-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Këshilla për ushqimin e fëmijëve nga 6 muajsh

Më të lexuarat

Futja e një ushqimi të ri për fëmijën është një moment delikat, por edhe i rëndësishëm që duhet përballuar me qetësi, durim e besim e pa frikë.
Zakonisht fillohet me frutë, mollë a dardhë, e bërë në pure ose e omogjeneizuar sepse, falë shijes saj së ëmbël, mund të jetë më e lehtë që të pranohet nga fëmija.

Më pas kalohet në supat e ndryshme. Si fillim jepet vetëm dreka në orën 12 e pas një muaji fillohet edhe me darkën.
Fillimisht duhet të përgatisim brodon.

Përbërësit për Këshilla për ushqimin e fëmijëve nga 6 muajsh
Brodo për fëmijë
1 l ujë

1 karrotë bio

1 kungull bio

1 patate bio

Përgatitja
Në 1 l ujë hedhim të gjitha perimet dhe i ziejmë për një orë në zjarr të ngadaltë. Duhet të ngelet rreth 200 ml brodo pas zierjes.
Duhet të kemi kujdes që s’duhet ti hedhim kripë asnjëherë ushqimit të fëmijës në vitin e parë të jetës.

çdo javë në brodo i shtohet gradualisht nga një perime e re, selino, spinaq, qepë, në mënyrë që fëmija të mësohet me shije të reja dhe të shohim nëse është alergjik nga ndonjë ushqim i ri.

Përgatitja e supës së parë
Në një tenxhere me avull ziejmë për pak minuta një patate të vogël, një karotë të vogël dhe një kungull të vogël. Pasi janë zierë, i grijmë.
Në 200 ml brodo të kulluar të nxehtë shtojmë 1+1/2 lugë miell orizi ( ose miell misri a cereali). I trazojmë mirë që të mos krijohen kokrriza. Shtojmë edhe 50/60 gr perimet të grira ( ato të gatuara në avull), një lugë kafeje me vaj ulliri dhe 1+1/2 lugë kafeje me djathë parmixhan të grirë, ( djathi duhet të jetë i maturuar 24 muajsh). I përziejmë mirë dhe ushqejmë fëmijën me lugë. E rëndësishme është që edhe fëmijës ti japim një lugë në dorë në mënyrë që të mësohet me të.

Mishi
Pas 3 javësh që kemi filluar ushqimin shtojmë edhe mishin, ( filetë viçi të gatuar në avull). E grijmë dhe e bashkojmë me supën e përgatitur si më sipër.
Pas 5 javësh nga fillimi i ushqimit shtojmë gluten si p.sh. bollguri dhe perime siç janë gjethet e panxharit, ose 20/30 gr bishtaja fasule të freskëta.
Në muajin e 8 i fusim mishin e pulës të pjekur në furrë me patate, peshkun, mëlçinë e pulës dhe të lepurit, makarona të vogla me domate të freskët.
Në darkë mund ta ndryshojmë ushqimin duke i dhënë edhe proshutë të përpunuar pa dhjamë, djathë të freskët siç janë gjiza pa kripë apo mocarela e freskët.

Veza
Kur fëmija bëhet 10 muajsh i fillojmë ti japim vetëm të verdhën e vezës. E fillojmë me një lugë kafeje çdo tre ditë, në mënyrë që të shohim nëse fëmija është alergjik apo jo, e më pas vazhdojmë me 2 lugë të vogla çdo 3 ditë.
Kur supës i fusim vezët duhet ti heqim mishin.
Në këtë periudhë i fusim edhe bishtajoret e thata siç janë fasulet, thjerrëzat, qiqrat.
Duhet të kemi kujdes sepse disa fruta e perime këshillohen të jepen pasi fëmija ka mbushur një vjeç, siç janë luleshtrydhja, kivi, fruta të thata, domatja, patëllxhani, lulelakër,lakra, frutat e detit. Pasi shumica e tyre mund ti japi fëmijës alergji ose kruajtje lëkure.

Menyja
Kur prindi ushqen fëmijën duhet të jetë sa më i qetë dhe s’duhet të insistojë nëse një lloj ushqimi nuk i pëlqen, propozojini të njëjtën ushqim pas një jave. E rëndësishme është që fëmija të hajë kur e gjithë familja është ulur në tavolinë për të ngrënë.
Menyja e fëmijës (ashtu si edhe për të rriturit ) duhet të ketë varietet, 2-3 herë në javë mish, të paktën 2 herë peshk, 2 herë vezë, 2 herë djathëra e proshutë.

Duhet ta mësojmë fëmijën të hajë sa më shëndetshëm.
Siç e kam thënë edhe në artikullin e mëparshëm “Këshilla për ushqimin e fëmijëve të porsalindur”, unë kam dhënë disa këshilla të vlefshme për nënat e reja, por është pediatri i familjes ai që vendos për gjithçka rreth fëmijës tuaj.
Shpresoj që t’ju kemi ardhur në ndihmë sadopak. Herë pas here do të publikojmë receta për fëmijë të vegjël.

Gatim të mbarë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit