-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rrëfim vuajtjesh dhe mesazh për botën i një muslimani nga Myanmar-i: jemi të gjithë njerëz…

Më të lexuarat

“Njerëzit janë të gjithë njëlloj, feja nuk na bën ne të ndryshëm… ne jemi të gjithë njerëz dhe të lindur të barabartë”

33-vjeçari Mohammed Soye, është nga qyteti Bithidaung, Myanmar nga i cili u largua 10 ditë më parë. Ai rrëfen historinë e tij ndërsa në vendin e tij u dëshmua një katastrofë e vërtetë për muslimanët Rohingya, të cilët po largohen masivisht nga vendi për shkak të dhunës pa dallim ndaj tyre nga ana e ushtrisë së vendit.

Më shumë se 270 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë janë larguar në Bangladesh në dy javët e fundit si rezultat i dhunës së ushtruar ndaj popullsisë civile nga ushtria.

Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera të të drejtave të njeriut, kanë paralajmëruar se eksodi masiv që pasoi vrasjet, përdhunimet dhe djegiet e fshatrave janë shenja të “spastrimit etnik”, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Aung San Suu Kyi dhe qeverisë së saj për t’i dhënë fund dhunës.

Ja historia e Mohammed:

“Unë isha fermer në qytezën e Buthidaung, ashtu si të gjithë muslimanët Rohingya atje. Ne nuk kishim të drejtën të punonim apo të drejtën për arsimim kështu që nuk mund të gjenim punë në polici, ushtri apo në detyra të tjera si këto. Ne duhet të punonim në ferma, apo të mblidhnim bambu nëpër pyje.

Dy javë më parë, ushtria dhe komuniteti budist lokal erdhën në fshatin tonë, nisën të na qëllojnë dhe t’u vënë zjarrin shtëpive, një nga një. Vëllai im u qëllua në fytyrë dhe vdiq atje. Pjesës tjetër të familjes iu desh të largohej me vrap, përndryshe do të na kishin vrarë edhe ne.

Nuk e dinim se ku do të shkonim, vetëm vazhduam të ecim për 10 ditë derisa më në fund arritëm në Bangladesh.

Nëna ime është 80 vjeç, e paralizuar dhe vuan nga astma, kështu që m’u desh ta mbaja gjatë gjithë rrugës. Ne kaluam tre lumenj me varka ndërsa një pjesë e jona i kaluan në këmbë. Ndonjëherë, ne do ndesheshim me ushtrinë që niste të qëllonte mbi ne dhe ndonjëherë flinim në pyll ku kishte shumë kafshë të egra.

Kështu, patën shumë pengesa të rrezikshme në rrugë por vendosmëria na mbajti në lëvizje dhe ashtu kaluam kufirin. Ndjehem shumë më mirë tani që jam në Bangladesh. Atje pas në shtëpi, ne do të kishin përfunduar të vdekur në çdo moment. Këtu, jeta është e sigurtë.

Por, megjithatë, Bangladeshi është tërësisht i panjohur për ne – ne nuk dimë asgjë për vendin, nuk dimë shkrim e këndim, dhe nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë këtu. Kështu nëse paqja kthehet në Myanmar, ne do të preferonim të ktheheshim në shtëpinë që njohim.

E di se e gjithë bota është duke parë këto imazhe nga kriza e popullit Rohingya, megjithatë askush nuk është duke bërë presion akoma mbi qeverinë e Myanmar-it për t’i dhënë fund dhunës që po kryhet kundër nesh. Sigurisht, ata me gjasa nuk duan të gjejnë një zgjidhje, përndryshe, ne do ta kishim parë këtë tashmë, por përse nuk po bëjnë presion qeveritë ndërkombëtare mbi ta?

Mesazhi im për botën është se njerëzit janë të gjithë njëlloj, feja nuk na bën ne të ndryshëm. Budistët kanë mish e gjak, ashtu si kemi edhe ne. Kështu që nëse ata jetojnë paqësisht dhe lirisht në Myanmar, përse nuk mundemi ne – ne jemi të gjithë njerëzorë dhe të lindur të barabartë.

(Historia e Mohammed u rrëfye për gazetaren e Al Jazeera-s, Katie Arnold nga kampi i ri i refugjatëve në Chittagong, Bangladesh.)

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit