1. Rëndësia e njohjes së dispozitave të ushqimeve dhe pijes
Ndër begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij është se kur i krijoi ata u siguroi atyre lloje të ndryshme të ushqimeve dhe pijeve për të vazhduar jetën; u zbriti atyre shiun nga qielli, u nxori nga toka ushqimin, u krijoi atyre shtazë të ndryshme dhe i bëri ato të nënshtruara ndaj njeriut. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, që ju ka krijuar juve dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); që e ka bërë tokën për ju shtresë (të banoni në të) dhe qiellin kulm; që prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.”[1] Gjithashtu thotë: “(Allahu) Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.”[2]
Njeriu si falënderim ndaj mirësive të Krijuesit të tij të Lartmadhëruar është i detyruar të mësojë ligjin e Allahut dhe dispozitat e Tij, që kanë të bëjnë me ushqimet, në mënyrë që ai ti pasojë ato. Secili njeri e di se çdo gjë në jetë ka norma, rregulla dhe kufizime e gjithashtu edhe në ushqim e pije, por besimtari dallon nga të tjerët, se këto rregulla dhe norma i merr nga ligji i Allahut të Lartësuar, ndërsa të tjerët i marrin nga ligjet, të cilat i nxjerrin vetë njerëzit; me të vërtetë dallimi në mes këtyre dy gjërave është shumë i madh. Në vazhdim lexuesi do të ketë mundësinë të njihet me disa dispozita, të cilat kanë të bëjnë me therjen e kafshëve, meqë ekzistojnë shumë paqartësi në lidhje me këtë temë, posaçërisht në kohën e sotme, kur muslimani jeton në vende të ndryshme të botës dhe ballafaqohet me lloje të ndryshme mishrash dhe nuk di si të veprojë: a të hajë nga këto ushqime apo jo. Prandaj na duhet t’i sqarojmë disa gjëra që janë të rëndësishme të dihen në lidhje me dispozitat e prerjes së kafshëve.
2. Therja ligjore
Me therjen ligjore kemi si qëllim therjen e shtazëve, që lejohet ngrënia e tyre vetëm duke e bërë prerjen,[3] me kushtet që do t’i përmendim më poshtë. Therja ligjore është e domosdoshme, prandaj edhe dijetarët e fikhut janë në pajtim, se ajo kafshë që nuk është prerë sipas dispozitave të sheriatit, nuk lejohet ngrënia e saj. Argument për këtë kemi ajetin e Kuranit: “Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin.”[4]
3. Kushtet e therjes së shtazës:
Kushtet që duhet të plotësohen gjatë therjes së kafshës ndërlidhen me:
1) Therësin, pra personi që e bën therjen.
2) Mjetin e therjes.
3) Mënyrën e therjes.
Në vazhdim do të përmendim kushtet që kanë të bëjnë me secilën nga këto tri gjëra, pa u thelluar shumë në shtjellimin e tyre.
1) Personi që do të merret me therjen duhet të plotësojë këto kushte:
a) Të jetë i mençur e i vetëdijshëm; nuk pranohet nëse prerjen e bën i çmenduri, i dehuri dhe fëmija i vogël, i cili nuk është i vetëdijshëm për atë që bën.
b) Të jetë musliman, ose nga Ithtarët e Librit (i krishterë apo çifut). Kështu, nëse personi që e bën therjen është ateist apo idhujtar, atëherë prerja e tyre është e ndaluar për muslimanin të hahet.
2) Mjeti me të cilin bëhet therja duhet të plotësojë këto kushte:
a) Therja të bëhet me mjet të mprehtë, kështu që të mundësohet rrjedhja e gjakut lirisht.
b) Kushtëzohet që mjeti të mos jetë prej dhëmbi, thoi apo kocke. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Ushqehu me atë (prerje) që e rrjedh gjakun, përveç mos të jetë (mjeti) nga dhëmbi dhe thoi”[5].
3) Kushtet që kanë të bëjnë me mënyrën e therjes
a) Të bëhet prerja e pjesëve të fytit, që të rrjedhë gjaku. Janë katër gjëra në fyt që priten gjatë therjes: kanali ku shkon ajri, kanali ku shkon ushqimi dhe dy kanale të gjakut. E mjaftueshme është që të priten tri nga këto katër kanale. Madje, disa dijetarë thonë se mjafton edhe nëse priten vetëm dy kanalet e gjakut, me argumentin se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ushqehu me atë prerje që rrjedh gjakun” e rrjedhja e gjakut bëhet vetëm me prerjen e këtyre kanaleve.
b) Përmendja e emrit të Allahut para prerjes. Allahu i Lartësuar thotë: “Hani vetëm atë mish, gjatë therjes së të cilit është përmendur emri i Allahut”[6].
Këto janë kushtet e domosdoshme, të cilat duhet të plotësohen gjatë therjes së kafshëve dhe nuk jemi zgjeruar në përmendjen e argumenteve për secilin nga frika e zgjerimit.
Vazhdon…
Alaudin Abazi
[1] Bekare, 21-22.
[2] Bekare, 29.
[3] Sikurse lopa, delja, pula etj.
[4] Maide, 3.
[5] Buhariu dhe Muslimi.
[6] Enam, 118.
3. Dispozita e shtazës së therur nga jomuslimani
Së pari: Therja e Pasuesve të Librit
Thëniet e Kuranit dhe të hadithit, madje edhe konsensusi (Ixhmai) i dijetarëve aludon se lejohet të hahen kafshët e therurat nga Ithtarët e Librit (Ehlu Kitabi), nga të krishterët dhe çifutët. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e Ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata.”[1] Buhariu thotë, se Ibën Abasi ka thënë, se qëllimi në këtë ajet “ushqimet e Ithtarëve të Librit”, është për shtazët që i therin ata. Pastaj vërtetohet se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, hëngri nga delja, e cila iu dha dhuratë nga gruaja çifute në Hajber. Gjithashtu dihet se ai në një rast tjetër iu përgjigj ftesës së një çifuti, që të shkonte në shtëpinë e tij në Medinë dhe hëngri një lloj ushqimi që ishte me yndyrë shtaze. Ekzistojnë edhe raste të tjera në të cilat vërtetohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka ngrënë në shtëpitë e Pasuesve të Librit (Ehlu Kitab). Nga këto argumente dhe nga praktika e Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem, kuptojmë se therja që bëhet nga të krishterët dhe çifutët është e lejuar ta hajë muslimani.
Së dyti: Therja e idhujtarëve dhe e ateistëve
Në anën tjetër nëse jomuslimani është ateist apo idhujtar, atëherë prerja e tyre është e ndaluar. Argument për këtë është ajeti i lartpërmendur, ku lejon vetëm prerjen e ithtarëve të librit. Gjithashtu mund të argumentojmë me hadithin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kur është pyetur, se kush është dispozita për adhuruesit e zjarrit (idhujtarët) ai ka thënë: “Vendosini atyre dispozitën e ithtarëve të librit (për marrjen e xhizjes), përveç ngrënies së mishit të tyre dhe martesës me ta.”[2]
4. Goditja e shtazës me pistoletë elektrike para se të theret
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu e bëri detyrim mirësinë në çdo gjë. Kur të vritni, vritni në mënyrë të mirë, kur të therni, therni në mënyrë më të mirë. Mprihe thikën dhe qetësoje kafshën që do ta therësh.”[3]
Gjithashtu i Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem e ka ndaluar, që të vritet shtaza duke e gjuajtur për shënjestër (do të thotë pa e therur)[4]. Nga këto hadithe dhe të tjera kuptojmë se therja e shtazës është një veprim gjatë të cilit duhet të kihen kujdes rregullat dhe dispozitat e përcaktuara. Këto rregulla dhe kushte i kemi përmendur më lart. Prandaj gjuajtja me pistoletë elektrike apo ndonjë metodë tjetër me të cilën i humbet vetëdija e shtazës para therjes nuk lejohet dhe besimtarit i ndalohet një praktikë e këtillë.
Është e nevojshme që këtu të përmendim edhe që disa shoqata, të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të kafshëve pretendojnë se therja e shtazës pa ia humbur vetëdijen shkakton mundimin e shtazës. Kjo nuk është e vërtetë, meqë therja e kafshës pasi t’i humbasë vetëdija (kur të goditet me pistoletë elektrike), ndikon në cilësinë e mishit, pasi në këtë rast truri pushon së funksionuari dhe rrahjet e zemrës zvogëlohen tërësisht, dhe kur theret në këtë gjendje, gjaku mbetet në trupin e shtazës.
Dr. Xhon Hanover Larsen, profesor i bakteriologjisë dhe mjek në një nga spitalet e Kopenhagenit në Danimarkë, në një intervistë kur flet për therjen e kafshëve duke i goditur paraprakisht me pistoletë elektrike, theksoi se gjaku është përbërja në të cilën shumohen më shpejt bakteret në të, prandaj mbetja e gjakut në kafshë shkakton rritjen me shumicë të baktereve të rrezikshme në ato mishra. Për këtë ai thekson se gjatë therjes së kafshëve duhet të mos i godasim me gjëra, të cilat ua humbasin vetëdijen paraprakisht, ashtu si është bërë fatkeqësisht shprehi në vendet perëndimore.
Ai gjithashtu u përgjigjet atyre që thonë se forma se si prehet kafsha te muslimanët, pa ia humbur vetëdijen e mundon kafshën. Ai thotë se shkenca ka vërtetuar se shtazës tre sekonda pasi t’i prehen damarët e gjakut, që janë të lidhura me trurin i ndërpritet ndjenja e dhimbjes, kështu që ato lëvizje, të cilat i manifeston kafsha pas prerjes nuk janë se kafsha ndien dhimbje, por janë lëvizje të cilat i manifestojnë pjesët e tjera të organizmit, të cilave ende nuk u është ndërprerë furnizimi me gjak.[5]
Vazhdon…
Alaudin Abazi
5. A lejohet ngrënia e kafshës së goditur me pistoletë elektrike, por që më pas theret?
Kjo është një problematikë për të cilën kanë folur dijetarët bashkëkohorë mjaft, madje kësaj çështje i është qasur edhe Asambleja Islamike Ndërkombëtare e Fikhut në një takim konsultativ të mbajtur me 21, Sheval, 1430, që përputhet me 10, Tetor, 2009.[1]
Në përgjithësi juristët muslimanë thonë, se nëse goditja me pistoletë elektrike apo diçka tjetër ka shkaktuar vrasjen e shtazës (i ka dalë shpirti) para se të theret, atëherë me këtë rast ajo kafshë konsiderohet ngordhësirë dhe nuk lejohet ngrënia e saj.
Por nëse ajo goditje ka shkaktuar trullosjen e shtazës dhe ajo theret në atë gjendje, atëherë lejohet ta hamë atë mish, meqë ajo therje është njësoj si kafsha, e cila është lënduar qoftë nga rrëzimi apo sulmi i egërsirave dhe ne arrijmë ta therim para se t’i dalë shpirti. Allahu i Lartësuar thotë: “Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin.”[2] Allahu i Lartësuar në këtë ajet i përjashtoi nga ndalesa ato shtazë që arrijmë t’i therim para se t’u dalë shpirti. E njëjta gjë vlen edhe për shtazën, e cila goditet me rrymë elektrike para therjes.
6. Ngrënia e kafshëve, të cilat prehen në vendet e Perëndimit
Nëse muslimani jeton në ndonjë vend në të cilin prerjen e shtazëve e bëjnë muslimanët apo të krishterët e çifutët, atëherë në parim lejohet ngrënia e këtyre mishrave dhe lejohet t’i blejmë ato. Gjithashtu edhe nëse nuk dimë se: a e kanë përmendur emrin e Allahut apo jo, gjatë therjes, lejohet të hamë nga këto mishra pasi në thelb lejohet ngrënia e kafshëve të therura të Ithtarëve të Librit (Ehlu Kitab). Në lidhje me këtë përcillet një hadith në të cilin disa shokë e pyesin të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se një grup njerëzish na sjellin mish për të cilin nuk e dimë, a është prerë me Bismilah apo jo. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, u thotë që ata ta përmendin emrin e Allahut para se ta hanë dhe kjo mjafton.[3]Megjithëkëtë themi se besimtari duhet të ketë kujdes në blerjen e këtyre mishrave, pasi nuk është edhe aq sigurt kjo, sidomos nëse ka mundësi të furnizohet me mish të lejuar qind për qind nga dyqanet e muslimanëve dhe kjo tani ka filluar të përhapet në shumë qytete të Evropës. Besimtarët, të cilët jetojnë nëpër këto vende tregojnë se mundësia për të gjetur mishra të prera nga muslimanët nuk është e vështirë. Me një interesim më të madh besimtari mund të bjerë në kontakt me furnizues të këtillë.
Fund
Alaudin Abazi
[1] http://www.islam-love.com/home/islam/2009-08-17-16-53-40/641-islam-love.html
[2] Maide, 3
[3] Shënon Buhariu.
[1] Maide, 5.
[2] Shënon Bejhekiu.
[3] Shënon Muslimi.
[4] Shënon Muslimi