Agim Baçi
Dilema e intelektualëve për pjesëmarrjen e tyre drejtpërdrejt në politikë – pavarësisht lidhjes së gjithanshme me politikën – është sot një problem i përbotshëm. Gjithkund ka zëra protestues lidhur me futjen në politikë të njerëzve që në jetën e tyre nuk kanë shfaqur asnjë ambicie intelektuale, apo, siç shprehet profesori i filozofisë në Universitetin “Notre Dame” në SHBA, Gary Gutting, nuk kanë shfaqur asnjë ambicie për “jetën e mendjes”.
Ky distancim gjithnjë e më i madh mes intelektualëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë ka prodhuar një raport krejt tjetër me votuesin e sotëm, duke krijuar idenë e gabuar se gjithkush mund të merret me gjithçka dhe se të bësh politikanin është më shumë çështje biznesi.
Çështja e modelit të përfaqësimit në shtet ka qenë një çështje e analizuar që në veprën e Platonit “Republika”, ku kërkohet një kombinim mes njohurive teorike dhe atyre praktike, me qëllim që idetë të shkojnë drejt zgjidhjeve në të mirë të shoqërisë. Ndërkaq, Zhan Pol Sartri konsideronte intelektualin në teorinë e tij me përkufizimin “i dobishëm”. Pra, Sartri na jep një përkthim të nevojës që e kërkonte Platoni në teorinë e tij, kur theksonte nevojën e kombinimit të teorisë me praktikën.
POR A PRAKTIKOHET KJO THIRRJE E PLATONIT APO PËRKUFIZIMI I SARTRIT SOT?
Po të shohim çfarë ndodh me faktorin shqiptar, do të dallojmë lehtësisht se klasat politike janë në përballje gati dramatike të nivelit intelektual të konkurruesve dhe të zgjedhurve. Partitë që kanë qenë në pushtet kanë lënë pas marrëdhëniet me akademikët apo njerëzit që kanë bërë jetë studimore e shkencore dhe janë mbështetur në politikat e njerëzve të biznesit dhe të personave “të fortë e me shumë njohje”. Për këtë mjafton t’i hedhësh një sy mungesës së programeve për kulturën arsimin, e sidomos për përfshirjen në debate teorike, për të kuptuar se partitë po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt bjerrjes intelektuale.
Edhe partitë e reja të krijuara për të kundërshtuar partitë e ashtuquajtura “të vjetra”, janë të rrezikuara nga përfshirja nga ky terren i ri larg ideve të Platonit apo edhe ndaj përkufizimit të Sartrit, nëse nuk do të përpiqen të ndërtojnë barriera shkencore dhe morale kundër këtyre fenomeneve. Nga ana tjetër, nëse intelektualët ndihen sot të papërfaqësuar nga ata që drejtojnë në politikë apo institucione, nëse intelektualët ndihen të sulmuar nga pasiguria apo injorimi i mendimit të tyre, atëherë duhet të gjejnë rrugët të bashkëpunojnë, të ngrenë zërin, të bashkojnë forcat për të mos qenë pjesë e injorimit.
Por një hap i tillë duket se kërkon së pari nga të gjithë që të kuptojnë se çfarë janë të zotët të bëjnë ata që kërkojnë ndryshimin, ata që duan të jenë ndryshe. Vetëm pasi të kenë pranuar aftësitë e veta, vetëm pasi në mënyrë inteligjente të kenë pranuar se vetëm një bashkim i energjive do të jetë edhe efekti më i mirë i ndryshimit, atëherë mund të fillojmë të flasim, mund të fillojmë të kërkojmë realisht atë që mendojmë si më të mirën për vendet ku jetojmë, ku askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar, por që gjithkush të kuptojë pozicionin e vet.
Përndryshe, nëse do të vazhdojmë vetëm të konstatojmë e të mos japim zgjidhje, nëse do të vazhdojmë që për hir të mbijetesës vetëm të aprovojmë atë që na serviret, atëherë nuk ka përse të akuzojmë askënd se nuk na e dha mundësinë për të ndryshuar të ardhmen tonë.
POR, A KA ZGJIDHJE?
Kalimi në një komunikim të fshatit global- siç e konsideron filozofi kanadez i komunikimit, profesori Marshall McLuhan, komunikimin e sotëm të përbotshëm- ka nxjerrë në pah dëshirën e kujtdo për të dhënë idetë e veta, të cilat, të kombinuara me fuqinë ekonomike, kanë minimizuar ndikimet intelektuale në jetën partiake. Për të shmangur një dominim të personave “pa jetë të mendjes”, duhet parë se si funksionon në zgjidhjet e sotme botërore, sidomos në politikën amerikane.
P.sh., në SHBA, për të shmangur dyndjen e antiintelektualëve në Kongres apo Senat, partitë kanë krijuar organe këshillimore, apo fondacione, ku debatohet lidhur me drejtimet shkencore, sociale, filozofike, e natyrisht edhe modelet e rëndësishme ekonomike që garantojnë mirëqenien. Të tilla fondacione studimore garantojnë mosrrëshqitjen e partive në rastësi, apo nën pushtetin e njerëzve me mungesa të theksuara ideore apo edhe përfaqësues të dhunës.
“Në njëfarë mënyre, liderët dhe politikanët duhet të jenë sot konsumatorë inteligjentë të opinioneve të ekspertëve”, shprehet profesori Gutting, si një ekspert i kësaj çështjeje. Duke përgatitur përmes forumeve të ndryshme këtë konsum të domosdoshëm, partitë do të arrijnë të kenë në mes të tyre përfaqësues që do të jenë në gjendje të lexojnë nevojat e ndryshme të shoqërisë, si dhe rrugën e domosdoshme për mirëkuptim. Ky hap do t’i ruante gjithashtu partitë nga mossundimi i antiintelektualizmit, që tashmë ka përfshirë pjesën më të madhe të politikës, sidomos në vendet ish-komuniste, të cilët kanë trashëguar një elitë krejtësisht ideologjike dhe antiintelektuale.
Përndryshe, nëse nuk do të ketë një lexim të realitetit nga intelektualët dhe politika, shumë shpejt do të shtohet numri i të zgjedhurve që do të shfaqin hapur neveri për intelektualizmin, gjë që do të vijojë të thellojë krizën e ideve. Të paktën vende të vogla si Shqipëria, me një të kaluar në një sistem totalitar, që shoi përveç mendimit edhe besimin në Zot, e kanë edhe më emergjente këtë zgjidhje.