-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Srebrenicë, shënohet 25 vjetori nga vrasja e civilëve boshnjakë

Më të lexuarat

SREBRENICË (AA) – Në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës sot u shënua 25 vjetori i krimeve kundër civilëve boshnjakë, kur në këtë ditë në vitin 1993 nga katër predhat e shkrepura nga ushtria e Republikës Sërpska humbën jetën 74 dhe mbi 100 boshnjakë të tjerë u plagosën, të cilët në atë moment ishin në oborrin e shkollës fillore dhe të mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i viktimave të këtij krimi u rrit në 105, pasi disa prej tyre iu nënshtruan plagëve gjatë rrugës për në spital.

Fikret Ibrahimoviç në oborrin e shkollës humbi vajzën Fikreta ndërsa në korrik të vitit 1995 edhe dy djemtë e tij.

“Vajza ime ishte 18 vjeçe dhe e tëra ishte e gjymtuar nga predhat. Atë ditë vajza ime ishte në oborrin e shkollës si të gjithë të rinjtë, të etur për të qeshur dhe shoqëruar, ishin mbledhur aty që për një moment të harrojmë frikën dhe pasigurinë, por agresori nuk i la të qetë as aty”, dëshmon Ibrahimoviç.

Suljo Çakanoviç gjatë luftës në Srebrenicë ishte teknik medicinal dhe kujton atë ditë tmerri të 12 prillit 1993.

“Unë isha rreth 50 metra nga oborri i shkollës, kur dëgjova se predhat ishin shkrepur nga pozicionet serbe. As që mendova se do të binin pranë meje dhe nuk bëra panik e as nuk u frikësova sepse kjo ishte bërë përdishmëri e jetës time”, tha Çakanoviç, duke shtuar se:

“Nuk kisha nevojë për shumë kohë që ta marr veten dhe të kuptoj se viktimat janë njerëz dhe fëmijë që ishin afër meje. Nxitova të ndihmoj të plagosurit. Mirëpo, kur iu afrova oborrit të shkollës pash një masakër dhe mendova se këtu nuk ke si të ndihmosh, pasiqë shumë trupa ishin gjymtuar”, thotë Çakanoviç.

Hidajet Alagiç sot kishte ardhur në Srebrenicë për të përkujtuar vëllain që u vra më 12 prill të vitit 1993.

“Koha e atij 12 prilli ishte e ngjashme sikur sot, kishte shumë fëmijë këtu. Edhe vëllai im 19 vjeç ishte këtu”, tha Alagiç.

Në shënimin e përvjetorit të sotëm në Srebrenicë të pranishëm ishin pjesëtarët e mbijetuar të familjeve të viktimave, zyrtarët fetarë, përfaqësues të shoqatave dhe përfaqësues politikë. Ndër të tjerët, e pranishme ishte dhe Melika Mahmutbegoviç, zv/kryetare e Federatës së BeH, Ramiz Salkiç, zv/kryetari i RS, Xhevad Mahmutoviç, i dërguar i anëtarit të Presidencës së BeH-së, Bakir Izetbegoviç, përfaqësues të Qeverisë të Kantonit të Tuzllës, Kantonit Bosansko-Podrinje, Gorazhë, Gratë në të Zeza nga Beogradi dhe të tjerë.

Melika Mahmutbegoviç, nënkryetare e Federatës së BeH-së tha se përgjegjësit për krimin në oborrin e shkollës në Srebrenicë duhet të dënohen.

“Boshnjakët si popull evropian në fund të shekullit të 20-të përjetuan një gjenocid. Ne e mbajmë dhimbjen tonë në mënyrë dinjitoze, por presim drejtësi për etërit, vëllezërit dhe motrat tona. Krimi ka emër dhe mbiemër, krimi ka dhe kriminelin. Në duhet të shikojmë të ardhmen dhe ta ndërtojmë mbi të vërtetën”, tha Mahmutbegoviç.

Ramiz Salkiç, zv/kryetar i Republikës Sërbska, në fjalën e tij tha se të gjithë janë të detyruar të vijnë në vendet e përkujtimit dhe t’i shënojnë ato.

“Disa thonë se duhet të ndalojmë të flasim për të kaluarën dhe t’i kthehemi të ardhmes. Të gjithë ne jemi për bashkëjetesë, por edhe të tjerët duhet të jenë për bashkëjetesë. Përgjegjësit për krimet e luftës duhet të dënohen”, tha Salkiç.

Nga vendi i krimit, të mbijetuarit sot, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, porositën se krimet nuk guxojnë të mbeten pa u ndëshkuar dhe se Prokuroria e BeH-së duhet të hetojë krimet në mënyrë që të ndëshkojë autorët e krimit, pasi askush nuk ka dhënë llogari për krimet deri më tani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit