3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Parafabrikati “Big Brother”

Më të lexuarat

REDI SHEHU

Për të disatin vit radhazi, në ekranin shqiptar pozon me madhështinë e një gjetjeje epokale seriali i një reality show i quajtur “Big Brother”, një mision pothuaj i mundur në realitetin kontrovers shqiptar plot shkapërderdhje e huti sociale. I shoqëruar me debate dhe kundërshti në të gjithë globin, ky reality show, i cili ka marrë tashmë një trajtë universale mediatike, një patentë e vulosur nga marka biznesi mediatik si ajo e “Endemol”-it, është transformuar në kriter hegjemonie audience për ato televizione, të cilat mëtojnë të jenë më të mëdhatë.

Në origjinalitetin e vet, ky program nisi si një eksperiment social, i cili do të merrte përsipër të shfaqte atë që ndodh në të vërtetë, pra përcjelljen në audiencën e teleshikuesve të një realiteti të zhveshur nga parafabrikimet dhe sajesat e montuara që programet e tjera televizive ndërtonin, duke sjellë në formatin bruto të natyrshmen e individëve.

Por, si çdo eksperiment, edhe ky eksperiment social, kaloi në atë që quhet faza e pashmangshme e deformimit dhe i ndërtuar mbi një jetë parazitare të tipit ”njerëz në kolltuqe që shikojnë njerëz në kolltuqe”, nuk bëri gjë tjetër vetëm se promovoi thashethemnajën, lakuriqësinë, konfliktin, intrigën, tradhtinë, në një premisë të fortë për t’u shndërruar në standarde të jetës publike, një karneval psikotik dhe neurotik, i cili shigjeton pa pushim strukturën e kulturës sonë kombëtare. Këtij formati televiziv i është dashur të kalojë përmes një përpjekjeje tingëlluese për të arritur aty ku është sot, dhe këtë e ka bërë duke u implikuar dhe përpjekur për të demontuar konceptet e konsoliduara tashmë mbi privatësinë dhe intimen e individit.

Njeriu është krijuar si qenie, e cila aktualizon dy lloje realitetesh, realitetin e vet intim me veten e tij, e cila përkufizohet sot me atë që quhet sfera private, dhe me realitetin kolektiv dhe marrëdhëniet me të, që Habermas e quajti sfera publike e shoqërisë. Mirëpo sfera publike është e ndërtuar si një konsensus kufizimesh, apo thënë ndryshe, një konsensus i ekzistencës së sferave private. Për këtë u ndërtua një ekuilibër mes rendit publik, që është konsensusi i sipërpërmendur i kufizimeve, dhe lirisë individuale e cila ndodhet në të vërtetën e vet.

E gjitha, mund të përmblidhet në një shoqëri të ekuilibruar lirish, ku në fakt, duhet të marrësh leje për të qenë i lirë, i lirë jo vetëm duke mos dëmtuar të drejtën e të tjerëve por, mundësisht, duke e mbrojtur atë. Kështu, sfera private e individit shtrihet si koncept mbi përkufizimin ”intimja e ndaluar e tjetrit” dhe ky përkufizim përbën edhe kufirin apo vijën ndarëse të atij konsensusi të madh kufizimesh që quhet sferë publike. Pra, ndalesa për të hyrë tek intimja e tjetrit përbën edhe rregullin e artë të lirisë, shëndetshmërinë e vetë kësaj lirie.

Në momentin që ndërhyhet dhe çirret perdja e privatësisë së tjetrit si individ, atëherë fillojnë edhe implikimet e para me deformimin e hapësirës publike dhe lirisë si shprehje e kësaj hapësire. Mirëpo, “Big Brother” vendosi ta shkatërronte këtë konsensus kufizimesh të përbëra nga shumatorja e sferave private dhe vendosi një ditë të bukur të mblidhte disa persona të dëshpëruar për famë, të cilët duke u monitoruar 24 orë çdo ditë me dëshirën e tyre, vendosën ta shpallnin vetveten për herë të parë në histori si sferë publike.

E këtë sakrificë nuk mund ta bënte asnjë individ, përveç atyre të cilët ishin të gatshëm t’i nënshtroheshin terapisë anormale të transferimit të vetes nga ”intimja e ndaluar e tjetrit” tek ”intimja e preferuar e jotja”. Për të gjetur prototipe të tilla individësh, producentët e “Big Brother” organizojnë një procedurë selektimi hipnotike, duke kërkuar me lupë në çdo qoshk të shoqërisë, kandidatin i cili do të duhej minimalisht të ishte bartës i koncepteve anormale sociale.

Gazeta britanike “Daily Mail” u është qasur problemeve sociale që ka shkaktuar “Big Brother” në Britani, në një mënyrë interesante. Ajo dërgon një gazetare të sajën në formë investigative, fshehtas e pa deklaruar, që të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për t’u bërë pjesëtarë të këtij reality show në Britani. Qëllimi ishte, ashtu siç gazetarja britanike shprehej, “të shikonim qartësisht se si njerëz disfunksionalë zgjidheshin si “cjapi te kasapi” për argëtim të publikut”.

Pra, tipa gladiatorësh modernë, të cilët nuk luanin me forcën dhe teknikën luftarake, por me organizmin e luftimeve neurotike mes garuesve, me audienca në colosseum-e elektronike, të cilat do të duhej të poziciononin gishtin e madh sipër apo poshtë, në varësi të ekzekutimit mediatik të humbësit.

Gazetarja britanike tregon se i është dashur të hiqej si beqare, e papunë, me neuroza dhe si e paaftë të krijonte marrëdhënie të shëndetshme me një burrë, tip snobeje e paedukatë. Më tej ajo vazhdon “na grumbulluan në grupe prej 10 kandidatësh, të cilët merreshin në pyetje nga “ekspertë” të “Big Brother”, që na renditën bazuar nga shkalla e joshjes që ne rrezatonim, dhe unë u rendita e fundit, si më pak tërheqëse”. Pastaj atyre, sipas gazetares, u ishte thënë që të ulërinin dhe shanin fraza apo shprehje, për këtë arsye asaj i ishte dashur të paraqitej si një grua nevrike.

Ajo pohon se për t’u bërë pjesë e “Big Brother” në Britani, kandidati/ja duhej të plotësonte një formular në të cilin ishin rreshtuar pyetjet, të cilat grisnin përfundimisht perden e privatësisë së kandidatit. Pyetjet ishin të tipit:”Sa vjeçe e keni humbur virgjërinë tuaj? Cila ka qenë eksperienca më e paharruar seksuale e juaja? Sa partnerë keni ndërruar? A do të flije me dikë për para? A keni pozuar ndonjëherë nudo? Kështu gazetares iu desh të përdorte një kombinacion mes të vërtetash dhe gënjeshtrash për ta plotësuar atë.

Në fund, pasi firmosej formulari, shkruhej se kandidatja i jepte “Big Brother” të drejtat për të përdorur të gjitha informacionet private për qëllimet e programit. Producentët e reality show-t mund t’i përdornin këto informacione në website, për qëllime promocionale etj. Pra, me pak fjalë, donin të dinin sa i gatshëm ishte kandidati për të qenë mjaftueshmërisht i çmendur. Kështu, festa e çmendurisë, e cila merr trajtë zakonore sa herë që ripërsëritet, fton pa dyshim në stereotipe të cilat nga edicioni në edicion “emancipohen” drejt destinacionit përfundimtar, atë të çjerrjes së perdes së privatësisë dhe ftesës publike që i bëhet audiencës së hipnotizuar nga çakërdisja e radhës, që të votojë për të zgjedhur më të mençurin e “të çmendurve”.

Në këtë këndvështrim, ekzistenca e një programi të tillë vihet seriozisht në diskutim, sepse kufiri i argëtimit tashmë ka kaluar masën e vet, dhe se koha që po jetojmë është koha kur arti kthehet në mall të lirë tregu, dhe si i tillë i nënshtrohet procesit të mekanizimit e automatizimit, i cili sjell pastaj standardizim të praktikave kulturore. Rreziku i “Big Brother” qëndron pikërisht në standardizimin e kësaj praktike në formën e disa parafabrikateve kulturore si realityshow, të cilat përmes masivizimit rrezikojnë të shndërrohen në deformim të kulturës dhe vlerave tona kombëtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit