2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Çfarë do të ndodhë pas tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore me Iranin?

Më të lexuarat

Pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi qëndrimin e tij për tu tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, një vendim që bëri jehonë të madhe anembanë botës, cilat janë skenarët e mundshëm pas këtij vendimi?

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi shkurtin e kaluar, angazhimin e Iranit ndaj marrëveshjes, gjë që u mirëprit nga të gjitha palët e interesuara, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Prandaj, vendimi i Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja do t’i vërë të gjithë në një rreth të panjohur, sipas gazetës britanike “The Independent”, përcjell BW.

Cilat janë opsionet Trump?

Shtetet e Bashkuara bënë lëshime sipas kushteve të marrëveshjes – përpara se Trump të vinte në pushtet – duke pezulluar sanksionet ndaj Iranit për programin e tij bërthamor, përfshirë edhe detyrimin e kompanive ndërkombëtare për reduktimin e blerjes së naftës iraniane nga ana e tyre.

Një nga opsionet në dispozicion të Trump-it sipas disa ekspertëve është rivendosja e të gjitha sanksioneve njëherësh.

The Independent sugjeron se të gjithë – madje edhe Sekretari i ri Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo – e kanë pranuar se Irani i është përmbajtur marrëveshjes, çka u konfirmua edhe nga raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në muajin Shkurt.

Motivet e Trump

Presidenti Amerikan nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij ndaj marrëveshjes iraniane që prej fushatës zgjedhore, në të cilën ai e cilësoi si “marrëveshja më e keqe ndonjëherë”, por shprehu gatishmërinë për ta përmirësuar atë.

Ndërsa Trump ka shqetësime në lidhje me marrëveshjen, vëzhguesit besojnë se ai ka patur presione edhe nga të fuqishmit me influencë brenda partisë së tij, të cilët e kanë kundërshtuar marrëveshjen që nga fillimi.

Personalitete me peshë si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e konsiderojnë Iranin si një kërcënim ekzistencial për Izraelin.

Trump gjithashtu favorizon idenë se ai mund tu kthehet mbështetësve të tij kryesorë gjatë fushatës e tu thotë: “Shikoni, unë e mbajta edhe një premtim tjetër”.

Por ekspertët mendojnë se ajo që u bë e qartë pas tërheqjes, është se Presidenti dhe administrata amerikane nuk duket se kanë një strategji të veçantë rreth asaj që do të vijë më vonë.

Qëndrimi i Europës?

BE mbeti e angazhuar për marrëveshjen deri në momentin e fundit, dhe tashmë ka konfirmuar vazhdimin e angazhimit të saj, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë dalë nga marrëveshja.

Por sistemi financiar botëror është i ndërthurur me SHBA-në dhe nuk do të jetë e lehtë për të gjithë të bëjnë biznes me Iranin pa shkelur sanksionet amerikane.

Ndërkohë, edhe Irani e ka të qartë që Europa nuk do të mund të rezistojë gjatë larg qëndrimit amerikan.

Çfarë do të bëjë Irani?

Ekspertët besojnë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të inkurajojë ekstremistët në Iran, sidomos kur Teherani ka kërcënuar se do të përshpejtojë aktivitetet e tij bërthamore në rast të rivendosjes së sanksioneve të SHBA, duke rritur testet raketore dhe mbështetjen ndaj grupeve të armatosura në rajon.

Sipas Associated Press, Irani mund të mbetet teknikisht i angazhuar për t’i lejuar IAEA-s (Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike) të inspektojë objektet e tij bërthamore në përputhje me marrëveshjen, por nuk do të jetë i detyruar të pranojë një regjim më të rreptë inspektimi.

Impaktet tek Koreja e Veriut

Vëzhguesit besojnë se vendimi i Trump mund të ndikojë negativisht në negociatat e pritura mes Koresë së Veriut dhe Presidentit të SHBA-së.

Alexandra Bell e Qendrës së Kontrollit dhe Mospërhapjes së Armëve në Uashington, tha për “The Independent” se rivendosja e sanksioneve amerikane do të ishte një shkelje e marrëveshjes.

“Në këtë mënyrë ne do të humbasim besueshmërinë si një vend me qëndrueshmëri në vendimet globale” tha ajo duke shtuar: “Pse Koreja e Veriut do të donte të bëjë ndonjë marrëveshje me ne pas kësaj?”.

Çfarë do të bëjë Trump?

Sullivan, këshilltari i ish-Presidentit Barak Obama thotë se Trump ka përpara tre skenarë:

Së pari: Ratifikimi i lëshimeve që tashmë Uashingtoni i ka bërë në bazë të marrëveshjes, por ai mund të shtojë kërkesa të reja, çka mund ta mbajë gjallë marrëveshjen dhe i hap rrugë europianëve të ruajnë dhe përmirësojnë çka mund të ruhet nga marrëveshja aktuale.

Së dyti: Refuzimi i ratifikimit, por pa i ri-imponuar direkt sanksionet ndaj Iranit.

Së treti: Mosratifikimin dhe rivendosjen e sanksioneve duke shtuar edhe të reja, gjë që e vendos Uashingtonin në kontradiktë të mprehtë me aleatët e saj në Europë. Pikërisht këtë opsion po përpiqen të shmangin europianët dhe Irani.

Por mesa duket, Presidenti Trump ka zgjedhur opsionin e fundit: të dalë nga marrëveshja dhe t’i kthehet përsëri gjuhës së sanksioneve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit