“Tërmet sistematik për arsye se të gjitha organizatat dhe shtetet me fuqi globale, që kanë aftësi për t’i korrigjuar këto tërmetet, ata vetë janë nën një ndikim të tërmetit sistematik”
TETOVË (AA) – Ish-kryeministri i Republikës së Turqisë dhe deputet aktual i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Ahmet Davutoğlu, në ligjëratën e mbajtur në Universitetin e Tetovës deklaroi se “bota sot është duke u përballur me një tërmet sistematik, që ka ndikuar në të gjithë sistemin ndërkombëtar”, raporton Anadolu Agency (AA).
Brenda ligjëratës, Prof. Dr. Ahmet Davutoğlu iu referua temave aktuale në botë dhe theksoi se gjatë 25 viteve të fundit në sistemin ndërkombëtar kanë ndodhur “tërmete të mëdha”, ndërsa tërmeti sistematik është i pesti me radhë.
“Tërmet sistematik për arsye se të gjitha organizatat dhe shtetet me fuqi globale, që kanë aftësi për t’i korrigjuar këto tërmetet, ata vetë janë nën një ndikim të tërmetit sistematik”, u shpreh Davutoğlu.
Ai duke marrë shembull Kombet e Bashkuara, tha se: “Gjatë 25 viteve të fundit shumë njerëz shpresonin se OKB ishte në gjendje për të zgjidhur krizën ndërkombëtare. Mirëpo, sot askush nuk beson se OKB është e gatshme ose do të jetë për të zgjidhur ndonjë krizë ndërkombëtare. Pse, sepse shumë gjëra ndodhin para syve të ushtarëve të OKB-së. Madje, OKB bashkëpunoi me ata që kryen gjenocid kundër njerëzve. Ajo thellë e ka tronditur imazhin e OKB-së”.
Sipas tij, zgjidhja e kësaj është gjithëpërfshirja në tre nivele (kombëtare, rajonale dhe globale) dhe në tre fusha (politike, ekonomike dhe kulturore) nga mbarë bota. “Kjo gjithëpërfshirje në shoqëri është e rëndësishme. Maqedonia është një histori suksesi në këtë kuptim, jetojnë maqedonas, shqiptar, turq, boshnjakë. Por, në fund të ditës të gjithë këto duhet të shihen si qytetarë të barabartë”, u shpreh ai.
“Strukturat multikulturore të Ballkanit janë shkatërruar nga qasje ekskluzive”
Në vijim, duke përmendur edhe “tërmetet tjera të mëdha”, si krizën e sigurisë dhe atë të ekonomisë të viteve të 90-ta, si dhe krizën e refugjatëve, Davutoğlu tha se tërmeti i parë ka ndodhur në vitin 1991 kur strukturat e luftës së ftohtë janë shembur. Ai duke e quajtur këtë “tërmet gjeopolitik”, tha se nga Ballkani deri në Detin e Zi, Kaukaz dhe Azi Qendrore territoret kanë ndryshuar, ndërsa strukturat shtetërore kanë rënë dhe janë rivendosur.
“Një proces i madh ndryshimesh dhe të jem i sinqertë viktimat e këtyre tërmeteve, lufta në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, në thelb janë kombe të Ballkanit dhe veçanërisht boshnjak dhe shqiptar. Strukturat multikulturore janë shkatërruar nga qasje ekskluzive të Millosheviçit, Radovan Karaxhiçit apo të tjerë. Kush pretendon se këto toka i takojnë vetëm një kombi dhe të tjerët duhet të largohen. Ku të shkojnë ata, kjo është shtëpia e tyre”, tha Davutoğlu, duke shtuar se kjo ka krijuar disa konflikte të ngrira të cilat mund të rishfaqen në çdo kohë.
Sipas tij, historia e botës nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë kurrë, por siç tha ai, ajo do të rrjedhë shumë më shpejtë se më parë dhe të gjithë ne duhet të jemi të gatshëm për sfidat e kësaj rrjedhe të shpejtë.
Davutoğlu porositi që të respektohet integriteti territorial i vendeve të Ballkanit, por njëkohësisht të respektohen edhe marrëdhëniet kulturore dhe ekonomike, gjë e cila sipas tij, do të jetë urë lidhëse dhe do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve dhe kombeve të rajonit.
“Ardhja në Tetovë për mua është ardhje në shtëpi”
Në vitin 2012, në kohën kur Davutoğlu ishte ministër i Jashtëm i Turqisë, ai u nderua me titullin Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës. “Ardhja në Tetovë për mua është ardhje në shtëpinë time dhe ky Universitet i Tetovës është shtëpia ime dhe unë e shoh veten pjesë të stafit akademik të këtij universiteti. Jo vetëm se u nderova me titullin Doctor Honoris Causa, por se gjithmonë kam ndjerë se në këtë universitet ka një atmosferë intelektuale, që do të krijojë një ndershmëri intelektuale për të ardhmen”, deklaroi Davutoğlu.
Në orët e mbrëmjes, deputeti i Parlamentit turk do të marrë pjesë në debatin me temë “Qytetërime dhe qytete” të organizuar nga Shtëpitë botuese Logos-A dhe Tabernakul, si dhe në panel diskutimin “Perceptimi i Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë” të organizuar nga Shoqata e Studentëve të Diplomuar nga Turqia.
Gjatë ditës së djeshme, ai takoi kryeministrin Zoran Zaev, presidentin Gjorge Ivanov, ministrin paresor Adnan Kahil, si dhe liderët e subjekteve politike në vend.