3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Tiranë, nis brenda këtij muaji

Më të lexuarat

Ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë do të nisë brenda këtij muaji dhe pritet të përfundojë në vitin 2018. Pas shumë debateve duket se tashmë ëndrra e të gjithë besimtarëve myslimanë po bëhet realitet. Kreu i këtij komuniteti, Skënder Bruçaj, ka deklaruar se është në kontakt me donatorin turk, i cili është edhe financuesi i ndërtimit të xhamisë. Ndërkohë, theksoi se prej vitesh besimtarët turq kanë kontribuar për ndërtimin e xhamisë në fjalë. “Me shumë dëshirë dhe vullnet dhe me burokraci të ndryshme u arrit në një pikë që nuk kemi asnjë pengesë në lidhje me ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë. Ne aktualisht jemi në kontakt me donatorin kryesor që është Komuniteti Mysliman Turk. Prej vitesh janë mbledhur donacionet nga vetë besimtarët myslimanë turq në Turqi.

Besoj se në janar ne do bëhemi gati të nisim investimet dhe pa kaluar 3 vjet do të jetë gati”, nënvizoi kryetari Bruçaj. Nga ana tjetër, rikujtoi se që prej vitit 1993 kanë nisur punimet për të ndërtuar xhaminë, por deri më sot asgjë nuk është bërë realitet. Qindra besimtarë myslimanë prej vitesh janë detyruar që të luten në rrugë dhe ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë do t’i japë fund kësaj situate. Ai përmendi edhe një detaj mjaft interesant, muzeun, i cili është simbol i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare të shqiptarëve. Sipas Bruçajt, kjo harmoni ndërfetare do të trashëgohet brez pas brezi. “Afër kompleksit të xhamisë ndodhet edhe një muze i veçantë që është titulluar Muzeu i Bashkëjetesës. Ky Muze jep simbolikën që Shqipëria  është vendi,i cili krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare. Identiteti i ndryshëm fetar nuk ka qenë ndarës, por bashkues, edhe këtu besoj se ky ndërgjegjësim sa po vjen dhe po rritet. Nuk jam i atij mendimi që shqiptarët janë indiferentë ndaj fesë dhe prandaj është toleranca.

Ne kemi shumë vende të ndryshme të botës që janë totalisht indiferentë ndaj fesë, por aty ka konflikte fetare”, u shpreh Bruçaj. Përpos kësaj, kryetari i komunitetit tha se do të ishte me mjaft interes përfshirja e lëndëve mësimore fetare në shkolla. Sipas tij, kjo do të sillte një harmoni ndërfetare midis të rinjve, si edhe do t’u jepte atyre njohuritë bazë mbi fenë. “Ka shumë modele në Austri dhe në Gjermani që nëpër shkollat publike të interesuarit kanë mundësi të marrin lëndë fetare, të paktën për t’u informuar saktësisht nga burimi i drejtpërdrejtë çfarë është feja. Sepse këtu me globalizimin, me mjetet e komunikimit me internetin e shumë hapësira të ndryshme ka shumë persona që flasin në emër të fesë dhe ky diversitet i pakontrolluar ka çuar në këto problem që kemi tani, radikalizmin apo qasjen ekstremiste”, shpjegoi ai.

Gjithashtu Bruçaj përmendi edhe problemet e vazhdueshme që ky komunitet ka pasur në lidhje me çështjen e pronave. Ndërkohë, pohoi se duhen parë ndryshe interesat e komuniteteve fetare në Shqipëri, sepse këto të fundit mund të kenë një ndikim shumë pozitiv në edukimin e brezave dhe në minimizimin e disa plagëve në shoqëri. Vendi ynë ka një numër të madh besimtarësh myslimanë dhe ndërtimi i xhamisë do të bëjë të mundur që shqiptarët të mos lutem më në rrugë. Një ritual i zakonshëm që bëhet çdo të premte apo edhe gjatë festave të tyre.

Xhamia e Namazgjasë do të jetë me 4 minare dhe do të ndërtohet në një shesh ndërtimi 10 dynymë. Xhamia e re do të ketë një kapacitet prej 4500 personash, të cilët do të kenë mundësinë të falen njëherësh. Ndërkohë, në zonën e xhamisë do të ndërtojnë një sallë konferencash me kapacitet 332 persona, 10 klasa për kurse të Kur’anit, sallë ekspozitë, bibliotekë, restorant dhe lokal, muze ballkanik dykatësh, ashensor për të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, do të ketë një dhomë kujdesi për fëmijë, dhoma studimi dhe një qendër e madhe kulturore me parking për 500 makina.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit