Ky fjalim konsiderohet si një prej fjalimeve më të fuqishëm në histori.
Pjesë nga filmi “Diktatori i Madh” nga Çarli Çaplin.
Duke marrur parasysh referencat anti-naziste që përmban fjalimi dhe faktin se është publikuar në vitin 1940 — kohë kjo kur Hitleri ishte ende gjallë dhe në pushtet — mund të thuhet se filmi në tërësi është një vepër e papërsëritshme.
Fjalimi i plotë:
“Më falni, por unë nuk dua të jem perandor. Nuk është puna për mua. Unë nuk dua të udhëheq as të pushtoj askë. Unë dua t’i ndihmoj të gjithë, nëse është e mundur. Çifut – jo-çifut, të zi – të bardhë. Ne të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Qeniet njerëzore janë ashtu. Ne duam të jetojmë nga lumturia e njëri-tjetrit — jo nga mjerimi i njëri tjetrit. Ne nuk duam të urrejmë apo të përçmojmë njëri tjetrin. Në këtë botë ka vend për të gjithë. Dhe Toka e mirë është e pasur dhe ofron për të gjithë. Jeta mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne e kemi humbur rrugën.
Lakmia i ka helmuar shpirtrat e njerëzve, e ka barrikaduar botën me urrejtje, na ka marshuar në mjerim dhe gjakderdhje. Ne kemi zhvilluar shpejtësi, por e kemi lënë vetveten të mbyllur. Makineritë e begatshme na kanë lënë në hall. Dituria na ka bërë cinikë. Shkathtësia, të ashpër e të këqinj. Mendojmë shumë e ndjejmë shumë pak. Më shumë se makineri na duhet njerëzi. Më shumë se shkathtësi na duhet mirësi dhe butësi. Pa këto kualitete, jeta do të jetë e dhunshme dhe gjithçka do të humbet.
Aeroplani dhe radio na kanë sjellur më afër njëri-tjetrit. Vetë natyra e këtyre shpikjeve thërret për mirësi mes njerëzve, thërret për vëllazëri universale, për bashkimin e të gjithë neve. Edhe tash, zëri im po arrin miliona njerëz anembanë botës – miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar – viktima të një systemi që i bën njerëzit të torturojnë dhe të burgosin të pafajshëm.
Atyre që mund të më dëgjojnë, i them: mos u dëshpëroni. Mjerimi që tash është mbi ne nuk është asgjë tjetër veçse kalimi i lakmisë – hidhërimit të njerëzve që i frikësohen progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët do të vdesin, dhe fuqia që ata morrën nga populli do t’i kthehet popullit. Dhe për derisa njerëzit vdesin, liria kurrë nuk do të shuhet.
Ushtarë! Mos e jepni vetveten te këto egërsira, njerëz që ju përçmojnë, ju skllavërojnë, që ju kontrollojnë jetët tuaja, ju tregojnë çfarë të bëni, çfarë të mendoni e çfarë të ndjeni! Që ju stërvisin, ju shtyjnë në dietë, ju trajtojnë si bagëti, ju përdorin si mish për top. Mos e jepni vetveten te këta njerëz jonatyrorë, njerëz makina me mendje makine e zemra makine! Ju nuk jeni makina! Ju nuk jeni bagëti! Ju jeni njerëz! Ju keni dashurinë e njerëzimit në zemrat tuaja! Ju nuk urreni! Vetëm të padashurit urrejnë, të padashurit dhe jonatyrorët! Ushtarë! Mos luftoni për skllavëri! Luftoni për liri!
Në kapitullin e shtatëmbëdhjetë të Shën Lukës shkruan: “Mbretëria e Zotit është brenda njeriut.” – jo një njeriu apo një grupi njerëzish, por në të gjithë njerëzit! Në ju! Ju, populli e keni fuqinë – fuqinë të krijoni makina. Fuqinë të krijoni lumturi! Ju, populli, e keni fuqinë ta bëni këtë jetë të lirë dhe të bukur, ta bëni këtë jetë një aventurë të mrekullueshme.
Prandaj, në emër të demokracisë, le t’a përdorim këtë fuqi, le të bashkohemi të gjithë! Le të luftojmë për një botë të re, një botë të mirë që do t’i jepë njerëzve mundësinë të punojnë, që do t’i jepë rinisë një të ardhme dhe të moshuarve siguri. Duke premtuar këto gjëra, bishat janë ngritur në pushtet. Por ata gënjejnë! Ata nuk i përmbushin këto premtime. Kurrë nuk do t’i përmbushin!
Diktatorët lirojnë vetveten e tyre, por skllavërojnë popullin! Tani le të luftojmë ta përmbushim atë premtim! Le të luftojmë që ta lirojmë botën, t’i largojmë barrierat kombëtare, të largojmë lakminë, urrejtjen e intolerancën. Le të luftojmë për një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do të na shpiejnë te lumturia e të gjithë njerëzve. Ushtarë! Në emër të demokracisë, le të bashkohemi të gjithë!” /thenie.org