Thotë shejkh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë):
[Përcillet një fjalë shumë e dobishme nga Umer ibn Khattabi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – që është fjala e tij: “Kujt i jepet bereqet në një gjë të mos i ndahet asaj”. Kjo është një fjalë e mahnitshme. Sikur të peshohej me flori do të ishte më e rëndë (më e vyer). “Kujt i jepet bereqet në diçka le të kapet fort pas saj”
Dmth nëse njeriu punon një punë dhe shikon se ka bereqet në të, dhe ka fryte, atëherë le të kapet pas saj dhe të mos e lërë atë.
Le të sjellim një shembull për këtë me kërkuesin e dijes. Kërkuesi i dijes për shembull nis një libër, e studion atë apo e përsërit atë, dhe shikon se ka mirësi në këtë gjë, shikon se ka dobi dhe përfiton prej kësaj. Çfarë i themi atij? Kapu pas kësaj. Mos thuaj: Ky është një libër i shkurtër, i përmbledhur.
Dikush tha për librin “Zadul mustkeni’ ” pasi kishte përfituar prej tij, tha: Ky nuk mjafton. Do shikoj (dhe përmend një libër tjetër), dhe përsëri tha: Nuk mjafton as ky. – Do shikoj “El Mughni” – përsëri tha edhe për të: Nuk mjafton. – Pastaj tha: Do shikoj “El mexhmu’ ”, as ky nuk mjafton. – Do shikoj një herë “El funun” të Ibn Akilit…. (thotë shejkhu) : Kjo nuk është e mirë! Nëse Allahu të jep bereqet në diçka jepju asaj. Mos hiq dorë prej saj. Që mos të të iki koha kot. (mos të hallakatesh)
Këtu ka një çështje që ndodh. Më ndodh mua dhe juve. Për shembull: Njeriu dëshiron të kërkojë për një çështje te “Fetaua”-t e shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, dhe kërkon në pasqyrën e lëndës. Pastaj i del përpara një çështje tjetër dhe shkon e shikon atë. Dhe kështu e humbet kohën. Ajo që ai donte në fillim i ikën, ndoshta pastaj e gjen përsëri atë për të cilën u nis fillimisht. Pastaj i del një çështje tjetër. Prit ta shikojmë një herë këtë. – Dhe kështu i humbet koha.
Prandaj nga mençuria e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) ishte se fillonte me atë që dëshironte. Kur e thërriti atë Itban ibn Malik (radijallahu anhu) që të falej në një vend në shtëpinë e tij dhe ai më pas ta merrte atë për vendfalje. Profeti (salallahu alejhi ue selem) shkoi tek ai bashkë me disa shokë të tij. Kur arritën tek shtëpia e tij ai u tha: O i Dërguari i Allahut, ju kam përgatitur ushqim për të ngrënë. Por Profeti (salallahu alejhi ue selem) i tha: “Më trego vendin ku dëshiron që të falem.” – Përpara ushqimit. Përse? Sepse ti ke ardhur për këtë qëllim. Fillo me atë për të cilën ke ardhur.
Këtë çështje njeriu duhet ta ketë parasysh, në sjelljet e tij, në kërkimin e dijes, edhe në jetën e dynjasë. Për shembull dikush prej tregtarëve merret me metrazhet, pastaj dëgjon se dikush ka blerë dhe ka shitur toka, dhe ka fituar shumë. Thotë: Do filloj të merrem me shit-blerjen e tokës. – Pastaj dëgjon se dikush ka fituar me makinat. Thotë – Do merrem me shitblerjen e makinave. – Dhe kështu i shkon mundi dëm.
Nëse ia ka parë khajrin tregtisë së parë le të vazhdojë në të dhe të mos mundohet me këto zhvendosjet nga të cilat nuk ka dobi.
Dhe kjo përfitohet prej fjalës së Allahut: “Kur të vendosësh, atëherë mbështetju Allahut” Nëse ke vendosur për diçka, qëndro tek vendosmëria jote.]