-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Lufta dhe paqja midis monedhave

Më të lexuarat

Nga Max Trimurti

Teksa BE po përpiqet të dalë nga recesioni, dhe eurozona rrezikon të shkatërrohet, ia vlen një shyqrtim i shpejtë i krizës ekonomike në perspektivën e saj historike. Lufta midis monedhave, duket të jetë në fakt efekti i një lufte ndërmjet fuqive, në një sistem ku është e vështirë të rregullohet tregtia, dhe ku bashkimet monetare duket të destinuara të dështojnë.

Koncepti i luftës midis monedhave, është huazuar nga ai e luftës ekonomike. Napoleoni e eksperimentoi i pari luftën ekonomike, me pak sukses, kundër Mbretërisë së Bashkuar përmes bllokadës kontinentale të vendosur nëpërmjet Dekretit të Berlinit të vitit 1806. Konfliktet e shekullit XX-të e shndërruan atë në një përpjekje sistemike, duke mobilizuar nën autoritetin e shtetit, ekonominë dhe shoqërinë në shërbim të përpjekjeve të luftës.

Në kohë paqeje, lufta ekonomike synon të përmbysë, në tregtinë ndërkombëtare, peshoren në lojërat e pushtetit dhe në rivalitetet ndërmjet shteteve. Parashikimi i bërë në vitin 1849 nga shkrimtari francez Viktor Hugo është i vlefshëm:”Do të vijë një ditë, kur nuk do të ketë fusha të tjera beteje, përveç tregjeve që hapen për tregtinë”.

Në praktikë, lufta ekonomike, për të parafrazuar formulimin e Karl von Klauzeviç, është vazhdimi i operacioneve ushtarake me mjete të tjera, dhe rezulton në ndërhyrjen e shteteve në tregjet botërore në mënyrë që të shtrembërojnë në favor të tyre konkurrencën, për të kapur aktivitetet punët, investimet dhe talentet.

Paraja, është instrumenti më i fuqishëm dhe më efektiv i politikës ekonomike. Ajo përfshin të gjithë aktorët ekonomikë në një kohë shumë të shkurtër. Kjo është arsyeja e përpjekjeve të pushtetit politik për të manipuluar monedhën, veçanërisht në kohën e krizave ekonomike dhe financiare:të gjitha krizat e mëdha, janë shoqëruar me tensione në tregun e këmbimeve valutore.

Ari apo argjendi, gara mes dy metaleve të çmuara

Të dy metalet, kanë bashkëjetuar gjatë si një standard monetar referimi. Ari, më i rrallë dhe i shtrenjtë, shpesh ishte i rezervuar për transaksionet e rëndësishme, ndërsa argjendi ishte në përdorim të zakonshëm. Kursi relativ i arit dhe argjendit, praktikisht i qëndrueshëm gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX, nisi të luhatet fuqishëm me zbulimin e depozitave të reja. Zbulimet e depozitave të arit në Kaliforni (1848) dhe Australi (1851), çuan në një rënie të vlerës së metaleve të çmuara.

Më pas, hyrja në shërbim e minierave argjendi të Nevadës në SHBA, shkaktoi një rënie dramatike të çmimeve. Mosmarrëveshja mbi përdorimin e dy metaleve, përveç stabilitetit monetar, u shoqërua me rivalitetin e fuqive të mëdha dhe tregjeve financiare.

Ëndrra e bashkimit monetar

I krijuar në vitin 1865 dhe i përbërë nga Franca, Zvicra, Belgjika, Luksemburgu, Italia dhe Greqia që nga viti 1868, Union Monetar Latin, ishte një bashkim monetar i promovuar nga Napoleoni III dhe ministri i tij Feliks Esikru de Pario. Ky Union synonte të kundërshtonte epërsinë e Mbretërisë së Bashkuar në tregti, dhe të zhdukte dominimin e paundit britanik.

Ai ndoqi në thelb ndoqi katër objektiva:stabilizimin e vlerës së arit dhe argjendit; zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare, e lehtësuar nga lëvizja e lirë e parasë brenda unionit; konsolidimin e begatisë dhe paqes në Evropë; dhe evolucionin drejt një monedhe universale.

Por refuzimi i Britanisë së Madhe, që synonte të favorizonte monopolin e qendrës financiare të Londrës, por mbi të gjitha, disfata franceze e Sedanit kundër Prusisë më 1870, do t’i japte de fakto fund projektit të monedhës universale. Unioni Monetar Latin, mbijetoi zyrtarisht deri në vitin 1927.

Vitet 1930: Tërheqje në zonat monetare

Kriza e viteve 1930, mbetet shembulli më i mirë dhe më tragjik i luftës ekonomike dhe monetare si një laborator i një lufte botërore. Katastrofa ekonomike luhet në tre akte.Akti i parë:si rezultati i rënies së bursave në SHBA më 24 tetor 1929, Banka Federale (FED) rrit normat e interesit, duke shkaktuar një falimentim banker zinxhir, dhe një recesion të dhunshëm.

Akti i dytë:Përgjigjja e qeverisë amerikane, vjen me përdorimin e proteksionizmit me Aktin e Tarifës Smut-Houlej, që rrit detyrimet doganore mbi thuajse të gjitha produktet industriale. Akti i tretë:zhvlerësimi i sforcuar i paundit britanik, dhe këmbyeshmërisë së tij në ar, e eksportoi recesionin në Europë.

Dështimi i Konferencës së Londrës (1933), çoi në zhvlerësimin e dollarit (1934) dhe pastaj në garën për zhvlerësimet konkurruese të monedhave dhe proteksionizmin. Këmnëngulja e Francës në mbrojtjen e standartit të arit si pikë reference, shkakton braktisjen e konferencës nga presidenti amerikan Frenklin Ruzvelt, i cili theksoi se “shëndeti ekonomik i një kombi, përbën faktorin më të madh të mirëqenies së tij, dhe jo vlera e monedhës, në raport me shkëmbimin e saj në vendet e tjera’.

Breton Uds ose “paqja e dollarit”

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, u themeluan institucionet e Breton Uds (1944), për të parandaluar shpërhtimin e ndonjë deflacioni të madh, të krahasueshëm me atë të viteve 1930. Baza e marrëveshjeve, u përqendrua në një kthim në një sistem të kurseve fikse të këmbimit, baza e së cilës këtë here sigurohej nga dollari, monedha e vetmja e konvertueshme në ar.

Por sistemi Breton Uds, ra viktimë e një asimetrie themelore, pasi bazohej tek dollari, i cili nuk i nënshtrohej ndonjë disipline apo kufizimi. Ai u minua edhe nga borxhi i jashtëm dhe rritja e inflacionit në SHBA, çka e detyroi presidentin Riçard Nikson të pezullojë këmbyeshmërinë e dollarit në ar në vitin 1971.

Lindja e euros

Origjina e euros rrjedh nga konvergjenca e tre ngjarjeve:krijimi i Tregut të Përbashkët Europian, në vitin 1957, kolapsi i sistemit Breton Uds; dhe rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, e cila justifikoi një ringjallje të Bashkimit Europian për të kundërpeshuar ribashkimin gjerman.

Traktati i Mastrihtit (1992), krijoi një bashkim ekonomik dhe monetar, që cili megjithatë u karakterizua menjëherë nga një zhbalancim themelor. Ai nuk pati një lidhje të ngushtë dhe harmonizim ndërmjet sistemeve të prodhimit, të karakterizuara nga produktivitete të ndryshme, dhe mbi të gjitha pa një solidaritet financiar.

Euro, e lindur në euforinë e ekonomisë së flluskave spekullative, dhe e shtrirë progresivisht në 17 vende të BE-së, përjetoi një dekadë të parë të një suksesi të dukshëm. Por fasada e stabilitetit, kishte maskuar luhatjet që vazhduan të rriten, derisa shpërthyen në vitin 2010.

Kush është përgjegjës për luftën e re midis monedhave?

Në tre dekada, globalizimi ka shkaktuar zhvendosjen e qendrës së gravitetit të kapitalizmit drejt vendeve në zhvillim, të cilat sot garantojnë 52 përqind të prodhimit industrial, përbëjnë 48 përqind të eksporteve, dhe zotërojnë 80 përqind të rezervave valutore botërore.

Monedha ka qenë në qendër të pabarazive, që çoi në krizën e madhe financiate që nisi në vitin 2007. Kina ka luajur një rol në krizë, duke ruajtur mos-konvertueshmërinë e juanit, dhe duke pasur një kontroll të fortë mbi këmbimin valutor, pavarësisht anëtarësimit të saj në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001.

Vendet kryesore në zhvillim, veçanërisht ato aziatike të goditura nga kriza e fundit të viteve 1990, kanë menaxhuar në të njëjtën formë monedhat e tyre, në mënyrë që të favorizojnë dinamizmin e eksporteve të tyre. Kështu, zhvlerësimi i monedhave të vendeve të mëdha në zhvillim (Kina, India, Brazili, Rusia, Argjentina), dhe mbiçmimi i monedhave të vendeve të zhvilluara, inkurajon një konfigurim të paqëndrueshëm, në të cilën shumica e vendeve kryesore të zhvilluara (SHBA, Britani të Madhe, Francë, Spanjë, Itali) zhyten në borxhe për konsumin e produkteve të importuara, ndërkohë që vendet në zhvillim dhe Gjermania për të investuar dhe për të shpëtuar eksportet në vendet, që financojnë defiçitin e jashtëm me tepricën e tyre të bilancit tregtar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit