Nga emrat e Allahut të Lartësuar është El-Gafur (Falës), El-Gaffar (Gjithëfalës)
Nëse shfletojmë librin e Allahut, Kuranin Famëlartë, emrin e Allahut, El-Gafur (Falës), e gjejmë të përmendur 91 herë, si në ajetet: “Vërtet Allahu fal, është mëshirues.” (El-Bekare, 173) Ajeti tjetër thotë: “…dhe dijeni se Allahu fal shumë, është i butë.” (El-Bekare, 235) Ajeti tjetër: “Njoftoji robërit e Mi se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe mëshirues i madh.” (El-Hixhr, 49)
Ka edhe shumë ajete të cilat flasin për këtë emër të bukur të Allahut Fuqiplotë.
Ndërsa fjala El-Gaffar (Gjithëfalës) është përmendur në pesë ajete. Thotë Allahu i Madhëruar: “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqendrohet për në rrugën e drejtë.” (TaHa, 82) Ajeti tjetër thotë: “Zot i qiejve e i tokës dhe ç’ka midis tyre, i Plotfuqishmi, Mëkatfalësi.” (Sad, 66) Kurse në suren El-Gafir ajeti 2-3 thuhet: “…i cili fal mëkatin dhe pranon pendimin…”
Allahu i Madhëruar e ka cekur në Kuran thënien e të krishterëve, të cilët kanë thënë: “Allahu është i treti i treve.” (El-Maide, 73), mirëpo Allahu i thirri ata duke u thënë: “E pse të mos pendohen dhe të kërkojnë tek Allahu falje, kur Allahu dihet se fal shumë, është mëshirues?” (El-Maide, 74)
Gjithashtu Allahu tregoi për As-habel Uhdud duke thënë: “Është e sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan, ata kanë dënimin e xhehenemit dhe dënimin e djegies.” (El-Buruxh, 10)
Pra, nëse pendohen tek Allahu i Lartësuar, Ai do t’i kishte falur dhe do t’ua kishte pranuar pendimin. Për këtë Allahu i thërret jobesimtarët, gjynahqarët dhe gabimtarët, duke i hapur dyert e faljes mirësisë dhe mëshirës dhe duke u thënë atyre: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtetë Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues!” (Ez-Zumer, 53)
Në këto ajete pohohet se Allahu Mëshirëplotë i fal të gjitha mëkatet dhe nuk ka përjashtuar asnjë mëkat gjersa edhe shirkun e kufrin (mosbesimin) ia fal Allahu atij që pendohet me pendim të sinqertë dhe largohet nga ai mëkat. Ekzistojnë edhe ajete të tjera ku Allahu faljen e kushtëzon me Dëshirën e Tij, si në ajetin: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (En-Nisa, 48)
E gjithë kjo u përket besimtarëve të cilët besuan Allahun e Lartësuar dhe pasuan udhëzimin e Muhamedit alejhi selam, mirëpo ata bënë disa mëkate dhe gabime. Allahu deshi që këto mëkate dhe gabime, sado që janë të mëdha, të mbesin nën dëshirën e Allahut; nëse dëshiron, i fal e nëse jo, i dënon, ndëshkon. Për këtë është cekur në hadithin kudsij se Allahu në pjesën e tretë të natës thërret: “A ka kush që kërkon Unë t’i jap atij? A ka kush që pendohet, Unë ta fal atë? A kush që më thërret, Unë t’i përgjigjem atij?” Buhariu dhe Muslimi.
Shikoni emrin e Allahut, El-Gafur (Falës). Allahu i Lartësuar e cilësoi Veten me këtë emër se kur i krijoi robërit, e dinte se ata do të gabojnë dhe do të bëjnë mëkate, mirëpo prej tyre ka që kthehen dhe pendohen tek Ai. Për këtë ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, sikurse mos të bënit mëkate dhe gjynahe, Allahu do t’ju zhdukte ju, do të sillte një popull që bëjnë mëkate e këta do t’i kërkonin falje Allahut, Ai do t’ua falte atyre.” Muslim 2749.
Gjithashtu prej krijesave të Allahut janë edhe melaiket, që “…nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Et-Tahrim, 6) E madhërojnë dhe falënderojnë Allahun e nuk pushojnë, në këmbë, në ruku dhe disa në sexhde dhe thonë: “I lartësuar është Ai që posedon mbretërinë, i lartësuar është Ai që posedon krenarinë dhe fuqinë, i lartësuar është Ai që është i gjallë dhe nuk vdes.”
Tregon Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Unë shoh atë që ju nuk shihni, dëgjoj atë që ju nuk dëgjoni. Me të vërtetë qielli është mbushur plot melaike dhe meriton të mbushet, nuk ka në të vend më shumë se katër gishtërinj vetëm se aty qëndron një melek që ka vendosur ballin e tij duke i bërë sexhde Allahut.” Transmeton Ahmedi Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu.
Mirëpo urtësia e Allahut ishte që të krijonte krijesa të tjera, njerëzit, të cilët do të udhëzohen në rrugën e begatshme të drejtë, ose, në të kundërtën në devijim, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” (El-Insan, 3)
Pejgamberi alejhi selam u mësonte shokëve të vet lutjen e Istigfarit, e cila duhet thënë në mëngjes dhe mbrëmje. Ajo është: “O Allah! Ti je Zoti im, askush tjetër dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Teje, Ti më krijove mua (që të të adhuroj vetëm Ty) e unë jam robi yt; (të premtoj se) unë do të ndjek udhën tënde, me të gjithë mundësitë e mia. (O Allah!) Kërkoj mbrojtje nga Ti prej të këqijave të mia, unë vërtetësoj mirësitë e Tua mbi mua, siç vërtetësoj gjynahet që unë bëj. (O Allah!) më fal mua, sepse askush nuk m’i shlyen gjynahet përveç Teje.” Pra kjo lutje e besimtarit tregon se ai mund t’u ekspozohet mëkateve e për këtë ai kërkon mbrojtjen e Krijuesit Fuqiplotë, kur thotë: “Kërkoj mbrojtje nga Ti prej të këqijave të mia, unë vërtetësoj mirësitë e Tua mbi mua, siç vërtetësoj gjynahet që unë bëj …”
Ti o besimtar dije se kur thua këtë dua, ke shqiptuar një betim pranë Zotit tënd: “(të premtoj se) unë do të ndjek udhën tënde, me të gjithë mundësitë e mia…” Kjo dua ia kujton robit premtimin dhe besën e dhënë Atij ashtu siç përmendet në fjalën e Allahut: “Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!” Të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur.” (El-A’raf, 172)
Sa herë që robi bën mëkat duhet ta thotë këtë dua, nëse thuhet në mëngjes dhe mbrëmje është një mbrojte nga zjarri i xhehenemit dhe nxitje për të fituar xhenetin e Allahut.
Në fund, thirrja e robit është të pendohet dhe të kërkon falje tek Allahu se Ai fal dhe mëshiron shumë.
Eroll Rexhepi
19.9.2008