Njëzet e tre vite më parë, në 11 korrik të vitit 1995 në një qytezë në lindje të Bosnjës filloi të ndodhë krimi më i rëndë gjenocidal që prej luftës së dytë botërore. Masakra e Srebrenicës ishte gjenocidi që u ushtrua mbi boshnjakët nga ana e ushtrisë të së ashtuquajturës Republikë Serbe e Bosnjës, me komandant gjeneralin e Serbisë Ratko Mlladiq. Po ashtu në masakër morën pjesë edhe njësitet paramilitare “Skorpion”, të themeluar nga Jovica Stanishiqi, shefi i shërbimeve sekrete të Millosheviqit, të cilat fillimisht ishin pjesë e ushtrisë serbe, e më vonë të lidhura drejtpërdrejt me ministrinë e punëve të brendshme të Serbisë. “Skorpionët” ishin ndër njësitet më mizore, me ideologji çetnike, që u përdorën nga Serbia edhe më vonë në Kosovë.
Si pasojë e masakrës, 8373 burra dhe djem boshnjakë të të gjitha moshave u vranë gjatë 11 ditëve rrethim të Srebrenicës. Përveç kësaj, 25.000 deri në 30.000 gra, fëmijë e pleq u abuzuan, u dhunuan dhe u detyruan të shpërngulen prej aty. E megjithatë, para drejtësisë ndërkombëtare Serbia kurrë nuk u mbajt përgjegjëse direkte për një masakër të tillë. Ajo ia la përgjegjësinë krijesës së saj, të ashtuquajturës Republikë Serbe e Bosnjës, si dhe forcave të saj.
Punën e vet gati çerekshekullore, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish Jugosllavi, e mbylli me 31 dhjetor 2017. Ky tribunal dënoi 72 serbë me gjithsej 1140 vjet burg (6 serbë të Bosnjes janë dënuar me burgim të përjetshëm), 20 kroatë me 284 vjet burg, 5 boshnjakë janë dënuar me gjithsej 42 vjet burgim, një shqiptar është dënuar me 13 vjet burg dhe një maqedonas me 12 vjet burg.
Mirëpo, në njërën anë nuk janë dënuar ata dhjetëra mijëra ekzekutorë të drejtpërdrejtë të qindra mijëra krimeve (jo vetëm vrasjeve), kurse në anën tjetër nuk u dënuan kurrë Milosheviqi dhe Stanishiqi. Ky i pari vdiq në burg, kurse ky i dyti përherë evitoi dënimin paçka se ishte krijuesi i eskadroneve paramilitare dhe i Partisë së Sheshelit ku u ngrit Vuçiqi.
Sot kujtojmë me dhimbje viktimat, dhe vazhdojmë të këmbëngulim se pa drejtësi nuk ndërtohet dot paqja e qëndrueshme.