-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ky është hymni Musliman Shqiptar, a e ke lexuar?

Më të lexuarat

Në revisten “Zani i Naltë”, Tiranë, në nr.1. viti 1936, faqe 30-34, në një reportazh rreth shkuarje së haxhinjve nga Shqipëria, me tjerash theksohet se atë vit nga Shqipëria ka pasur 22 haxhinj , prej tyre: 3 nga Tirana, 11 nga Shkodra dhe 8 nga Kavaja, të cilët udhëhiqeshin nga Hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Përgjithshme, personalitet i shquar i kohës.

Pas faljes së zakonshme të udhëtimit dhe të lutjes së mallëngjyeshme të kryemyftiut Haxhi Vehbi Dibra, haxhilerët u përshëndetën në mënyrë prekëse nga studenti i dalluar i Medresesë, Hasan Selami, autor i mëvonshëm i “Hymnit Musliman”.

Studenti i dalluar i Medresesë së Tiranës gjatë viteve 1931-1935, Hasan Selami, autor i mëvonshëm i “Hymnit Musliman”, sipas Imam Vehbi Ismailit, ka qenë studenti më i shquar që ka patur Shqipëria në Kairo, Egjipt, brenda pak vjetësh qe i zoti të marr një seri diplomash nga Universiteti i Az-harit, nga Universiteti Amerikan dhe nga Universiteti Frances, por vdekja e shkëputi nga rradhët tona… Trupi i tij qe varros në Teqen Bektashiane Shqiptare në Kairo, ku bashkë me te pushojnë dhe shumë trupa të studentëve tjerë shqiptarë. Perendija ja patë dhuruar Paraisen.  (“Jeta Muslimane Shqiptare” Nr.4, Tetor 1950, faqe:7, Detroit, Mich. SH.B.A)

Pasi diplomoi në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë më 1935, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke i njohur aftësitë e Hasan Selamit, i cili edhe si nxënës i Medresesë kishte dhënë mësime në klasat e ulta, emërohet  ndihmës profesor në Medrese, por shërbente edhe si imam predikues nëpër xhamitë e Tiranës, nëpër xhamitë kryesore në Shqipëri, që nga Jugu në Veri.

Në vitin 1936 regjistrohet në Universitetin el-Az’har në Kairo, ku studioi filozofinë, në të njëjten kohë qe regjistrue në Universitetin Amerikan, në degën e Letërsisë e Pedagogjisë dhe në Universitetin Francez.

Në vitin 1939 doktoroi në Filozofi dhe Misionari, këtë ngjarje shtypi në Egjipt e kishte shënue, kishte publikue edhe fotografi dhe shkrime rreth suksesit të tij.

Hasan Selami, përveç suksesit të pashembullt në studime, njihte disa gjuhë të huaja, si anglisht, italisht, arabisht, frangjisht, latinisht. Me gjithë ngarkesën që kishte me studime,  gjente kohë m’u marrë edhe me përkthime e krijime, kishte prirje për poezi…

Sadik Bega, me prejardhje nga Gjirokastra, një nga themeluesit e revistës “Kultura Islame”, “organ i Komunitetit Musliman Shqiptar, me qendër në Tiranë, 1939-1944, një kohë edhe drejtor i kësaj reviste, si edhe Imam Vehbi Ismaili nga Shkodra, kishin studiue në Kairo bashkë me Hasan Selamin, sikur edhe dhjetëra studentë tjerë shqiptarë, por të gjithë kanë thënë se Hasan Selami ishte më i dalluar, më i shquari ndër të gjithë, jo vetëm ndër shqiptar, por ishte caktimi i t’Madhit Zot që ai  në moshën 32-vjeçare, qershor 1943, ndroi jetë në Kairo, ku u varrosë me nderime në Teqenë Bektashiane Shqiptare, por mbetë i paharruar tek çdo besimtar, atdhetar me poezinë: Hymni Musliman Shqiptar.

Hymni Musliman Shqiptar është botuar edhe në librin e shkruar nga:

Imam Vehbi Ismaili, ISLAMIZMI DHE LUTJET, botim i tretë i përmirësuar, 1993-1413, botuar nga Qendra Islamike Shqiptare (Albanian Islamic Center), Haper Woods, Mich, USA, fq. 168-169.

Hymni Musliman Shqiptar

Në besën islame unë lindur jam,

Nënën dhe baban musliman i kam,

Musliman i kam nënën dhe babanë,

Këtë fe të lartë trashëgim ma lanë.

 

Këtë fe të bukur mbasi e pranova,

Shumë më pëlqeu dhe e përqafova,

E kam përqafuar jo pse e kam gjetë,

Po vet’e gjykova që është e vërtetë.

 

Zotin e vërtetë me gojë e pohoj,

Dhe me gjith zëmër po e vërtetoj,

Dëshmoj Muhammedin si rob’i Tij

Një Profet i Zotit si neve njeri.

 

Unë Fenë Islame këtë fe të shenjtë,

E kam besën t’ime tepër të shtrenjtë,

I lutem pra Zotit, Zotit të vërtetë,

Të qëndroj n’Islam sa të rrojë në jetë.

 

Zoti në Kur’an na ka emëruar,

Me emër Muslim, sa emr’i bekuar!

Musliman i thonë atij që i shtrohet,

Vullnetit të Zotit dhe i dorëzohet.

 

Atij që bën paqë shkon në harmoni,

Me Zotin, krijesat dhe me njerëzi,

Islam do të thotë që të dorëzohesh,

Edhe të bësh paqë e Zotit t’i shtrohesh.

 

Me sa shpjeguam kushdo kupton,

Që paqë edhe bindje kjo fe na mëson,

Me kr’ejt njerëzin në paqë të jetojmë,

Edhe për të mirë duhet të punojmë.

 

T’urdhëron që mirë t’u bësh pikësëpar’

Vllezërve më t’afër gjith bijve shqiptarë,

Jahudi, krishterë çdo fe le të kenë,

Duhet t’u ndimojmë ta duam atdhenë.

 

Dijen, përparimin kudo që ta gjejmë,

Ta marrim si t’onën për vehte t’a bajmë,

Në bashk’atdhetarët na mëson t’a përhapim,

Dhe prej pasunisë na urdhëron t’u japim,

 

Unë në shpirt e kam dashtnin e Fesë,

I lutem pra Zotit – Musliman të vdesë.

Hasan Selami (1911-1943)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit