Këshilli Evropian për Hulumtim (ERC) u ka ndarë shkencëtarëve turq një grant prej 2.5 milionë euro për analiza të AND-së mbi 1.500 njerëz që kanë jetuar në rajonin e Anadollit, gjatë periudhës së neolitit
CAN ERZÖDEN, SELMA KASAP
ANKARA (AA) – Shkencëtaret turq filluan një studim i cili do të tregojë rrëfimin për atë se si qeniet njerëzore janë transformuar nga gjuetar-mbledhës nomad në njerëz që jetojnë në vendbanime, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli Evropian për Hulumtim (ERC) u ka ndarë shkencëtarëve turq një grant prej 2.5 milionë euro për analiza të AND-së mbi 1.500 njerëz që kanë jetuar në rajonin e Anadollit, pjesën e sotme aziatike të Turqisë, gjatë periudhës së neolitit.
Mehmet Somel, profesor i shkencave biologjike në Universitetin teknik të Lindjes së Mesme (ODTU) me bazë në Ankara për AA tha se në projektin e tyre të quajtur si “Neogen” do të bashkëpunojnë me arkeologë, biologë dhe antropologë. Studimi do të përfshijë periudhën prej 10.000 deri 7.000 vite p.e.s.
Ai tha se analiza e AND-së dhe të dhënat arkeologjike të periudhës neolite, term që shkencëtarët e përdorin për epokën e fundit të kohës së gurit, do të vlerësohen bashkërisht. “Qëllimi ynë është ta tregojmë rrëfimin e vërtetë për një nga kthesat më të rëndësishme në historinë njerëzore”, tha Somel.
Somel shtoi se në këtë periudhë është vërejtur tranzicioni i aktiviteteve njerëzore nga gjuetia dhe mbledhja deri te gjendja ku kafshët ishin zbutur dhe kulturat u kultivuan. Ky tranzicion zgjati prej 3.000 deri në 4.000 vite.
“Gjatë studimit, mostrat gjenetike që u takojnë thuajse 1.500 njerëzve prej 20 vendbanimeve neolite në Anadoll do të skanohen përmes metodës së sekuencimit të AND-së”, theksoi Somel.
Studimi më pas drejtohet në 350 persona mostrat e të cilëve do të jenë lëndë e analizës më të thellë. Faza e dytë do të përkushtohet në analizën bioinformatike, me qëllim që të konfirmohet afërsia gjenetike.
Somel shtoi se në këtë fazë do të fitohen të dhëna bioarkeologjike, ndërsa shkencëtarët do të mbledhin të dhëna reale lidhur me kulturën. Faza e fundit e hulumtimit do të jetë analiza e përbashkët e të dhënave gjenetike, bioarkeologjike dhe arkeologjike.