja, e lidhur me bullgarishten dhe e folur në këto pjesë të Ballkanit prej shekujsh. Në shtëpinë e djalit të tij, në një fshat në veri të Greqisë, më rrëfen historinë e thimbshme të minoritetit sllav-folës të panjohur kurrë.

Që në fillim të rrëfimit kujdeset që të saktësojë se ndjehet njësoj, sa maqedonas, aq edhe patriot grek. Ka arsye që të theksojë besnikërinë ndaj kombësisë së tij: për thuajse një shekull, maqedonasit në Greqi kanë qenë objekt i shtypjes, persekutimit dhe mohimit të vazhdueshëm nga të gjitha qeveritë dhe qeveritarët grekë.

Sot, statusi i vendit anëtar në Bashkimin Europian e pengon Greqinë që të ndalojë haptazi këtë minoritet që të flasë gjuhën e tij amtare, por persekutimi i vazhdueshëm e ka dhënë efektin. Maqedonasit ndjehen të përbuzur e përçmuar nëse flasin gjuhën e tyre në publik. Nga grekët gjuha e tyre quhet thjesht “lokale”, pa asnjë përcaktim tjetër.


Maqedonas te Greqise me veshjet e tyre tradicionale ne nje foto te shkrepur ne fillim te shekullit te 20-te

Ata janë zhdukur nga librat e historisë, nuk janë përfshirë në censuset e regjistrimit të popullsisë që prej vitit 1951, kohë kur u përcaktuan si “lokalë sllavo-folës” dhe ekzistenca e tyre mezi përmendet në publik, aq sa pjesa më e madhe e grekëve as e dinë që ata ekzistojnë vërtet.

Kjo “zhdukje” ishte një prej shkaqeve kryesore në përplasjet e gjata mes ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqisë. Përplasjet duket se u sheshuan me emërtimin Republika e Maqedonisë Veriore, të shtetit që deri në momentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës njihej nga Athina zyrtare thjesht si Shkupi.

Kur foli në Parlamentin grek në fjalimin ku kërkoi votën e deputetëve për paktin e nënshkruar me Zoran Zaev në qershorin e kaluar, Aleksis Tsipras theu një tabu: ai foli për ekzistencën e sllavo-maqedonasve në Greqi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mjafton termi “Maqedoni” në emërtimin zyrtar, për të nënkuptuar tashmë se edhe për Greqinë ekzistojnë maqedonasit, të cilët janë njerëz që kërkojnë të drejtën e tyre. Por, kjo ngre njëkohësisht disa pyetje të vështira për Greqinë dhe historinë e këtij minoriteti atje.

Kur lindi zoti Fokas, rajoni verior i Greqisë, që nga grekët njihet si Maqedoni, sapo ishte aneksuar nga shteti grek. Deri në vitin 1913 rajoni ishte pjesë e Perandorisë Osmane, që ishte në grahmat e fundit të saj. Greqia dhe Bullgaria duke shfrytëzuar këtë dobësi nënshkruan një pakt dhe i shpallën luftë. Pakti mes Greqisë dhe Bullgarisë u prish më vonë dhe një prej arsyeve ishin edhe sllavisht-folësit e këtij rajoni dhe pretendimet territoriale që përplaseshin mes dy vendeve.

Pikërisht në këtë periudhë u forcua identiteti i sllavo-maqedonasve, ashtu siç zoti Fokas citon gjyshin e tij. “Familja ime nuk është as serbe, as greke, as bullgare, por ortodokse maqedonase”, kujton sot 92-vjeçari thënien e paraardhësit të tij.

Por, në fund sllavo-maqedonasit e panë veten të ndarë mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Në pjesën e aneksuar nga Greqia, pjesa më e madhe u dëbua, ata që qëndruan u asimiluan me “hir dhe pahir”. Të gjitha fshatrat dhe qytetet me emra jogreke morën emra të rinj që iu vendosën nga një komitet i ngritur posaçërisht në fund të viteve 1920. Megjithatë, edhe sot disa minoritarë përdorin emërtimet e vjetra.

Në vitin 1936, zoti Fokas ishte 9 vjeç, kur diktatori grek, Janis Metaksa (një adhurues i Musolinit) shpalli të jashtëligjshme gjuhën maqedonase dhe detyroi folësit e saj që të ndryshojnë emrat në emra grekë.

Zoti Fokas e mban mend mirë dhe kujton forcat policore teksa dëgjonin edhe vajtimet nëpër funerale, apo dritaret e shtëpive për të kapur ndonjë që fliste apo këndonte në gjuhën e ndaluar. Kush kapej ndëshkohej rëndë, deri në vdekje.

Gratë që nuk flisnin greqisht mbulonin fytyrën me shami për t’u maskuar prej agjentëve grekë. Megjithatë, e ëma e zotit Fokas u arrestua dhe gjobit me 25 dhrahmi, një shumë tepër e madhe dhe e papërballueshme për familjen e tyre për atë kohë.

“Sllavisht-folësit vuajtën shumë nën regjimin grek të Metaksas. 20 njerëz nga ky fshat, kryetarët e familjeve të mëdha dhe me emër u internuan në ishullin Kos. Vjehrri im ishte njëri prej tyre. U torturuan dhe detyruan që të pinin deri në rrëshirë të shkrirë”, kujton sot i moshuari.

Kur Gjermania, Italia dhe Bullgaria pushtuan Greqinë në vitin 1941, një pjesë e sllavisht-folësve i mirëpritën. Ata shpresonin se veçanërisht bullgarët do t’i çlironin nga regjimi i represiv i Metaksas. Bullgarët pushtuan pjesën lindore të Maqedonisë greke nga viti 1941 deri në 1944. Gjatë këtij pushtimi u kryen shumë krime lufte ndaj grekëve dhe për këtë grekët gabimisht akuzojnë edhe minoritarët maqedonas, të cilët i identifikojnë si bullgarë.

Minoritarë maqedonas që bashkëpunuan me pushtuesit kishte, por shumë të tjerë iu bashkuan më vonë rezistencës së udhëhequr nga Partia Komuniste, e cila në atë kohë mbështeste dhe i premtonte të drejta të barabarta minoritetit maqedonas. Ata ishin pjesë e komunistëve edhe në luftën civile që pasoi më vonë.

Kur komunistët u mposhtën, ndaj maqedonasve nisën sërish raprezaljet, jo vetëm kundër atyre që kishin bashkëpunuar me gjermanët, bullgarët dhe italianët, por edhe ndaj atyre që ishin pjesë e rezistencës së komunistëve dhe të majtës.

“Maqedonasit ishin ata që e paguan më shtrenjtë nga të gjithë faturën e luftës civile. Në këtë fshat 8 persona u gjykuan nga një gjykatë ushtarake dhe u ekzekutuan me vdekje, tetë nga fshati në krah dhe 23 të tjerë nga fshati përballë. Vranë gjyshin dhe nipin e tij, vetëm 18 vjeç”, thotë Fokas.

Në atë kohë, zoti Fokas ishte student në Selanik, por kjo s’ja kurseu arrestimin dhe tre vite burg në ishullin Makronisos, jo sepse kishte shkelur ndonjë ligj, por sepse ishte i biri i një nëne që kishte ndihmuar kunatin e saj që të arratisej nga çatia e një bar-kafeje ku mbahej i ndaluar.

Pjesa më e madhe e të burgosurve në Makronisos ishin elementë të së majtës greke, që u detyruan që të nënshkruanin deklarata pendimi për të shkuarën e tyre komuniste. Ata që refuzonin detyroheshin që të zvarriteshin mbi tela me gjemba, ose goditeshin me shkopa bambuje.

“Shumë gjëra të tmerrshme janë bërë, por ne nuk duhet të flasim për to. Është një ofendim për qytetërimin greke dhe dëmton imazhin e Greqisë”, thotë zoti Fokas.

Mijëra luftëtarë të së majtës komuniste u larguan në ekzil në përfundim të luftës civile. Pjesa më e madhe e tyre ishin sllavisht-folës, që u arratisën në drejtim të vendeve komuniste në Europën Lindore. Gjatë arratisë morën me vete rreth 20 mijë fëmijë, qoftë për t’i mbrojtur nga hakmarrja e grekëve, qoftë për t’i patur si trupa rezervë për një kundërsulm të mundshëm në të ardhmen.

Kur ndodhën këto zhvendosje masive, shumë fshatra u lanë pas të boshatisur, si Krystallopigi, që quhet nga grekët, apo Smërdesh nga maqedonasit, pranë kufirit me Shqipërinë. Dëshmia më e madhe se dikur aty jetonte një komunitet prej më shumë se 1500 shpirtërash është kisha e Shën Gjergjit.

Në vitin 1982, 30 vite pas fundit të luftës civile, qeveria socialiste greke kaloi një dekret që u lejonte refugjatëve të konfliktit të brendshëm që të riktheheshin në vendlindje. Por, rikthimi u lejohej vetëm atyre me etni greke. Maqedonasit etnikë që ishin larguar u lanë sërish jashtë vendlindjes së tyre, jashtë fshatrave dhe tokës, e familjet e ndara gjatë luftës nuk u bashkuan kurrë.

Vjehrri dhe kunati i zotit Fokas që të dy vdiqën në Shkup. Megjithatë, vetë 92-vjeçari thotë se dekreti taktikisht njohu ekzistencën e maqedonasve etnikë në Greqi, megjithëse shteti zyrtarisht asnjëherë s’i ka njohur. “Ata refugjatë lufte lanë pas fëmijë, nipër e mbesa dhe prindër. Çfarë ishin ata, nëse nuk ishin maqedonas?”, pyet Fokas.

Sot është e pamundur që të përllogaritësh qoftë me përafërsi numrin e sllavisht-folësve, apo pasardhësve të tyre në Greqi. Historiani Leonidas Embiricos thotë se janë më shumë se 100 mijë që ende jetojnë në Greqi, megjithëse jo më shumë se 20 mijë e identifikojnë veten hapur si minoritet dhe asimilimi ka bërë të veten, aq sa shumë të tjerë identifikohen si “grekë krenarë dhe nacionalistë”.

Maqedonishtja nuk është e ndaluar prej dekadash, por edhe sot frika për ta folur ekziston. Një burrë i moshës së mesme, banor i një fshati buzë Liqenit të Prespës greke thotë se frika është trashëguar brez pas brezi.

“Prindërit e mi nuk flisnin maqedonisht në shtëpi kur isha fëmijë, nga frika se mos e flisja në publik. E bënin për të më mbrojtur. Nuk e mbajmë më mend se përse kemi frikë që të flasim gjuhën tonë. Ajo po vdes ngadalë. Represioni shumëvjeçar e mbylli këtë gjuhë në shtëpi dhe tani asimilimi po i jep goditjen e fundit”, citohet ai nga BBC.

Megjthëse nuk është e ndaluar dhe nuk rrezikohet më burgu, sërish të flasësh maqedonisht në këto zona mund të të shkaktojë telashe. Djali i zotit Fokas është një muzikant. Ai është pjesë e një bande që mundohet të ruajë traditat dhe këndon në maqedonisht. Një ditë vendosën që të organizonin një festival ndërkombëtar në qendër të fshatit me grupe të tjera, që nga Brazili, Meksika e deri në Rusi.

“Pasi grupet e tjera këndonin, ne mblidheshim dhe këndonim këngë maqedonase. Asnjë prej këtyre këngëve nuk ishin nacionaliste, apo separatiste. Kur do të organizonim festivalin në vitin pasaardhës dhe po prisnim miqtë tanë ndërkombëtarë, autoritetet vendore na ndaluan papritur organizimin e festivalit në qendër të fshatit, megjithëse ata që e dhanë këtë urdhër, vetë i organizojnë pikërisht në këtë qendër eventet e tyre, politike e kulturore”, thotë ai për BBC.

Në momentin e fundit, festivali u zhvendos në një fushë jashtë fshatit, me skenë e ndriçim të improvizuar dhe mes llucës e ferrave. “Dëmtoi imazhin e Greqisë”, thotë Focas.

“E dini pse festivali dhe këngët u ndaluan në shesh, por jo në fushën jashtë fshatit? Sepse përreth sheshit ka kafene dhe banorët vendas do të uleshin atje dhe thjesht do të shihnin dhe dëgjonin të qetë muzikën. Por, jashtë fshatit ata kanë frikë që t’i bashkohen një eventi të tillë, sepse do të tërhiqnin vëmendjen e autoriteteve nëse do ta bënin këtë”, thotë 92-vjeçari, që i del në krah të birit.

Ratifikimi i marrëveshjes mes Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut njeh gjuhën dhe etnitetin maqedonas. Ajo është një hap i madh edhe për këta banorë, për t’i zhveshur nga frika e përdorimit të gjuhës mëmë. Por, pakti ka ngjallur edhe protesta shpesh të dhunshme e që në një pjesë të mirë të mbështetura nga kisha ortodokse greke.

Në fund të këtij viti, Greqia do të votojë për qeverinë e re dhe opozita e djathtë po mundohet të kthejë në kapital politik këtë lëvizje, duke akuzuar SYRIZA-n për tradhti. Ndaj, për grekët sllavisht-folës, të cilët nuk kanë kërkuar asnjëherë më shumë se të drejtën për të folur gjuhën e tyre, apo për të ushtruar lirisht traditat e veta në vendet ku kanë lindur, koha për të dëbuar frikën dhe për të dalë hapur, mund të mos ketë ardhur ende.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit