10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Disa rregulla Islame të udhëtimit

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, salavatet e selamet qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamedin, familjen e tij, shokët, si dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tyre.

Këto janë disa  rregulla dhe dispozita që kanë të bëjnë me udhëtimin. Përzgjedhja e tyre është bërë nga librat e fikhut dhe hadithit.

Sunetet dhe rregullat e udhëtimit

1. Kërkimi i shoqërimit në udhëtim. Bazuar në hadithin të cilin e transmeton Amr bin Shuajb nga babai, nga gjyshi i tij se i dërguari i Allahut ka thënë: “Ai që udhëton vetëm atë e shoqëron shejtani. Kur janë dy, shejtani është në shoqërimin e tyre, ndërkaq në tre shejtani është larg tyre”.

2. Emërimi i udhëheqësit (emirit) në udhëtim. Bazuar në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra dhe Ebu Seid (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!): “Kur dalin tre persona  në udhëtim, le të emërojnë për udhëheqës njërin prej tyre”. Shënon Ebu Daudi me sened hasen. Ndërsa në hadithin të cilin e transmeton Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thuhet se i dërguari i Allahut, kur dërgonte ndonjë ushtri, caktonte për udhëheqës ndonjërin prej tyre dhe urdhëronte për dëgjimin dhe respektimin e tij”. Shënon Buhariu.

3. Leximi i duasë me rastin e hipjes në mjetin e udhëtimit dhe duasë së udhëtimit. Është transmetuar nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se kur deshi të hipte kafshën e tij për në udhëtim thoshte: “Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Allahut, i Lartëmadhërishëm qoftë Ai i Cili i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë. Ne, me të vërtetë, te Zoti ynë do të kthehemi.” Pastaj thoshte: “Falënderimi i takon Allahut (tri herë), Allahu është më i madhi (tri herë)”. E pastaj lexonte: “I Lartë qofsh, o Zoti im! Unë i kam bërë dëm (zullum) vetvetes, prandaj më fal mua, sepse askush përveç teje nuk mund t’i falë mëkatet!” Shënon Ahmedi dhe Ehlu Sunen. Ndërkaq, Muslimi shënon nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i dërguari i Allahut, kur hipte mbi kafshën e tij duke dalë për udhëtim, madhëronte Allahun tri herë (thoshte: Allahu ekber) e pastaj lexonte: “I Lartëmadhërishëm qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim pasur mundësi ta bënim këtë. Ne, me të vërtetë, tek Zoti ynë do të kthehemi. O Zoti ynë, të lutemi që në udhëtimin tonë të na mundësosh të bëjmë mirësi dhe të jemi të devotshëm, të bëjmë vepra të mira me të cilat Ti je i kënaqur! O Zoti ynë, Ti je shoqërues në udhëtim dhe mbrojtës i familjes sonë! O Zoti im, kërkoj që të më mbrosh nga vështirësitë e udhëtimit dhe nga kënaqësitë e tij, nga shikimet qëllim-këqija dhe nga telashet në pasuri dhe familje!” E kur kthehej thoshte: “U kthyem me pendim dhe përkushtim, duke i bërë Zotit tonë falënderim!”

4. Dalja në udhëtim ditën e enjte. Kab bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i dërguari i Allahut, kur dilte në udhëtim, dilte ditën e enjte. Shënon  Buhariu në koleksionin e tij në librin mbi xhihadin e kjo është më e preferuar, ngase dihet se i dërguari i Allahut, kur bëri haxhin lamtumirës, doli ditën e shtunë.

5. Tekbiri dhe tesbihu gjatë udhëtimit. Siç është transmetuar nga Xhabiri dhe Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!): “Kur hipnim (në mjetin e udhëtimit), merrnim tekbir, ndërsa kur zbrisnim, e madhëronim Allahun; d.m.th.: bënim tesbih”. Shënon Buhariu.

6. Duaja e udhëtarit për familjen, të afërmit dhe të tjerët me fjalët: “Ju lë në kujdes të Allahut, i cili nuk humb porositë e Tij!” Shënon Ahmedi dhe Ibn Maxheh.

7. Kthimi menjëherë pas kryerjes së nevojës, për të cilën ka udhëtuar. Mbështetur në fjalët e të dërguarit të Allahut: “Udhëtimi është një pjesë e dënimit, e pengon ndonjërin prej jush nga ushqimi, pija dhe nga gjumi, ndaj kur të plotësojë nevojën e tij, le të nxitojë të kthehet tek familja e tij!” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

8. Mos shoqërimi nga engjëjt i karvanit me kumbim dhe qenë. Muslimi shënon se i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Engjëjt nuk e shoqërojnë karvanin në të cilin ka kumbim dhe qenë”.

9. Duaja në vendin ku qëndron. Kush zbret në ndonjë vend e thotë: “Kërkoj mbrojte me fjalët e plota të Allahut nga të këqijat që ka krijuar, nuk i bën dëm atij asgjë, derisa të largohet nga ai vend.” Shënon Muslimi nga Haule bint Hakim.

10. Duaja (lutja) në udhëtim. Sipas hadithit: “Tri grupe të njerëzve nuk u kthehet lutja, e njërin prej tyre përmendi udhëtarin”. Shënojnë Ehlu Sunen, ndërkaq tek Muslimi: “Dhe përmendi njeriun i cili e zgjat udhëtimin i pluhurosur…”.

11. Mos mbërritja në familje natën. Nga suneti është të mos arrijë tek familja natën, vetëm nëse i paralajmëron më herët, siç ka ardhur në hadithin e Xhabirit dhe të tjerëve.

12. Shkuarja në xhami me rastin e kthimit nga udhëtimi. Prej sunetit është që me rastin e kthimit nga udhëtimi të shkojë në xhami dhe t’i falë dy rekatë, siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Buhariu këtë hadith e ka shënuar në disa vende në koleksionin e tij të haditheve.

Përktheu: Almedin Ejupi

31.03.2007

  1. Për udhëtarin është e ligjshme shkurtimi i namazit me rastin e daljes nga vendbanimi i tij. Buhariu në përmbledhjen e koleksionit të tij shënon se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kishte dalë nga Kufa dhe shkurtoi namazin e ai i shihte vendbanimet. Ndërkaq me rastin e hyrjes i është thënë se kjo është Kufa ai u tha: “Derisa të hymë në të”. Po ashtu, i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka falur namazin e drekës katër rekatë në Medinë, ndërkaq ikindinë në vendin e quajtur Dhilhulejfe (vend në dalje të Medinës) dy rekatë.
  2. Me rastin e hyrjes së kohës së namazit e ai akoma është në vendbanimin e tij e pastaj udhëton dhe e fal namazin në udhëtim. Me këtë rast a e fal namazin të plotë apo të shkurtuar? Qëndrim i zgjedhur nga shumica e dijetarëve, siç tregon Ibn Mundhir në librin e tij “El euset” është shkurtimi i namazit. Ndërkaq, hanbelitë mendojnë se namazi duhet të plotësohet.
  3. Nëse udhëtari falet pas atij që është vendas, atëherë i fal katër rekatë edhe në qoftë se arrin vetëm uljen e fundit, pra ai e fal namazin sikurse vendasi katër rekatë. Ky është qëndrim i shumicës së dijetarëve; kështu është transmetuar nga sahabët, këtë qëndrim e mbajnë edhe Ibn Bazi dhe Ibn Uthejmini (Allahu i mëshiroftë!)[1].
  4. Nëse udhëtari u fal (bëhet imam) vendasve, e shkurton namazin. Është e ligjshme për të me rastin e dhënies selam t’u thotë ta plotësojnë namazin, ngase Maliku transmeton nga Nafi bin Umer, nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ai shkonte në Mekë falej dhe u thoshte vendasve: “Plotësoni namazin tuaj, sepse ne jemi udhëtarë”. Po ashtu, është transmetuar nga Imran bin Husejn, nga i dërguari i Allahut, mirëpo hadithi është i dobët, shënon Ebu Daudi dhe të tjerë, se nëse u lajmëron para fillimit të faljes, nuk ka gjë të keqe, në mënyrë që mos të ndodhë paqartësi.
  5. Namazet sunete të cilat nuk praktikohen gjatë udhëtimit janë: sunetet e drekës (para dhe pas farzit), suneti i akshamit (pas farzit) dhe suneti i jacisë (pas farzit). Ndërkaq, suneti i sabahut dhe namazi i vitrit falen dhe nuk duhet të lihen. Gjithashtu, atij i takon të falë namazin e duhasë, namazin pas marrjes së abdestit, namazin me rastin e hyrjes në xhami.
  6. Prej sunetit është leximi i shkurtër gjatë namazit në udhëtim, pasi është transmetuar nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se në namazin e sabahut ka lexuar “Li ilafi kurejsh” dhe “Kul hu uallahu ehad”, ndërkaq Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka lexuar “Sebih hisme rab bikel a’la”. Shënon ibn Ebi Shejbeh e të gjitha transmetimet janë të vërteta.
  7. Me rastin e bashkimit të namazeve, atëherë e thërret një ezan dhe dy kiamete. Për çdo namaz bën ikamet dhe atij i është lejuar t’i bashkojë në fillim, në mes apo edhe në fund të kohës së namazit.
  8. Bashkimi i namazeve në udhëtim është sunet në rast nevoje, ashtu siç ka thënë Shejhul Islam Ibn Tejmije, ndërsa në rast jo nevoje, është e lejuar.
  9. Atyre që nuk u është bërë obligim namazi i xhumasë, si: udhëtarët e të sëmurët, u është lejuar falja e namazit të drekës pas zbritjes së diellit, edhe në qoftë se imami akoma nuk e ka falur namazin e xhumasë.
  10. Udhëtarit i është lejuar të falë namaze nafile (vullnetare) në makinë apo aeroplan, siç është transmetuar nga i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) falja e namazeve nafile mbi kafshën e tij.
  11. Secilit që i është lejuar shkurtimi i namazit i lejohet prishja e agjërimit dhe jo anasjelltas.
  12. Udhëtimi në ditën e xhuma është i lejuar, por nëse muezini thërret ezanin  e dytë për namazin e xhumasë dhe ai është prezent, i obligohet qëndrimi derisa ta e falë namazin e xhumasë, vetëm në rast se ka frikë se i ikën rezervimi i aeroplanit e të ngjashme; në këtë rast i lejohet udhëtimi në këtë ditë. Po ashtu, i lejohet udhëtimi pas thirrjes së ezanit të dytë, nëse ka për ta falur namazin e xhumasë e ai është udhëtar, sikur të kalojë pranë ndonjë vendi të afërt e ta e falë xhumanë me ta.
  13. Dhikri (lutjet e namazit) me rastin e bashkimit të namazeve. Lutjet e namazit të parë nuk praktikohen, por mbeten ato të namazit të dytë, mirëpo nëse lutjet e namazit të parë janë më të gjata, atëherë ato i lexon pas faljes së namazit të dytë, si, fjala vjen, me rastin e bashkimit të namazit të akshamit dhe jacisë i lexon lutjet e akshamit pas faljes së namazit të jacisë.
  14. Nëse e fal drekën duke qenë vendas e pastaj udhëton a i takon ta falë ikindinë në udhëtim para hyrjes së kohës? Dijetarët Ibn Bazi dhe Ibn Uthejmini kanë qëndrimin se nuk lejohet, për shkak të mosplotësimit të kushteve të bashkimit e kjo është e panevojshme, ngase ai ka për ta falë ikindinë, atëherë le ta falë kur të hyjë koha.
  15. Udhëtari nëse di apo ka bindjen se do të arrijë në vendin e tij, para namazit të ikindisë apo para jacisë, më mirë për të është të mos i bashkojë namazet, ngase nuk ka nevojë për një gjë të tillë, por nëse i bashkon, atëherë nuk ka gjë të keqe.[2]
  16. Nuk është i kushtëzuar në udhëtim nijeti për shkurtimin e namazeve. Ky është qëndrim i zgjedhur i shumicës së dijetarëve.[3]
  17. Shumica e dijetarëve kanë ndaluar të bashkohet namazi i ikindisë me atë të xhumasë. Ky është qëndrim i medhhebit hanbelij, shafij e të tjerë dhe këtë qëndrim e kanë zgjedhur Ibn Bazi dhe Ibn Uthejmini.[4]
  18. Shkurtimi i namazeve është sunet e disa të tjerë mendojnë se është uaxhib (obligim). Ibn Umeri ka thënë: “Namazi i udhëtarit është dy rekatë, kush kundërshton sunetin ka mohuar”. Senedi është i vërtetë, shënon Abdurezaku, Tahaviu e të tjerë.
  19. Lehtësimet e udhëtimit janë për ato udhëtime të lejuara.
  20. Gruaja nuk udhëton vetëm se me mahremin e saj (burri apo çdo mashkull moshërritur të mençur që i ndalohet martesa me të).
  21. Me rastin e bashkimit të namazit të akshamit me atë të jacisë në kohën e parë, me atë rast hyn edhe koha e namazit të vitrit. Tek shumica e dijetarëve nuk ka nevojë pritjen e hyrjes së kohës së jacisë.
  22. Namazi i xhumasë nuk i obligohet udhëtarit në ndonjë vend, përderisa është udhëtar. Kjo është unanim te dijetarët, ashtu siç tregon Ibn Mundhiri në librin e tij “El eusat” duke thënë se me këtë nuk pajtohet vetëm Zuhriu.
  23. Nëse udhëtari udhëton në muajin e Ramazanit, atëherë atij i lejohet agjërimi dhe prishja e tij, mirëpo më mirë për të është ajo më e lehta. Nëse është më lehtë për të agjërimi, atëherë agjëron e nëse është më lehtë për të prishja, atëherë e prish agjërimin e nëse barazohen (vështirësia dhe lehtësimi), agjërimi është më i mirë, ngase këtë e ka vepruar i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!). Allahu e di më së miri.

Përktheu: Almedin Ejupi

08.04.2007

[1] Shih “El Mexhmu” Neueui, vëll, IV, f. 236.

[2] Shih “Mexhmu Fetaua ue Resail” Muhamed bin Uthejmin, vëll. XV, f. 422.

[3] Shih “Fetaua” Ibn Tejmije, vëll. XXIV, f. 104.

[4] Shih Mexhmu Fetaua ue Resail Muhamed bin Uthejmin XV f 371.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit