-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Dialogu i Presidentëve: Thaçi dhe Vuçiç takohen në Bruksel

Më të lexuarat

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Palët kanë paralajmëruar se takimi do të shënojë një fazë të re të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Dy presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, pas pajtimit të tyre, në muajin korrik, që të fillojnë përgatitjet për një fazë të re të dialogut”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Në takimin e 3 korrikut, Thaçi dhe Vuçiq kanë thënë se kanë rënë dakord që bisedimet të hyjnë në një periudhë të re, për të trajtuar çështje përtej atyre teknike.

Thaçi ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të çojë në pajtimin e dy vendeve dhe do t’i hapë rrugë së ardhmes evropiane.

Kocijançiq ka paralajmëruar se në takimin e sotëm do të flitet edhe për zbatimin e marrëveshjeve që kanë arritur palët deri më tani.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.

Normalizimi është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Me procesin e deritashëm, Kosova ka siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në bllok.

Vuçiq po ashtu ka paralajmëruar hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën, me qëllim që t’i jepet fund, siç ka thënë ai, “qasjes mitike” ndaj saj.

Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet. Kosova vazhdon të figurojë në Kushtetutën serbe si “pjesë e Serbisë”, ndonëse Vuçiq ka thënë se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, analistët në Prishtinë nuk presin që në një afat të shkurtër kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit