Në mungesë të reformës së mirëfilltë, protestat në Iran mund të lënë pasoja të mëdha, thonë analistët
ANKARA (AA) – Ekspertët paralajmërojnë se demonstratat të cilat përfshinë Iranin dhe nisën në shenjë proteste për zhvillimet ekonomike në vend, rrezikojnë të shndërrohen në demonstrata anti-qeveritare.
Hakki Uygur, analist në Qendrën për Studime Iraniane (IRAM) me seli në Ankara, për Anadolu Agency (AA) thotë se protestat kryesisht janë zhvilluar në zonat rurale që dallojnë nga protestat e vitit 2009 në Teheran të cilan ndodhën në shenjë pakënaqësie për rezultatin e zgjedhjeve.
“Këto protesta janë më të rrezikshme se sa ato të vitit 2009. Ndërkohë, administrata e SHBA-ve ka shfaqur më shumë interesim për demonstruesit nga që kishte shfaqur Shtëpia e Bardhë e Obamas tetë vjet më parë”, tha Uygur për AA.
Bashkë me SHBA-të, edhe Arabia Saudite dhe Izraeli kanë shprehur shqetësimet e tyre duke u dhënë përkrahje protestuesve.
“Kjo situatë, për Iranin është më e vështirë se ajo e vitit 2009”, shtoi Uygur.
– Anti-regjim
Uygur vë në dukje se demonstruesit kanë filluar të targetojnë regjimin e Iranit, për çka protestuesit kritikojnë presidentin Hassan Rouhani dhe liderin suprem Ali Khamenei.
“Konflikti në Siri filloi ngjashëm me shtypjen e demonstruesve të cilët kishin kërkesa legjitime”, thotë Uygur, sipas të cilit situata mund të marrë një dimension tejtër nëse ndodh ndonjë sulm mbi stacionet policore ose nëse vriten ushtarë.
Analisti është i mendimit se regjimi e ka patjetër të bëjë koncesione në të mirën e demonstruesve, në të kundërtën do të rrezikojë shembjen e plotë të tij.
– Lëvizja në rrugë
Ali Semin, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike të Njerëzve të Mençur (BILGESAM) me seli në Stamboll (BILGESAM), ndan mendimin se protestat e filluara për motive ekonomike, siç janë varfëria dhe papunësia, mund të shndërrohen në një lëvizje në rrugë kundër vet regjimit.
Sipas tij, kjo është hera e parë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 që demonstruesit në Iran të protestojnë hapur kundër shtetit të Iranit dhe liderit suprem të tij.
“Për herë të parë po shohin demonstrues duke grisur posterët me fotografinë e Ali Khameneit dhe duke sulmuar personelin e Gardës Revolucionare të Iranit”, tha Semin për AA.
Ai u bën thirrje liderëve të Iranit që sa më pak të fokusohen në intervenimin ushtarak jashtë, në Siri, Jemen dhe në Irak, dhe të përqendrohen në problemet të cilat prekin popullin iranian.
“Reforma thelbësore është aktualisht e vemja rrugë që nxjerrë jashtë problemit”, tha ai.
Ndryshe, protestat në Iran filluan më 28 dhjetor 2017, pasi një grup demonstruesish u mblodhën në qytetin Meshhed për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, papunësisë dhe korrupsionit në vend.
Në një kohë të shkurtër protestat u shndërruan në demonstrata kundër regjimit dhe u përhapën në shumë qytete të Iranit, si Teheran, Kermanshah, Senendeç, Zenxhan, Shiraz, Kum, Ahvaz, Zahidan, Erak dhe Hurrem Abad.
Gjatë protestave në Iran të paktën 23 persona kanë humbur jetën deri më tani, ndërsa më shumë se 1.000 demonstrues janë arrestuar.