9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Vazhdoj të jem kundër “Paradës së Krenarisë”, partia nuk i qëndis qëndrimet e mia

Më të lexuarat

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gashi, në një intervistë të shkurtër për Periskopin ka sqaruar qëndrimet e saj shumë të komentuara kundër “Paradës së Krenarisë” së Komunitetit LGBTI, që u mbajt ditë në parë në Prishtinë.

Në të njëjtën intervistë, Gashi ka thënë se vazhdon të jetë refuzuese e Paradës që u mbajt me moton “Në emër të Lirisë”, pasi konsideron se kjo është një nga të drejtat e saj qytetare.

Ajo thotë se publikimi i saj në rrjetin social “Facebook”, i cili nxiti reagime të shumta për shkak të etiketimeve “të sëmurë” dhe “shkije”, shprehu qëndrimet e saj si individ, e jo si pjesëtare e një partie politike, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

Në të njëjtin mesazh, ajo thotë se u kishte bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit tjetër që të shfaqin virtytin e durueshmërisë qytetare edhe ndaj grupeve minorene që përfaqësojnë ide të ndryshme nga ato në të cilat shumica besojnë.

Sipas saj, Kosova vazhdon të mbetet shembull model në botë, për rezistencën më të vogël kundër LGBTI’s, duke e refuzuar Paradën vetëm në nivel pikëpamjesh të Facebook’ut. Madje, thotë se Kosova është më tolerante se shumë vende tjera perëndimore, ku ka lëvizje anti-LGBTI.

Ajo ka folur edhe për reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila u distancua nga qëndrimet e saj.

“Partia nuk i qëndisë qëndrimet e mia personale ndaj botës, shoqërisë, jetës dhe origjinës së njeriut. Pastaj, unë nuk kam shkruar nga faqja zyrtare e LVV-së në Facebook, as nga websajti i saj, as jam prononcuar në emër të LVV-së në llogarinë time. Në faqen time të Facebooku-ut unë jam autore, botuese, pronare, redaktore, kryeredaktore, përgjegjëse për fjalët e mia dhe qëndrimet e mia. Dhe, në qoftë se anëtarësimi në parti politike do ta deindividualizonte njeriun, atëhere zor që ndokush ndonjëherë do të bëhej pjesë e ndonjë grupimi qoftë ai politik, social, kulturor, sportiv”, ka thënë ajo ndër të tjerash.

Periskopi ju sjell intervistën e plotë me Donika Gashin:

  1. Ju u shprehët kundër Paradës së Krenarisë, që u mbajt së fundi në Prishtinë. A e ndani sërish të njëjtën bindje, dhe a mendoni se disa prej vlerave liberale janë imponuar në vend?

Donika Gashi: Moto e Paradës ishte “Në emër të Lirisë”, dhe në emër të Lirisë si koncept dhe si vlerë e përbashkët demokratike, unë përdora të njëjtën mënyrë që të mos e përkrah ngjarjen, së këndejmi fenomenin. Pse? – Besoj që në Republikën të cilën po përpiqemi ta ndërtojmë si një shtet demokratik dhe të barabartë për të gjithë, të shprehurit kundër Paradës, (apo fenomenit) është po ashtu një e drejtë demokratike, ashtu siç kjo e drejtë vlen njësoj edhe për ata që e përkrahën atë.

Në momentin që ke guxim të jesh ‘politikisht jokorrekt’ dhe mban një qëndrim personal refuzues ndaj një fenomeni të caktuar, mu aty fillon gozhdimi mediatik. Veçanërisht nëse je grua, veçanërisht nëse je edhe anëtare e LVV-së.

Në anën tjetër, isha dhe vazhdoj të jem refuzuese e Paradës dhe konsideroj që kjo është një nga të drejtat e mia qytetare. Për ata që më kanë lexuar drejt, ky refuzim ishte mirë dhe bukur i gërshetuar me mirëkuptim dhe tolerancë njerëzore kundrejt komunitetit organizues, me bindjen se, ashtu siç qartë e kam shkruar edhe në rrjetin social Facebook – “kanë të drejtë të jetojnë ashtu si duan vetë”.

Pra, mesazhi im, shkurt e qartë ishte thirrje drejtuar një komuniteti tjetër ku unë ndjehem që përkas, (me besim në vlera të ndryshme nga LGBTI), që të shfaqë virtytin e durueshmërisë qytetare edhe ndaj grupeve minorene që përfaqësojnë ide të ndryshme nga ato në të cilat p.sh shumica besojmë. Dhe, të besojmë në ide apo vlera të ndryshme është krejtësisht demokratike.

Organizimin e Paradës dhe defilimin publik në Prishtinë, bashkë me tendencën e organizatorëve që të gjithë ta ndajmë të njëjtën bindje me ta, e shoh si ide që një grup minoren tenton t’ia imponojë shumicës. (Dhe kjo bie ndesh me parimet liberale që ata gjoja se po i mbrojnë. Në fakt, një qëndrim i tillë nuk është tjetër përveçse cenim i të drejtave të shumicës që të besojnë dhe të ndjehen ndryshe.)

Megjithatë, me rastin e mbajtjes së Paradës treguam që jemi tolerantë dhe që Kosova vazhdimisht ka qenë shembull model në botë, me rezistencën më të vogël kundër LGBTI, duke e refuzuar Paradën vetëm në nivel pikëpamjesh të Facebook-ut. Treguam se jemi ndoshta edhe më tolerantët, (madje edhe në krahasim me vendet perëndimore dhe të Bashkimit Evropian, ku lëvizjet më anti-LGBTI do t’i gjeni që nga SHBA-të, e deri në Itali, Poloni etj.), dhe kjo është një nga vlerat tona që meriton të respektohet.

  1. A mendoni se kultura e mëhershme qytetare ose fryma konservatore po shtypet nga këto vlera?

Donika Gashi: Në shtetet dhe shoqëritë demokratike që ne i marrim si shembuj të jetesës së mirë qytetare bashkë-jetojnë sisteme të ndryshme vlerash dhe besimesh duke qenë pjesë e tërësisë. Në fakt, kjo edhe është bukuria e lirisë dhe diversitetit shoqëror. Me vetë tolerancën si virtyt autokton konsideroj se shumica shfaqim pajtueshmërinë që shoqëria nuk mund të jetë asnjëherë homogjene në sensin e mënyrës së të menduarit. Por ajo që ka rëndësi është që të respektojmë të drejtën e secilit për t’u shprehur i lirë edhe kur përfaqëson mendim dhe qëndrim të ndryshëm e të kundërt me tonin. Pra, ta kuptojmë që është paradoksale ta shtypësh lirinë në emër të lirisë ashtu siç veproi gazetari – njëri ndër organizatorët e Paradës, kundrejt të tjerëve, në këtë rast edhe meje.

Ta kemi të qartë që Perëndimi dhe Bashkimi Evropian, e dënon dhe e ndalon dhunën mirëpo nuk tenton të zhdukë pikëpamjet konservatore. Vlerat tona tradicionale si toleranca, solidariteti, bujaria, mikpritja, respekti për familjen, janë pasuri kombëtare që ne e kemi për obligim t’ua bartim gjeneratave të ardhshme. Sepse ky është themeli i shtëpisë sonë të hijshme dhe të veçantë. Por, gjithashtu ne kemi nevojë që të shmangim standardet e dyfishta dhe të mos lejojmë që kjo të bëhet normë e pashkruar në kulturën tonë. Secili le të bëj e le të jetojë si të dojë. Secili ka të drejtën të mendojë ndryshe. Po të vepronim sipas logjikës së një pakice në Prishtinë atëherë sipas tyre BE-ja do të duhej të burgoste e të linçonte ekstremin e djathtë në Evropë për shkak të gjuhës përjashtuese ndaj emigrantëve, afrikanëve, Islamit, arabëve etj. Mirëpo, atje madje ndodhë e kundërta. Ata fitojnë përqindje të konsiderueshme të votave dhe janë pjesë e parlamenteve dhe qeverive. Sepse, bota demokratike ka vend për bashkëjetesën e të gjitha ideve.

  1. Si e konsideroni qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila u distancua nga qëndrimet tuaja dhe mbrojti paradën?

Donika Gashi: Me të vërtetë më ka ardhur keq që një gazetar i një portali të caktuar hiperbolizoi qëndrimin tim personal të shprehur me shkrim në rrjetin social Facebook dhe në mënyrë tendencioze u përpoq që të njejtin ta paraqes edhe si qëndrim të Vetëvendosjes!. E kuptoj që krejt ai sulm intensiv ndaj meje nga ai gazetar i portalit në fjalë, u bë me qëllimin më djallëzor. (Nxorën tekstin nga konteksti, nuk lexuan metaforat , as shenjat e pikësimit.) Në njërën anë përdorën emrin tim për ta sulmuar LVV-në dhe në anën tjetër, u munduan që ta sulmojnë LVV-në për shkak të qëndrimit tim personal. Dhe kjo ishte krejtësisht hipokrite dhe tendencioze.

Në përgjigjen time ndaj sulmeve të atij portali dhe atij gazetari, sqarova pozicionin tim në këtë mes. Partia nuk i qëndisë qëndrimet e mia personale ndaj botës, shoqërisë, jetës dhe origjinës së njeriut. Pastaj, unë nuk kam shkruar nga faqja zyrtare e LVV-së në Facebook, as nga websajti i saj, as jam prononcuar në emër të LVV-së në llogarinë time. Në faqen time të Facebooku-ut unë jam autore, botuese, pronare, redaktore, kryeredaktore, përgjegjëse për fjalët e mia dhe qëndrimet e mia. Dhe, në qoftë se anëtarësimi në parti politike do ta deindividualizonte njeriun, atëherë zor që ndokush ndonjëherë do të bëhej pjesë e ndonjë grupimi qoftë ai politik, social, kulturor, sportiv. Por, rasti me mua, ka qenë më shumë tendencë e atyre që ashtu-kështu e kritikojnë LVV-në pa ia nda.

  1. Ju besoni se homoseksualizmi është sëmundje. Sipas juve, cila është kura për të?

Donika Gashi: Besoj që homoseksualizmi është gjendje në të cilën individi shfaqë vështirësi me të qenit në harmoni me natyrshmërinë e tij, ose shfaqë tendencën për të shkuar në kundërshti me natyrën në të cilën është i krijuar.  Dhe kjo është ideja që na e japin besimet monoteiste. Shkenca momentalisht mund të ketë qëndrim tjetër dhe mund të vazhdoj që sistematikisht të ndryshojë konstatimet e saj, ashtu siq vazhdimisht edhe ndodhë.

Deri para pak kohësh, në kapitullin për perversionet seksuale, bashkë me pedofilinë, vujarizmin, nekrofilinë, është mësuar edhe homoseksualizmi. Sidoqoftë, një besimtar merr për bazë tekstin fetar, pra Librin e Shenjtë, (”çdo gjë e kemi krijuar në çift që ju të përkujtoheni! (Dharijat:49), ashtu siq një tjetër merr për bazë teoritë më të fundit shkencore, së këndejmi njerëzore, me probabilitet të madh për ndryshime në të ardhmen. Natyrisht, unë ende besoj në të parën për shumë vlera dhe e shoh si bazën më të qëndrueshme,derisa të tjerët në të dytën dhe është krejt normale që njerëzit të kenë autoritete të ndryshme ku i mbështesin besimet, vlerat dhe qëndrimet e tyre. (Unë mbështetem në besimin te Zoti dhe Atë e shoh si pronarin e shërimit nga çdo lloj lëngimi shpirtëror.) Nëse unë gjykohem për këtë që e them, atëherë çfarë të bëjmë me shtyllat mbi të cilat njerëzimi e mbështetë idenë për jetën, krijimin, ekzistencën? Po nëse miliarda besimtarë në botë bazohen në Librat e Shenjtë, a do të thotë të zhdukësh ata veç pse kanë pikëpamje të caktuara mbi diçka? Sigurisht që jo. Për besimtarin, sjellja që e ndalon riprodhimin e njerëzimit, është sjellje destruktive. Por, besimtari nuk e merr përsipër gjykimin e krijesës në bazë të bindjeve të veta. Besimtari gjykon sjelljen, fenomenin, por jo dhe krijesën. Sepse ideja për Zotin, shpresa në mëshirën e Zotit dhe besimi në drejtësinë e Zotit, për besimtarin është më e madhe se e gjithë bota.

Intervistoi: Artina Muçiqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit