HALİL ŞAHİN
IZMIR (AA) – Në lagjen Halilbejli të Izmirit, me popullsi të dendur boshnjake, nxënësit mësojnë gjuhën boshnjake dhe shqipe, falë lëndës zgjedhore “Gjuhë dhe dialekte të gjalla” të Ministrisë së Arsimit të Turqisë, me të cilën synohet përçimi i gjuhëve dhe dialekteve të gjalla te brezat e rinj.
Nga 2.200 banorë, sa ka lagjja Halilbejli e qarkut Kemalpasha, 98 për qind janë familje të cilat në vitet 1850 kanë migruar nga Bosnja. Të moshuarit e familjeve ndonjëherë flasin në gjuhën boshnjake. Gjithashtu, për shkak të martesave, ka edhe prej atyre me origjinë shqiptare.
Me fillimin e programit “Gjuhë dhe dialekte të gjalla” të Ministrisë së Arsimit të Turqisë, nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Alija Izetbegoviç” filluan të mësojnë gjuhën e cila përdoret nëpër shtëpi, por që vet ata nuk e kuptonin.
“Janë të kënaqur edhe prindërit, edhe nxënësit”
Drejtori i shkollës, Emre Uygur, për AA tha se në shkollën me 168 nxënës gjuha boshnjake mësohet si lëndë zgjedhore në klasat e gjashta dhe të shtata, kurse gjuha shqipe në klasat e teta.
Ai theksoi se gjuhën boshnjake e kanë zgjedhur 94 nxënës, ndërsa shqipen 44.
“Arsyeja për zgjedhjen e kësaj lënde është struktura demografike e lagjes sonë. Kemi 2.200 banorë, 98 për qind e të cilëve janë me origjinë boshnjake. Ishte kërkesë e prindërve të cilët më herët në shtëpitë e tyre kanë folur në gjuhën boshnjake, por që me kalimin e kohës e kanë harruar. Bazuar në kërkesat e ardhura, në fillim të vitit në shkollën tonë filluam me mësimin e gjuhës boshnjake dhe pastaj edhe me atë shqipe”, tha Uygur.
Uygur, theksoi që boshnjakishten e ligjëron mësimdhënësi i matematikës me origjinë boshnjake, ndërsa shqipen e ligjëron poashtu një mësimdhënës i matematikes i cili ka familjarë të afërm shqiptarë. Ai gjithashtu njoftoi se kanë nënshkruar protokoll me Shoqatën e Shqiptarëve Turgutlu dhe se bashkëqytetarja shqiptare Stela Can, jep kurse plotësuese në fundjavë.
“Të vjetrit janë të kënaqur që të rinjtë i flasin këto gjuhë. Edhe fëmijët gëzohen që kuptojnë gjuhën në të cilën flasin të vjetrit në shtëpi. Duan që të shkojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe të vizitojnë rrënjët e tyre. Këto mësime krijojnë komunikim mes nxënësve dhe të vjetërve të familjes. Falë këtyre mësimeve, nxënësit e shkollës sonë kanë nisur të komunikojnë me gjyshërit dhe gjyshet e tyre.” – tha Uygur, duke theksuar se edhe të vjetrit edhe nxënësit janë të kënaqur nga këto kurse.
“Më parë nuk e kuptoja”
Hidayet Dürmelik, nxënësja e klasës së 8-të e cila ka zgjedhur shqipen si lëndë zgjedhore, tha që në lagje ka njerëz të cilët flasin shqip dhe prandaj ka zgjedhur të mësojë gjuhën shqipe. Dürmelik tha që tani që ka filluar të mësojë gjuhën shqipe, do të mund të flas në shqip me njerëzit e lagjes.
Nxënësja e klasës së shtatë, Irmak Güler, e cila ka zgjedhur si lëndë zgjedhore boshnjakishten, duke theksuar që familja e saj është me origjinë boshnjake, tha se: “Në shtëpinë tonë flitet boshnjakishtja por unë nuk e kuptoja. Kur u bë mësimi i boshnjakishtes, u gëzuam shumë. Prandaj dhe e zgjodha.”
Güler, e cila tha që prej se ka filluar të mësojë këtë gjuhë, mund të kuptojë se çfarë thonë të vjetrit e familjes, shtoi: “Ende nuk mund të flas por në të ardhmen do të mundem. Në shtëpi babai dhe gjyshi flasin në boshnjakisht. Nuk kam qenë në Bosnjë dhe Hercegovinë por dua të shkoj. Dua të flas me familjarët dhe njerëzit e atjeshëm. Nuk do të kem as problemin e gjuhës.”
Nxënësja e klasës së shtatë, Sevimnur Öz, tregoi se është me origjinë boshnjake gjithashtu dhe se xhaxhallarët mes vete flasin në gjuhën boshnjake. Ajo tha se para mësimeve nuk ka folur boshnjakisht por se këtë lëndë e ka zgjedhur për të komunikuar me ta. Ajo poashtu tha se familja e saj janë të lumtur që po mëson boshnjakishten dhe se ka filluar t’u mësoj atyre fjalët të cilat nuk i dinë.